E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peçi: Shtyrja e drejtë, sluhet në këto kushte

Nga Kristi Lilo

Drejtuesit e Gramozit po përpiqen të sigurojnë financat për ta shpërngulur ekipin në ndonjë qytet tjetër

Dimri i sivjetshëm ka sjellë shumë probleme për Gramozin, që është detyruar ti zhvillojë përgatitjet në kushte tepër të vështira. Prej një kohe të gjatë seancat stërvitore po bëhen mbi dëborë dhe në temperatura -10 gradë, aspak të përshtatshme për një ekip futbolli. Futbollistët dhe stafi teknik po e vuajnë shumë këtë situatë, për shkak të së cilës u shty edhe ndeshja me Besën.

Megjithatë, askush nuk e ka nënvlerësuar stërvitjen për asnjë moment. Stafi drejtues ka zhvilluar një takim me gjithë futbollistët, ku i ka falënderuar për sakrificën e madhe që po bëjnë këto kohë. Për situatën që po kalon Gramozi, mbrojtësi me shumë përvojë, Visi Peçi, u shpreh: Më vjen keq që nuk luajtëm me Besën, pasi ishim përgatitur për ta kaluar me sukses, por, duke parë kushtet atmosferike dhe reshjet e shumta, më duket normale shtyrja. Pavarësisht të ftohtit dhe borës, nuk e kemi ndërprerë për asnjë punën tonë.

Mund të them se për fazën e dytë kemi një grup më të fortë dhe kam besim se Gramozi do të bindë me rezultate. Kuptohet që kemi pasur shumë vështirësi, sidomos nga fakti që nuk arritëm të zhvillonim asnjë takim miqësor. Do të thosha se stafi teknik është përpjekur shumë gjatë kësaj periudhe, që Gramozi të jetë në gjendjen më të mirë për fazën e dytë.

Kemi plot dy muaj pa ndeshje, por mendoj se ky është një vendim i drejtë nga FSHF-ja, pasi në këto kushte nuk mund të luhet futboll. Kushtet atmosferike kanë vënë në lëvizje drejtuesit e klubit për ta shpërngulur ekipin drejt një qyteti tjetër, ku klima është më e favorshme, por për këtë duhen siguruar më parë financat, që të paktën për 10 ditë ekipi të largohet nga Erseka dhe të ketë mundësi të luajë ndonjë takim miqësor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›