E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekipi me i madh i futbollit argjentinas River Plejt rrezikon renien nga kategoria

Gremina është fare pranë për klubin më të madh të futbollit në Argjentinë. River Plejt do të luajë sonte në mesnatë, finalen e dytë të plej autit ndaj Belgranos, pasi ndeshjen e parë e ka humbur 0-2 në fushën kundërshtare. Nëse nuk ia del të përmbysë këto shifra në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, River do të bjerë nga kategoria, për herë të parë në historinë e tij të shkëlqyer 110-vjeçare. Klubi ka numrin më të madh të titujve në kampionatin vendas, me plot 33 të tillë, ndaj 22 të rivalit të madh Boka Juniors, por kjo nuk e ka ndihmuar aspak në një sezon tepër të vështirë.

Presioni i kësaj ndeshjeve vendimtare shtohet pas kërcënimeve me jetë që kanë ardhur nga futbollistëve nga një pjesë e tifozëve, tepër të irrituar që ekipi është katandisur në këtë gjendje. Gjithsesi, ekziston edhe një numër i madh tifozësh që premtojnë besnikëri dhe mbështetje në momentin më të vështirë, të bindur se rezultati 0-2 mund të përmbyset.

Policia argjentinase është vënë në alarm dhe gatishmëri absolute dhe për ndeshjen problematike do të jenë në dispozicion 2 500 efektiva të saj. Nuk janë masa të ekzagjeruara, pasi skuadra bardhekuqe dhe drejtuesit e saj janë fshehur që pas humbjes ndaj Belgranos, ndërsa lojtarët e kanë kaluar natën në stadium, duke pasur frikë se nuk do të jetë e mundur të hyjnë në të përpara ndeshjes.

Rënia nga kategoria e River Plejtit është bërë çështje kombëtare në Argjentinë, ku nuk kanë munguar deklaratat e politikanëve, madje edhe të historianëve. Por një legjendë si Diego Armando Maradona, ylli i rivalëve të Bokës, është në mbështetje: Është e trishtueshme kjo që po ndodh, nuk e dua Riverin në kategorinë e dytë dhe shpresoj që të shpëtojë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›