E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti njeh Kosovën

Kosova ka marrë edhe një njohje në pesë vjetorin e pavarësisë së saj. Egjipti sot ka dërguar ndihmëspresidenten e vendit për t’i sjell njohjen e shtetit të Kosovës.

Ky është vendi i 99 brenda këtyre viteve që njeh shtetin më të ri evropian. Egjipti është një nga shtetet më të mëdha arabe që njeh shtetin e Kosovës.

Kjo u konfirmua nga e dërguara e posaçme e presidentit Morsi zv.Presidentja e Egjiptit, znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy.

Ajo u takua me kryeministrin Hashim Thaçi, me ç’rast ajo konfirmoi njohjen dhe mbështetjen e Egjiptit në këtë 5 vjetor të Pavarësisë së Kosovës.

“Jam shume e lumtur që jam në Kosovë për herën e dytë. Kosova përfaqëson një simbol të lirisë duke qenë vendi më i ri demokratik në botë ", tha ajo.

"Egjipti e mbështet Kosovën, jam e nderuar të shpalli njoftimin se Egjipti po e njeh Kosovën. Kjo njohje do të na ndimohjë në bashkëpunimin tonë në shumë fusha sepse kemi një të kaluar të përbashkët si në aspektin kulturor dhe historik”, shtoi Sharkway.

Ndërkaq kryeministri Thaçi e falënderoj ndihmës Presidenten e Egjiptit për këtë vizitë në 5 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke e falënderuar për mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës.

“Sot kisha kënaqësinë e veqantë të prisja të dërguarën e posaçme të Egjiptit dhe t’i shpreh kënaqësinë e Kosovës për mysafiren e veçantë. Nga vizita e fundit qe kam zhvilluar ne Egjipt , me presidentin Morsi shihet një angazhim nga Kajro në mbështetje të fuqishme të Republikës së Kosovës sepse ndajmë vlerat e angazhimit dhe përkushtimit që kemi kaluar si popull për liri dhe dinjitet”, ka thënë Thaçi.

“Po hapet një kapitull i ri mes shtetit te Kosovës dhe Egjiptit”,nënvizoi ai./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›