E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia me dinamizëm të admirueshëm, në 9 muaj eksportet u rritën 320 milionë dollarë

03-11-2011 / Gazeta 55

Qeveria miraton kuadrin makroekonomik e fiskal 2012-2014

Kryeministri Berisha prezantoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dokumentin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2012 – 2014. Duke paraqitur kuadrin makroekonomik e fiskal 2012-2014, kryeministri Berisha bëri një prezantim të përmbledhur të performancës ekonomike të vendit për periudhën 9 mujore, të këtij viti. Kryeministri tha se ekonomia shqiptare ka “një dinamizëm të admirueshëm” dhe “të dhënat janë inkurajuese”, një vlerësim ky i bazuar në rritjen e disa treguesve ekonomikë. Rritja e eksporteve me 320 milionë dollarë në 9 muaj, veçanërisht e eksportet e mallrave “Made in Albania” me 27 për qind, rritja e investimeve, rritja e lirisë ekonomike me 16 për qind, sipas raporteve serioze ndërkombëtare, përmirësimi i përvitshëm i konkurrueshmërisë, qëndrueshmëria e monedhës shqiptare, rritja e lëvizshmërisë së mallrave brenda vendit dhe rregullave lehtësuese jashtë tij janë disa nga treguesit themelorë që, theksoi kryeministrit, dëshmojnë se ekonomia shqiptare funksionon.
Sipas kryeministrit, rritja e eksporteve shqiptare, në kulmin e krizës së borxheve në Europë, shkon paralel me rritjen më të madhe të investimeve të huaja në historinë e vendit, investime që vitin e kaluar, pavarësisht nga kriza europiane dhe botërore, shënuan në Shqipëri, rritjen më të madhe në tërë rajonin, ose Shqipëria, vendi i vetëm me rritje të investimeve në tërë rajonin.
“Dhe paralel me të është edhe rritja e madhe e eksporteve të vendit, rritje që tregon se ekonomia shqiptare në garën rajonale dhe botërore po funksionon e po garon gjithnjë e më mirë. Në këtë rritje, në mënyrë të padiskutueshme, një rol shumë të madh kanë krijimi i kushteve për lëvizjen e lirë të mallrave brenda vendit dhe rregullave lehtësuese jashtë vendit. Në të katër anët e vendit, ne po ndërtojmë një infrastrukturë moderne. Të gjithë, kur lëvizin sot nëpër këto rrugë, shohin makina e njerëz që qarkullojnë, por harrojnë se ato janë arteriet e qarkullimit të energjisë më të fuqishme të kësaj toke, që është energjia e tregut. Dhe pikërisht në këtë faktor qëndron një nga arsyet madhore pse ekonomia e një vendi të vogël, pse monedha e një vendi të vogël, siç është Leku, po tregohet Lek i vërtetë, po dyfishohet gjithnjë e më shumë respekti e besimi për të, sikundër edhe besimi tek Shqipëria. Investime janë para së gjithash e mbi të gjitha, banka besimi”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›