E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare dhe leksioni i munguar



Albert Gjoka

Ndonëse ekspertët më të mirë të çështjeve ekonomike janë shprehur se “kriza financiare ka prekur çdo rrugicë të globit”, në vendin tonë është krijuar ideja se “cunami nuk na prek ne”; një ide e tillë është krijuar jo vetëm te politikëbërësit, apo te qeveria, por deri diku edhe te specialistët. Gjithçka justifikohet me argumentin se ekonomia shqiptare nuk ka një shkallë të lartë integrimi në ekonominë botërore, dhe për këtë arsye, pasojat e kësaj krize mbi sistemin ekonomiko-financiar të vendit tonë janë shumë të vogla. Nivelet më të larta të qeverisë, të Bankës Qendrore apo dhe të politikës argumentojnë se më të prekur janë ata që prodhuan “mbetjet toksike” të krizës, dhe askush nuk jep parashikime të qarta për të ardhmen apo propozime për një paketë masash që duhet të marrë qeveria, Banka Qendrore apo autoritete të tjera të mbikëqyrjes së tregjeve, në kushtet specifike të Shqipërisë. Edhe ligji i buxheti i shtetit për vitin 2009 kaloi pa pasur një diskutim publik për modifikimet e tij gjatë vitit të krizës; nuk pati asnjë zë të veçantë për kostot që kërkohen apo për shpenzimet shtesë; nuk pati asnjë propozim konkret se cilat shtresa të shoqërisë apo sipërmarrjes duhet të mbështeten. Edhe grupet e prekura drejtpërdrejt nga kriza nuk kanë ushtruar presion të hapur ndaj qeverisë apo strukturave shtetërore; nuk kanë kërkuar dialog apo nuk kanë propozuar paketë masash për mbrojtjen e tyre. Tashmë efektet e para po ndihen tek industria fasone, e cila ka të punësuar mbi 120 mijë shqiptarë; industria e mineraleve, pasi janë ulur në mënyrë të ndjeshme eksportet apo dhe tkurrja e paketave të investimit nga sipërmarrësit e huaj. Dihet vetëm një gjë: qeveria po merr borxhe tek institucionet financiare ndërkombëtare, pasi i ka varfëruar bankat vendase me kreditë që ka marrë gjatë dy viteve të fundit. Lançimi i kësaj strategjie nga Ministria e Financave, me idenë se kjo rrugë e ndjekur nga shteti për të rritur investimet publike është një nga masat antikrizë, duket pak e besueshme, pasi shumica e parave të hedhura në qarkullim del sërish jashtë vendit.
Në këto kushte ndodhemi si në fabulën e deles që nuk ndihej e frikësuar deri në momentin që ujku kishte ngrënë gjithë kopenë dhe kur i erdhi radha asaj, nuk e besonte se gjendej në gojën e tij.
Përderisa kriza financiare ka pushtuar ekranet dhe faqet e gazetave të të gjithë botës, meqenëse në vendin tonë ende nuk ka një debat për pasojat e krizës, apo një transparencë nga qeveria për rrezikun dhe masat e marra; gazeta mendoi të hapë një rubrikë për të kontribuar sapo pak në “leksionin e munguar”; për të gjallëruar urën e komunikimit mes vendimmarrësve, politikëbërësve, ekspertëve të çështjeve ekonomike, nga njëra anë dhe publikut, në anën tjetër.

Albania hap debatin
Forumi – “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”

Duke filluar nga ky numër, gazeta “Albania” hap forumin me temë “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”. Me këtë rast, organizatorët e debatit ftojnë të marrin pjesë në diskutime ekspertët e çështjeve ekonomike, profesorët e fakulteteve ekonomike në universitetet publike dhe private, analistët, aktivistët nëpër organizata joqeveritare që merren me zhvillimet ekonomike, si dhe politikanët apo zyrtarët të përfshirë në politikat ekonomike të vendit. Për çdo koment, ide apo sugjerim, ju mund të na shkruani në adresën e e-mail-it: albertgjoka@yahoo.com, ose na telefononi në nr. tel. 00355 42229243

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›