“Ekonomia ndodhet e zbuluar përballë krizës globale dhe rajonale”
Flet Bardhi Sejdarasi, gazetar dhe analist i çështjeve ekonomike në vendin tonë
Ekonomia shqiptare ndodhet “lakuriq” përballë krizës financiare globale dhe rajonale. Ky është mendimi i shprehur nga gazetari i njohur i çështjeve ekonomike, Bardhi Sejdarasi. Në forumin e organizuar nga “Albania” ai ka komentuar pasojat e krizës, rolin e qeverisë dhe pasojat e saj mbi qytetarët apo sipërmarrësit.
A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike? A parashikoni që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion?
Duke u nisur nga treguesit e deklaruar ekonomikë, nuk mund të pranohet që Shqipëria ndodhet në krizë ekonomike. Treguesit kryesorë makroekonomikë, stabiliteti financiar dhe ai monetar, niveli i depozitave dhe kredidhënia për ekonominë dhe biznesin, apo edhe tregues të tjerë, si treguesi i shitjes, inflacioni, niveli i grumbullimit të të hyrave fiskale për tre muajt e fundit të vitit 2008 dhe disa indekse të janarit, nuk të japin të kuptosh se ekonomia ndodhet në krizë.
Por, ekonomia ndodhet e “zbuluar” përballë krizës globale dhe rajonale. Shenjat e para janë një tkurrje në kredidhënie nga bankat e nivelit të dytë; një zhvlerësim i monedhës shqiptare, që jep efekte jo vetëm në transaksionet valutore, por edhe në importe të ulura dhe më të shtrenjta; tendenca në rënie e eksporteve, jo vetëm e atyre tradicionale, si veshjet dhe këpucët, por edhe e metaleve me ngjyra dhe mineraleve (viti 2008 u mbyll me 13% më pak eksporte të tilla), të bëjnë të mendosh se sinjalet e para të krizës po bëhen të pranishme edhe në ekonominë shqiptare. Recesioni, sigurisht, që është një gjë ende e pakonceptueshme për një ekonomi si e jona, e mbyllur, pak e ekspozuar ndaj tregut të jashtëm.
Si i vlerësoni masat e marra nga qeveria?
Nuk shoh ndonjë masë të marrë nga qeveria. Ajo që vlerësohet, hë për hë, është lirimi i bankave të nivelit të dytë nga presioni i borxhit qeveritar për investime publike. Qeveria ka nënshkruar, madje është duke bërë eficente një kredi prej rreth 300 milionë eurosh, që do të përdoret për infrastrukturën. Kjo u lejon bankave të nivelit të dytë të mendojnë më shumë për të kredituar biznesin vendas dhe ekonominë në tërësi. Por bankat, nga ana e tyre, vijojnë të mbeten të ngurta, për shkak të asaj krize që tashmë është evidente dhe që nuk ka lidhje me tregun tonë financiar. “Frika” nga humbjet që vijnë prej kredive “toksike” i ka bërë bankat të jenë më shumë se “hermetike” gjë që do të dëmtojë ekonominë në tërësi, por sidomos biznesin, i cili ka nevojë për kapital të lirë.
Qeveria duhet të planifikojë një program emergjence, jo vetëm financiar. Ajo duhet të marrë në konsideratë shenjat e rënies së eksporteve, reduktimin e numrit të punonjësve, madje edhe mbylljen e një sërë ndërmarrjesh të sektorit fasonist. Tregues të përkeqësuar ka dhe në peshkim e në ndërtim, sektorë që japin ndikim mjaft të ndjeshëm në treguesit e përgjithshëm të ekonomisë.
Cilat do të jenë pasojat e krizës ekonomike mbi biznesin dhe individët?
Pasojat kanë filluar të ndjehen; sidomos mbi atë biznes që punon me material porositësi dhe që lidhet drejtpërdrejt me tregje të prekura nga kriza ekonomike dhe financiare si Italia, Greqia, Gjermania etj. Jo vetëm për tremujorin e fundit të vitit të kaluar (shifrat e të cilit tashmë njihen), por edhe për muajin e parë të vitit 2009, eksportet kanë rënë, kontratat e lidhura me partnerë të huaj janë minimale, numri i të punësuarve është reduktuar dhe kompanitë kanë shfaqur shenjat e paaftësisë paguese.
Mbi individët, efektin më negativ (nëse do të vijojë të jetë i tillë edhe në muajin shkurt) do ta japë kursi i këmbimit të monedhës vendase me euron dhe dollarin. Mbi 70% e kredive në bankat e nivelit të dytë janë në valuta të huaja dhe vetëm 22% është në monedhën shqiptare. Kjo do të thotë se ka një shtrenjtim të kredive për efekt të kursit të këmbimit dhe shqiptarët e kredituar do të paguajnë më shumë lekë sesa më parë. Zhvlerësimi i lekut do të sjellë importe më të shtrenjta dhe, për rrjedhojë, do të rrisë inflacionin. Një inflacion i rritur i prek, pa përjashtim, të gjithë, ata me paga të larta dhe të ulëta, pavarësisht se ndikimi nuk do të jetë i njëjtë. Treguesit e shitjes kanë filluar të bien, ndërtimi ka oferta më të lira se një muaj më parë, ndërsa nuk duket se ka tregues në rritje të shitjes së shtëpive të banimit dhe të rezidencave. Rritja e çmimit të karburanteve, si pasojë e rritjes së çmimit të akcizës, do të ndikojë në ekonomi me çmime më të rritura të shërbimeve, sidomos në ato industri që përdorin këtë lëndë të parë. Qeveria duhet dhe kjo është emergjente të gjejë rrugët për të ndërhyrë në ekonomi, jo sikundër kanë bërë shtete të tilla si Gjermania, së fundi edhe Italia, por duke marrë masa parandaluese për mosthellimin e treguesve të krizës, që edhe pse janë në fazën embrionale, përsëri janë të rrezikshëm. Mbetet të ofrohen lehtësi fiskale për biznese që kanë filluar të preken nga kriza dhe këto lehtësi të jenë të përkohshme. Mbetet gjithashtu të gjykohet edhe për faljen apo shtyrjen e detyrimeve që kanë një sërë biznesesh ndaj organeve të fiskut, ndërsa nuk ka asnjë argument për të lejuar një amnisti fiskale, sikundër ka kërkuar një grupim i vogël i biznesit. Kjo do të sillte pabarazi në treg dhe do të deformonte konkurrencën e lirë dhe barazinë para ligjit.
10 Shkurt 2009