Të zhdukura telefonatat e Moratit
Procesi i Moxhit dhe në përgjithësi i të gjithë protagonistëve të “Calciopoli”-t italian, që po zhvillohet në Gjykatën e Napolit, ditë pas dite po bëhet gjithnjë edhe më i nxituar dhe po vë në dyshim të gjitha të vërtetat e mundshme, që në 2006-n, ndoshta nga nguti i tepërt, janë justifikuar kualifikimet e rënda të Juventusit në radhë të parë, por edhe të Milanit, Fiorentinës dhe Lacios. Në këtë sens kanë qenë të rëndësishme deklaratat e bëra të ditura të martën në seancën e nëntë të Gjykatës napolitane nga Aurelio Aurikio, nënkoloneli i karabinierisë, që në epokën e fakteve u përfshi në hetimet mbi futbollin italian. Në veçanti, i bombarduar nga pyetjet e akuzës publike, mbi të gjitha nga avokati Prioreski, mbrojtësi i Luçiano Moxhit, Aurikio, nuk ka ditur të japë shpjegime në lidhje me telefonatat e bëra mes ish-shefit të gjyqtarëve Bergamo, Moratit dhe Faketit. Nënkoloneli është mbrojtur, duke deklaruar se të gjitha telefonatat e përgjuara janë raportuar menjëherë dhe ato të paraportuarat janë lënë mënjanë, por është evidente, që në sistem ka pasur një krisje. Mbrojtja e Moxhit ka nënvizuar se si, në një përgjim që daton më 14.30 të 5 janarit 2005, Bergamo dhe sekretarja e tij, Maria Gracia Faci, bisedojnë pikërisht për telefonatat e bëra mes shefit të gjyqtarëve dhe presidentit të Interit, në të cilën flitej rreth një darke të organizuar me Faketin për të folur për problematikat e gjykimit. Gjithnjë sipas Facit, në 29 marsin e ardhshëm të 2005-s, Bergamo, i përgjuar, tregon bisedat e mëtejshme me padronin zikaltër. Por telefonata, për të cilat nuk ka gjurmë, për mungesën e të cilave Aurikio nuk ka ditur të japë shpjegime. Nënkoloneli, nën presionin e avokatit Prioreski, ka pranuar që, pavarësisht telefonatave të Bergamos, të gjitha të përgjuara, është e mundshme që ndonjë gjë të ketë shpëtuar. Në këtë pikë është logjike të dyshojmë se hetimet nuk janë zhvilluar, me vullnet apo për neglizhencë, në të gjitha drejtimet, por kanë goditur vetëm njërën anë të medaljes, anën më të ekspozuar, pra Juventusin. Sipas fjalëve të Aurikios, që si akuzues i shquar i Luçiano Moxhit rrezikon të bëhet mbrojtësi i tij më i madh, kanë dalë edhe të vërteta të tjera. Përfaqësuesi i forcave të rendit në fakt ka pranuar se rezultatet e përgjimeve nuk ishin krahasuar direkt në fushë, por thjesht hetuesit limitoheshin të lexonin kronikat e ndeshjeve dhe tabelat e gazetave për të verifikuar saktësinë e fjalëve të marra nga bashkëbiseduesit telefonikë. Në praktikë, asnjë agjent nuk dërgohej në stadiume për të studiuar më mirë situatat e dyshuara, por që kënaqeshin me komentet gazetareske për të vërtetuar ose jo përgjimet. Një metodë pune që të lë të shokuar dhe që nuk mundet të bazohet në artikujt e gazetave. Në fund, gjithnjë të martën, gjatë audiencës, ka dalë në pah miqësia mes Aurikios dhe ish-drejtorit të përgjithshëm të Romës dhe aktualisht bashkëpunëtorit të Fabio Kapelos, Franko Baldini. Aurikio ka mohuar që në atë kohë t’ia ketë bërë të ditur Baldinit faktet mbi “Calciopoli”-n. Siç ka bërë të ditur avokati i Moxhit, përtej të tjerave, në tetor të 2004-s, pikërisht ish-drejtuesi i verdhekuqve kishte telefonuar Antonelin, ish-administratorin e Torinos, për ta njoftuar se koloneli Aurikio po zhvillonte një hetim mbi futbollin. Ky i fundit e kishte takuar më vonë personalisht Antonelin.
#