Pengmarrja e Himarës, familja Guma nuk kërkoi politizimin e vdekjes
HIMARË – Aksidenti-krim i ndodhur të enjten e kaluar e ka futur Himarën në një spirale të turbullt, ku të humburit më të mëdhenj janë vetë himarjotët, të cilëve, gjatë këtyre ditëve po u largohen edhe të ardhurat që u vjelin çdo vit turistëve të shumtë nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera. Vdekja e Aristotel Gumës i ka kaluar përmasat e një krimi dhe e vërteta rri e strukur nën heshtje, ndërsa koniunkturat vijnë drejt Tiranës, në shumicën e rasteve si gojëdhëna dhe gatuhen në media si të vërteta. Një banor i Himarës, i cili nuk dëshiron të flasë me emër, thotë se i ati i 35-vjeçarit të vdekur mbrëmjen e së enjtes së kaluar, pasi ka marrë vesh ngjarjen, është shprehur kundër bllokimit të rrugëve dhe të politizimit të fatkeqësisë që ka ndodhur në familjen e tij. Por, dëshira dhe ngushëllimi i kërkuar prej tij ka marrë trajtë tjetër, duke kaluar edhe matanë kufijve të Shqipërisë.
Përtej vrasjes
Të gjithë himarjotët dhe banorët e bregut shprehen të pikëlluar për vdekjen e Aristotel Gumës. “Ishte një akt barbar”, - thonë të gjithë njëzëri. Madje pohojnë se motivet e këtij krimi mund të kenë qenë edhe për shkaqe të diferencimeve etnike mes palëve në konflikt. Por ata nuk ngurrojnë të thonë se reagime të tilla nuk u sjellin asgjë të mirë marrëdhënieve të kultivuara në breza mes shqiptarëve dhe minoritetit grek në këtë zonë. Një mesazh të tillë e dha edhe babai i Aristotel Gumës. Një banor i tha gazetës se kryefamiljari, me profesion elektricist, është njeri i nderuar në të gjithë zonën. Në momentin që mori vesh fatkeqësinë dhe kur pa se po ndizeshin gjakrat nga grupe të rinjsh, ai u është shprehur miqve që i kishin shkuar për ngushëllim, se është kundër bllokimit të rrugëve dhe politizimit të ngjarjes derisa Drejtësia të thotë fjalën e vet. Shumë shpejt ngjarjet u rrokullisën dhe grupe personash bllokuan qarkullimin për rreth 14 orë, duke keqtrajtuar mijëra turistë që prisnin në radhë në të dyja anët e aksit Qafë-Llogora – Himarë. “Një telefonatë që iu bë kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano, nga lart, bëri të mundur që të hapet rruga”, - thotë Kristo për “Albania”-n. Gjithsesi, inatet nuk u shuan. Edhe të dielën pati bllokime të përkohshme të rrugës që kalon në qytetin e Himarës. Madje, edhe autobusi i linjës Tiranë – Sarandë u mbajt për pak minuta në vendnumëro, derisa grupet pranuan që të respektojnë “paktin” e vendosur në “Himarën shtet”, ku do të lejohej lëvizja e mjeteve të transportit të udhëtarëve.
E diela në mbrëmje në Himarë nuk dukej si natë e zakonshme vere, plot zhurma dhe tinguj muzike, me turistë të shumtë nëpër kafene dhe rrugë. Të ngjante si natë zie, pasi kishte shumë pak këmbë që lëviznin nëpër rrugë dhe buzë detit. “Na prishi punë me sezonin”, - thotë një pronar lokali. Më tej ai shton se gjatë fundjavës “më ka rënë xhiroja në mënyrë të ndjeshme, pasi turistët janë shumë të ndjeshëm dhe janë larguar sapo ndodhën bllokimet e rrugëve”.
Përtej fasadës
Po si është e vërteta e vrasjes së 35-vjeçarit Gumi. Të gjithë himarjotët që i pyet, të tregojnë versione të ndryshme. “Ata kanë të drejtë të indinjohen”, - thotë një shqiptar vendas, të cilit i duket që në fytyrë dhe shprehje fakti se e ndien veten “pakicë” në atdheun e tij. “Vdekja e Aristotelit na ka shqetësuar të gjithëve”, - thotë një borshjot me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Por, sipas tij, kjo nuk justifikon veprimet radikale. Ky është një konflikt mes dy grupe të rinjsh dhe nuk ia vlen t’i shkohet më tej: Ushtarë grekë na kanë ofenduar, policët kanë rrahur dhe torturuar djemtë tanë në komisariate, me qindra dhe mijëra emigrantë janë keqtrajtuar. Nuk kemi pse i tregojmë fqinjit të këqijat. Por, vdekja e Gumës kërkon nderimin e të gjallëve dhe drejtësi.
Argumentet sërish nuk të çojnë tek e vërteta. Një mësues shprehet se politizimi i ngjarjes, me shumë gjasa, ka lidhje me situatën para zgjedhjeve vendore. Ai hamendëson se kryetari i Bashkisë, Vasil Bollano, ka dy mandate dhe po kërkon një të tretë. Për ta bërë një gjë të tillë, rruga më e mirë është nxitja dhe organizimi i grupeve të të rinjve në raste të tilla, të cilët përdorin dhe shpërdorin kartën e të qenit minoritet.
