Gjonçaj shkresë pa mbledhur KZP
adi shkembi
Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS, Genc Gjonçaj, u kërkon sekretarëve të rretheve listën e anëtarësisë dhe të komisionerëve lokalë. Dy ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të socialistëve, Gjonçaj i ka nisur një shkresë zyrtare sekretarëve socialistë në rrethe, ku i kërkon të dhëna për listën e anëtarësisë së PS-së, e cila do të marrë pjesë në zgjedhjen e kryetarit të PS-së që pritet të bëhen brenda muajit shtator. Gjithashtu në të njëjtën shkresë, kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS kërkon dhe emrat e komisionerëve që do të marrin pjesë në procesin e votimit. Kjo kërkesë është nisur nga vetë kryetari i këtij komisioni, pa zhvilluar më parë një mbledhje të këtij komisioni për të vendosur nisjen e procedurave për zhvillimin e zgjedhjeve në parti. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor në PS përcakton nisjen e shkresave të tilla pas mbledhjes së Komisionit Zgjedhor, kur fillon nga puna me përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Në përbërje të këtij komisioni janë Mirela Roshi, e cila është nënkryetare e komisionit, Bledar Doracaj, Vladimir Konomi, Fatmir Muçaj dhe Eno Bushi. Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, kur u përcaktua dhe rendi i ditës së Kongresit të jashtëzakonshëm, u duk qartë se kryetari aktual Edi Rama do të rikandidojë për të qenë sërish në krye të PS-së dhe pas humbjes së zgjedhjeve dhe ndërprerjes së mandatit. Kjo bëri që të nisnin menjëherë procedurat për përgatitjen e procesit zgjedhor, i cili do të jetë përmes parimit “një anëtar, një votë”. Mësohet se kryetari i Komisionit Zgjedhor në parti, juristi i njohur, Genc Gjonçaj, i cili përfaqësoi PS-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të 28 qershorit, është i punësuar në Bashkinë e Tiranës. Ky fakt e komprometon drejtimin e Komisionit Zgjedhor në PS, për shkak se drejtuesi i institucionit ku ai është i punësuar, Edi Rama, do të rikandidojë për postin e kryetarit të PS-së dhe Gjonçaj do të administrojë të gjithë procesin e votimit, që nga lista e anëtarësisë e deri te komisionerët që do të administrojnë dhe numërojnë votat. Si përfaqësues i PS-së në KQZ, në emër të kësaj partie, Gjonçaj ka denoncuar disa herë shkresat që kryetari aktual Arben Ristani i niste komisioneve lokale, KZAZ-ve, pa marrë më parë pëlqimin, apo të diskutonte me nënkryetaren e këtij komisioni, Dëshira Subashi. Të njëjtat procedura, në shkelje të hapur me Kodin Zgjedhor të PS-së, po ndërmerren edhe në prag zgjedhjeve që do të bëhen në PS për kreun e kësaj partie, ndërkohë që një diskutim i gjerë është hapur për pamundësinë statutore dhe morale të rikandidimit të Edi Ramës për postin e kryetarit të PS-së. Ndërkaq mësohet se kandidatët për kreun socialist që pritet të shpallen në kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së në 29 gusht, do të kërkojnë standarde të larta zgjedhore në këtë proces, të tilla që PS-ja kërkoi në zgjedhjet parlamentare. Në zgjedhjet e kaluara në PS, në vitin 2007, për kreun e partisë në nivel qendror dhe atë lokal, por dhe për delegatët e kongresit të PS-së, u denoncuan struktura të larta të PS-së në Tiranë, të cilat lejuan numërimin e votave për delegatët e kongresit në zyrat e selisë rozë dhe jo në një ambient publik dhe transparent për anëtarësinë që kishte votuar. Ky veprim solli skualifikimin nga statusi i delegatit të kongresit të PS-së të shumë figurave të njohura në forumet qendrore të PS-së së Tiranës, të cilët në mënyrë subjektive nuk u shpallën fitues në këtë votim. Ndërkohë në një shkresë të dytë, u jepen udhëzime dhe afate kohore të gjitha strukturave të PS-së në bazë, nga niveli i rrethit e deri tek ai i komunës dhe bashkisë, për verifikimin e listës së anëtarësisë së partisë, por dhe të komisionerëve lokalë, të cilët duhet të jenë kryesisht të rinj dhe me arsim të lartë.
reagimet
Mëhilli: PS trillon, Edi Rama është Mr.Kriza
Partia Demokratike i cilëson si të pavërteta deklaratat e Partisë Socialiste se vendi është zhytur në një krizë ekonomike. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli deklaroi se, “kryetari mandat prerë i PS-së, krizën e Partisë së tij dhe krizën personale u përpoq ta shprehë sot me zëdhënësit e tij si një krizë të përgjithshme ekonomike”. “Ky është një nga trillimet më bajate të këtij humbësi të madh, pra të z. Rama, i cili nga nëntori i vitit të kaluar e gjeri sot nuk flet për gjë tjetër përveçse për krizë ekonomike në Shqipëri. Lidhur me pretendimet e sotme i bëjmë me dije kryetarit mandatprerë: Se prokurimet publike në 6-mujorin e dytë të vitit jo vetëm që nuk janë ndërprerë, por vetëm gjatë muajit korrik dhe fillimit të gushtit janë tenderuar ndërtimi dhe rindërtimi i 316 shkollave në mbarë vendin. Shqipëria nuk është në krizë ekonomike. Në krizë të thellë shpirtërore dhe politike është z.Rama për humbjen e mandatit të tij”, tha Mëhilli. Ajo shtoi se, “si përfundim i themi Mr. Krizës se Shqipëria me gjithë dëshirën tënde të madhe ka lënë krizën vetëm në shpirtin e psikologjinë tënde”.
Kodheli: Në krizë nga një grusht njerëzish
Partia Socialiste i kërkoi ministrit të Financave, Ridvan Bode, të bëjë transparencën në lidhje me arsyet e vendimit për të mos kryer tenderimet e këtij gjashtëmujori. Anëtarja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, në një deklaratë për median tha se, “i kërkojmë këtij ministri të na përgjigjet: Pse nuk i paguan qeveria e tij firmat e ndërtimit të rrugëve prej muajsh? Pse po zhvleftësohet leku për herë të parë në historinë e këtyre 18 vjetëve në periudhën kulmore të fluksit të ardhjes së emigrantëve e turistëve?” “Pse anuloi të gjitha prokurimet publike për gjashtëmujorin e dytë dhe pse u boshatis arka e shtetit të shqiptarëve me shpenzimet për fushatë elektorale?”, tha Kodheli. Deputetja e PS-së shtoi se, “pushteti i korruptuar dhe korruptues që me votat e grabitura të 28 qershorit do t’i japë jetë së shpejti qeverisë së fundit të politikës së vjetër, po e zhyt Shqipërinë drejt një krize të jashtëzakonshme vetëm për hir të interesave e të përfitimeve të një grushti njerëzish, të cilët për pushtetin janë gati të bëjnë edhe martesa si ajo e Sali Berishës me Ilir Metën”.