E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia i kthen Ministrisë së Mbrojtjes dosjen Partizani

Nga ILIR CARA

Ministria e Ekonomisë ia kthen mbrapsht dosjen dikasterit të mbrojtjes për të bërë disa plotësime, por edhe për ta regjistruar vetë në QKR

Partizani i sezonit 2011-2012 ka nisur si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila me mënyra të ndryshme është munduar ta mbajë skuadrën me synimin që në fund të edicionit të kuqtë të ngjiten nga kategoria e dytë në të parën. Ishte thënë se ministria nuk do ta mbante gjatë, madje ishte planifikuar që fundi i janarit apo fillimi i shkurtit ta gjente Partizanin me pronar të ri.

Për të përmbushur këtë mision Ministria e Mbrojtjes para disa ditësh plotësoi dosjen për regjistrimin e shoqërisë së re aksionare, dosje të cilën dikasteri i mbrojtjes ia kaloi Ministrisë së Ekonomisë. Lajmin në fjalë e pohoi Mentor Beqja, këshilltari i Ministrit të Mbrojtjes.

U tha se do të ishte Ministria e Ekonomisë ajo që do të bënte regjistrimin e shoqërisë së re aksionare në QKR dhe më pas kjo ministri do të hapte ankandin për shitjen e Partizanit. Ndonëse kanë kaluar ditë, kjo procedurë regjistrimi nuk është kryer.

Nga burime pranë Ministrisë së Ekonomisë mësohet se dosja Partizani i është kthyer sërish mbrojtjes, ku pas verifikimeve të dokumentacioneve është vënë re se kishte disa mungesa, që duhet të plotësoheshin.

Gjithashtu, bëhet e ditur se pas plotësimit të dosjes me dokumentacionin e munguar, Ministria e Mbrojtjes mund ta bëjë edhe vetë regjistrimin e shoqërisë së re në QKR, pa pasur nevojë që dosja të përcillet edhe një herë tek Ekonomia. Dihet se ka interesim për të investuar te Partizani, madje një kompani amerikane pret vetëm momentin, që klubi do të dalë në shitje për të nisur procedurën e blerjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›