E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekleston: 8 pilotë për titullin. Hemilton: Niko më mirë se Shumi

Formula 1

Berni Ekleston, bosi i Formula 1 dhe Luis Hemilton, kampioni i botës në vitin 2008, kanë dhënë një intervistë dyshe për “Formula1.com” përpara çmimit të Madh të Melburnit. Temat kryesore për të cilat ata diskutuan ishin Mikael Shumaker dhe lufta për titullin në Botërorin 2010. Piloti i MekLarenit nuk i ka kursyer “shigjetimet” për legjendën e këtij sporti, gjermanin 7 herë kampion të botës në F.1. “Disa njerëz nuk e njohin plakjen, si Berni apo Mikael”, deklaroi britaniku. “Nuk duhet të harrojmë se gjermani është shtatë herë kampion, pavarësisht se në Bahrein nuk u paraqit në nivelin më të mirë. Megjithatë, Niko Rosberg ishte gjatë gjithë asaj fundjave më i shpejtë se Shumaker. Kjo ishte lehtësisht e dallueshme gjatë kualifikueseve, kur makinat nuk kanë diferencë në peshën e karburantit, por bëhet fjalë vetëm për shpejtësi”. Në mbrojtje të 41-vjeçarit Shumaker ka dalë Ekleston: “Sa më i ngadaltë ishte Mikael? Tre të dhjetat? Kjo nuk është një diferencë e madhe. Rikthimi i Shumakerit është një ngjarje e jashtëzakonshme për sportin e Formula 1. Por, edhe sezoni i parë i Hemilton, që debutoi menjëherë pas tërheqjes së Shumit, ishte po kaq i bukur. Me betejën kundër Alonsos, Luis bëri që tifozët ta harronin boshllëkun e lënë nga Mikael”. Ndërkohë, shefi ekzekutiv i F1 po shijon pasigurinë që shoqëron luftën për titull. “Nuk besoj se kam parë një grup pilotësh më të mirë se ky që garon në këtë sezon, tha 79-vjeçari. Tetë pilotë janë kandidatë për t’u shpallur kampionë, sigurisht që nuk do të përsëriten duelet e viteve të kaluara, kur luftonin vetëm dy pilotë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›