Shalli i rrezikshëm

Federata Botërore e Futbollit FIFA është duke konsideruar mundësinë të dënojë përdorimin e shallit termik që është bërë i famshëm te disa prej yjeve të Premierligës, për shkak të frikës se mund të sjell lëndime në qafë.
Një vendim i tillë do të dëshpëronte futbollistët si mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri dhe sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, të cilët rregullisht e përdorin atë gjatë sezonit dimëror në Angli.
“Ne duam të debatojmë rreth shallit dhe rreth asaj nëse është i rrezikshëm”, tha një zëdhënës i FIFA-s. “Mund të jetë çështje e sigurisë, nëse, për shembull një futbollist është duke vrapuar drejt golit dhe kundërshtari e kap për shalli, ajo mund ti shkaktojë rrezik për qafën e tij”, shtoi ai.
Çuditërisht, debati rreth shallit ka zgjuar reagime nga disa prej figurave më të rëndësishme të futbollit, sidomos në Angli.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson ka dënuar të gjithë futbollistët e tij për bartjen e shallit, madje edhe në stërvitje duke insistuar se nuk është artikull për “meshkuj të vërtetë”. Kapiteni i Djajve të Kuq, Rio Ferdinand konfirmoi se asnjëri prej futbollistëve të ekipit nuk do ta bartë shallin tani, e as në të ardhmen.
Ndërsa në Arsenal, që aktualisht zë pozitën e dytë në Premierligë dhe është rivali më i madh për titull i Manchester Unitedit, qasja është krejt tjetër. Menaxheri Arsene Wenger që nuk është i panjohur për inovacione në futboll, beson se shalli mund të ketë ndikim pozitiv në paraqitjet e futbollistëve të tij.
“Unë këshillohem nga stafi mjekësor. Kemi pasur disa futbollistë me probleme në qafë. Për këtë arsye kemi vendosur t’i bartin ato, sepse kemi pasur probleme”, tha Wenger për uebfaqen e Arsenalit. Si Nasri, ashtu edhe Marouane Chamakh filluan t’i bartin shallet pas këshillave nga stafi mjekësor i Arsenalit pasi kishin pasur probleme me fytin gjatë fazës fillestare të sezonit. Përdorimi i madh i shallit në Premierliga ka bërë që ai të jetë artikull mjaft i shitur edhe në popullsinë e përgjithshme, ku disa prej dyqaneve në Mbretërinë e Bashkuara kanë sjellë opsione të ndryshme të tij.