Mirdita përkujton martirët e masakrës enveriste të 17 gushtit

Në 60 vjetorin e pushkatimit të 14 mirditorëve, sipas urdhrit politik të diktatorit Hoxha, shqiptarët kanë nderuar ata që i rezistuan komunizmit, duke u shndërruar në ashtin e lëvizjes antidiktatoriale.
Topalli: Falja që shfaqën mirditorët, pas vitit 1990, një ndjenjë fisnike dhe e jashtëzakonshme
TIRANE – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë dje në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar me rastin e 60-vjetorit të masakrës së 17 gushtit të vitit 1949, e njohur si Masakra e Qafë-Valmirit. Pas vrasjes së Bardhok Bibës, me urdhër të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës regjimi ndërmori një fushatë terrori në Mirditë, duke synuar të godiste m’u në asht lëvizjen antikomuniste në Shqipëri. Kështu, menjëherë pas vrasjes së 7 gushtit, u arrestuan pa asnjë hetime e pa asnjë provë mbi 30 veta, duke dënuar gjithashtu pa gjyq me vdekje 14 veta (nga këta 4 veta me varje), dhe diferencën me burgime të zgjatura deri në 25 vjet e deri burgim të përjetshëm, ndërsa u internuan gra e fëmij, pleq e plaka rreth 300 frymë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe deputetët e qarkut të Mirditës, Edi Paloka dhe Mark Marku, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave dhe të Institutit të të Përndjekurve Politikë, e të tjerë.
Kryetarja Topalli shprehu respektin dhe mirënjohjen e saj për të gjithë burrat e gratë e Mirditës të cilët u vranë nga regjimi komunist për shkak të vendosmërisë së tyre në besimin tek liria.
Ja edhe fjala e plotë e kryeparlamentares Topalli në ceremoninë e djeshme.
“Dua të falënderoj dhe të përgëzoj organizatorët e këtij takimi, të një date shumë të veçantë, të një përvjetori shumë domethënës siç është 60-vjetori i 17 gushtit të vitit 1949 kur u krye një nga masakrat më të egra, më terroriste. Mendoj se ky përvjetor duhet të qëndrojë në një reflektim të thellë, në një memorie të fortë, në një rreze të gjatë edhe për të ardhmen. Dua të përshëndes familjarët e të pushkatuarve, e të varurve, fëmijët e tyre. Disa prej tyre ishin 22 vjeç, maksimumi 30-40 vjeç. Unë e di që ju ishit rreth një vjeç apo tre vjeç dhe nuk mjaftoi që t’i varej babai, nuk mjaftoi që t’i pushkatohej babai, por duhet të merreshin edhe këta fëmijë, të porsalindur, të çoheshin në internimin më të largët dhe më të egër për një kohë shumë të gjatë. Unë e kujtoj, kam qenë e vogël kur në familjen time më tregonin për vrasjen e Mark Gjonmarkajt. Por, nuk ishte vetëm vrasja, pasvrasja ishte më e egër, më e tmerrshme, më e pashpirt.
Natyrisht këto janë gjëra të fiksohen dhe të mbeten për të gjithë jetën dhe në momente të caktuara të bën të ndalesh dhe të meditosh.
Unë gjithmonë kam vlerësuar një edukatë të fortë, një vlerë të madhe: forcën për të falur. Është gjëja më e madhe. I fortë dhe me kurajo është ai që fal dhe që s’mendon kurrë për diçka tjetër dhe ju e keni bërë këtë më shumë se gjithkush tjetër me një fisnikëri të paparë, me një forcë dhe kurajo të jashtëzakonshme. Kjo është gjëja më e mirë.
Nuk ka qenë rastësi që vëmendja, terrori, dhuna më e madhe është ushtruar në Mirditë. Ishte zona që qëndroi më fort, më gjatë dhe ndaj së cilës regjimi nuk mundi të gjente zgjidhje tjetër, por veçse të provonte më ekstremen, t’i përçante njerëzit, ta përçante krahinën dhe të tentonte t’i vendoste njërin kundër tjetrit.
Ajo që treguan parafolësit, por edhe ndarja e territorit, tregon vetëm për një mendje monstruoze.
Jam krejt dakord me parafolësit kur thonë se sistemi dhe diktatori kërkonte kufomën, kërkonte të vdekurin, kërkonte të vrarin për të bërë më pas politikën e tij. Po të vëreni janë metoda që përsëriten. Natyrisht jo në atë formë, pasi liria nuk jep më mundësitë.
Unë dua t’ju shpreh mirënjohjen dhe respektin më të madh për forcën, për mençurinë, për zgjuarsinë e kësaj krahine, të grave dhe burrave të saj. Në mënyrë të veçantë të shpreh respektin për të gjithë familjarët e atyre që u vranë, u pushkatuan, u internuan, u burgosën, u dëbuan; atyre që në shumë raste nuk kanë njohur prindërit e tyre; atyre që gjatë 50 viteve nuk gjetën kurrë një mundësi, një shans. Megjithatë, brenda gjithë kësaj kategorie kishte një krenari të madhe për qëndresën e babait, qëndresën e familjarëve. Nuk kishte rast që ta kem ndjerë veten jo mirë, përkundrazi kisha një forcë të madhe për të ecur përpara, për të thënë: “edhe pse më ke bërë padrejtësinë më të madhe unë do vazhdoj të punoj, do vazhdoj të jem e drejtë, do vazhdoj të besoj te zoti, do vazhdoj të besoj te vlerat e familjes, do vazhdoj të besoj te liria. Sot ne ndihemi më krenarë se kurrë, në një Shqipëri që po ecën përpara, po zhvillohet ekonomikisht. Në një Mirditë ku kalon një infrastrukturë moderne e jashtëzakonshme, në një Shqipëri që është anëtare e NATO-s. Jetojmë në një Shqipëri që kishte absolutisht nevojë, dhe këtu nuk flas si partiake, por pikë së pari si qytetare, që të vazhdonte me qeverisjen e projektit të Shqipërisë europiane. Ky mandat ishte shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, për shqiptarët, për të rinjtë, të cilët votuan në mënyrën më ekselente projektin e një Shqipëri e vërtet perëndimore, europiane. Unë ndihem më mirë se kurrë të shoh projekte të tjera të mëdha zhvillimi. Në fakt, edhe kjo rrugë që kalon këtu është projekti i një Shqipërie europiane, që sfidohet me ambiciet e mëdha për veten e vet, një Shqipëri që beson në fitimin e të gjithë sfidave të saj, një Shqipëri që ka një rritje ekonomike si asnjë vend tjetër rreth nesh, por edhe më larg. Është një Shqipëri me projektin e vet, që Kryeministri Berisha e quan “projekti i bashkimit kombëtar me idealet europiane”. Ky është vetëm një element. Elementë të tjerë të shumtë janë vendosur në të ardhmen për t’u zhvilluar. Kjo të bën të ndihesh një komb i ringjallur, një komb që ka një histori jashtëzakonisht të vështirë, por me një energji të paparë, me një popull jashtëzakonisht inteligjent, që hidhet, që beson te liria dhe te mundësitë e veta”, tha znj.Topalli.
Të pranishmit përkujtuan viktimat e masakrës së Qafë-Valmirit, e cila njihet si një nga masakrat më të përgjakshme të regjimit komunist. Ceremonia vijoi para memorialit në nderim të viktimave të 17 gushtit 1949, i punuar nga skulptori i ri Kelvin Pjetri.