Zgjedhjet vendore duan shumë kohë për të ardhur dhe për himarjotët nuk ka shumë rëndësi nëse është në krye të qeverisjes vendore Bollano, apo ndonjë tjetër, qoftë ky edhe shtetas me kombësi shqiptare. E rëndësishme është që të ketë rend dhe qetësi, që të ketë investime dhe turistë të huaj, sepse vetëm ata ua rritin të ardhurat familjeve të tyre. Ngjarjet e ditëve të fundit kanë punuar kundër himarjotëve dhe Himarës.
Bollano, në takimin për çështjen e Epirit pak ditë para konfliktit
Është bërë rutinë që sa herë që Bollano dhe mbështetësit e tij të flakët dalin nga territori i vendit të tyre, me siguri diçka do të ndodhë më vonë. Por, përtej hamendjeve, zoti Bollano, më datë 31 korrik të këtij viti ka qenë i pranishëm në Konferencën botërore Panepirote të të rinjve, organizuar në Janinë. I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe presidenti grek, Jorgos Papulias. Në këtë takim, zoti Bollano ka mbajtur një fjalim përshëndetës para gjithë personaliteteve greke dhe të rinjve të ardhur nga disa vende të botës për çështjen e Epirit dhe problemet e pretenduara si ende të pazgjidhura, nga vendi fqinj dhe disa përfaqësues të minoriteti grek në vendin tonë.
Godo: “Greqia, qëndrim të ekzagjeruar”
Politikani shqiptar Sabri Godo është i mendimit se aksidenti i ndodhur javën e kaluar në Himarë, në mënyrë të qëllimshme po vishet ngjyra politike dhe se reagimi i Athinës është paksa i ekzagjeruar. Godo i konsideron deklaratat e ditëve të fundit të bëra nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, tentativa për cenim të autoritetit territorial. “Kjo bën pjesë në një lloj strategjie të vjetër që duhet të ishte varrosur me kohë dhe që për çudi mbetet gjallë që të shpallet Himara minoritet dhe të trajtohet si e tillë. Madje shkohet edhe më tej: kërkohet që atje të vijë polici greke. Me fjalë të tjera, kërkohet aneksimi i këtij territori. Këtu kemi tentativën direkte për cenimin e territorit”, - tha Godo për Televizionin Alsat. “ǒpunë ka qeveria apo politika greke me konfliktin ndërmjet dy shtetasve shqiptarë dhe përse duhet të quhet minoritar ky himarjoti? Vetëm për faktin që flet greqisht? Ka shumë njerëz në Shqipëri që flasin greqisht pa qenë minoritarë. Ky kryetari i opozitës greke pyet nëse Shqipëria e ka vënë në dijeni Këshillin e Europës për këtë që ndodhi në Himarë, por pala greke a e ka vënë në dijeni Këshillin e Europës se atje kanë shkuar në hell një shqiptar dhe kanë përdorur mjete si të mesjetës?” - pyet politikani Sabri Godo.
Agjencia “ANA”: Vetëdorëzohet vrasësi i minoritarit
ATHINË - Agjencia shtetërore e lajmeve “ANA” njoftoi dje vetëdorëzimin e Ilir Mukës, i dyshuari kryesor për vrasjen e Aristotel Gumës. Ajo ka rimarrë gjithë ngjarjen e ndodhur të enjten në mbrëmje dhe reagimet në Shqipëri dhe Greqi për aksidentin fatal. Po ashtu, ka rimarrë edhe deklaratat e opozitës greke dhe zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku u kërkohet autoriteteve shqiptare që të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para Drejtësisë autorët e krimit. ANA ka trajtuar më mënyrë të veçantë edhe deklaratat e kryeministrit Berisha, i cili e konsideroi aktin barbar dhe i kërkoi Drejtësisë të thotë fjalën e saj. Po ashtu, mediat greke njoftuan dje se mbrëmjen e së hënës do të zhvillohej një protestë në Athinë në nderim të minoritarit të vdekur në aksident mbrëmjen e pesë ditëve më parë.
Deklarata kërcënuese e deputetit grek: “Tri kërkesat tona”
Deklarata kërcënuese e deputetit grek është dhënë për mediat e shtetit fqinj. Sipas Kumutsakos, qeveria shqiptare duhet ta regjistrojë dhe raportojë këtë ngjarje në raportin e ardhshëm të përparimit që do të dorëzojë në BE. Gjithashtu, deputeti grek ka vendosur dhe tri pika kryesore, duke kanalizuar në këtë mënyrë dhe procedurat që duhet të ndjekë shteti shqiptar në lidhje me këtë çështje.
George Kumutsakos ka kërkuar:
- Së pari, BE-ja duhet të kërkojë informim të plotë nga qeveria shqiptare për ngjarjen që është e papranueshme, duke theksuar nevojën për të arrestuar dhe të dënuar të akuzuarit sipas ligjeve në fuqi.
- Së dyti, qeveria shqiptare duhet të marrë masa që të mos ndodhin incidente të tilla që shkelin barazinë, si dhe të sigurojë të drejtat e pakicave. Kumutsakos ka deklaruar se kjo çështje do të ketë një ndikim veçanërisht negativ mbi perspektivën europiane të Shqipërisë.
- Së treti, kjo ngjarje është e papranueshme dhe do të regjistrohet me rëndësinë e duhur në Raportin e ardhshëm të Progresit të Shqipërisë drejt BE-së.
17 Gusht 2010