E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksodi japonez

Gjatë afatit kalimtar të janarit, Shinji Okazaki u bë futbollisti i gjashtë japonez që transferohet në Bundesligë nga vera e vitit të kaluar. Klubet gjermane kanë shënjestruar për përforcime talentet nga regjioni i Azisë Lindore. Ata kushtojnë shumë lirë, por ka edhe të atillë që vijnë pa kompensim. Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 12:46

Përforcimi i Stuttgartit, Shinji Okazaki është bërë eksporti më i ri i Japonisë në Gjermani, derisa klubet nga Bundesliga angazhojnë shumë prej talenteve nga shteti i Azisë Lindore për shumë pak para ose fare gratis.

Sulmuesi është japonezi i gjashtë që erdhi në Gjermani pas Kampionatit botëror në Afrikën e Jugut, duke konfirmuar jo vetëm statusin e Japonisë, por mohoi sugjerimet e vjetra se aziatikët nuk mund t’ia dalin në ligat evropiane.

Shinji Kagawa kaloi në Borussia Dortmund në korrik dhe shënoi tetë gola duke luajtur rol të rëndësishëm për ekipin që gjendet në krye të tabelës në Bundesligë. Atsuto Uchida, Kisho Yano, Tomoaki Makino dhe Hajime Hosogai tashmë kanë përcjellë hapat e Kagawës, 21 vjeç. Dortmund transferoi talentin Kagawa për vetëm 350 mijë euro.

“Klubet gjermane kanë mësuar se Japonia ka shumë talente të futbollit dhe ata nuk kushtojnë shtrenjtë”, shkroi magazina sportive japoneze Number. Stuttgart priti që kontrata e Okazakit me skuadrën nga J-League Shimizu S-Pulse të skadojë në fund të janarit para transferimit të tij.

Okazaki shënoi tri herë në fitoren e thellë të Japonisë ndaj Arabisë Saudite 5-0 në fazën e grupeve të Kupës së Azisë, muajin e kaluar. Ky ishte het-triku i tij i tretë për Samurajët e Kaltër. Ndërsa, Kagawa i Dortmundit në janar 2010 kishte vazhduar për një vit kontratën e tij me Cerezo Osaka, me kusht se do të lejohet të transferohet te ndonjë klub i huaj pa kompensim.

Yano kishte marrëveshje të ngjashme me Albirex Niigata, para kalimit në Freiburg. Shuma që pagoi Dortmundi për Kagawën ishte përshkruar nga mediet japoneze si “bakshish” për Cerezo Osakan për të ndihmuar zhvillimin e talenteve të tjerë.

Në Gjermani erdhi edhe mbrojtësi Makino, i cili shkoi në Koln si futbollist i lirë, ndërsa Hosogoi u transferua për asgjë nga Bayer Leverkuseni, pasi kontratat e tyre me skuadrat nga J-League kishin skaduar. Më herët, Wolfsburgu mori kapitenin e Japonisë Makoto Hasebe, përsëri për asgjë.

Në rastin e Uchidës, Schalke pagoi 150 milionë jenë (1.7 milion euro) për kompensim ndaj ish-klubit të tij, Kashima Antlers. Nëse klubet gjermane sot vendosin të shesin ndonjërin prej tyre, ata mund të presin përfitime dukshëm më të mëdha.

Vlera aktuale e Kagawës është më tepër se 11 milionë euro, por Atletico Madrid dhe Manchester United spekulohet se kanë ofruar edhe më tepër për shërbimet e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›