“Ekonomia rritje 2.7 % në tremujorin e tretë të vitit 2012, telekomunikacioni dhe industria shënojnë rritje”
Instituti i Statistikave publikon të dhëna për prodhimin e Brendshëm Bruto
Instituti i Statistikave publikoi dje raportin për tremujorin e tretë për vitin 2012 të Produkti të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas raportit, ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2012 u rrit me 2.7 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 u rrit me 2.4 për qind.
Në këtë tremujor, degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin Posta dhe Komunikacioni, Industria dhe Shërbimet e tjera, respektivisht me 21.6 për qind, 11.4 për qind dhe 9.1 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011. Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin Ndërtimi dhe Transporti respektivisht me -16.5 për qind dhe -11.5 për qind.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 me rritje u paraqit Industria me 10.3 për qind, Posta dhe komunikacioni me 3.3 për qind, Ndërtimi me 1.4 për qind dhe Transporti me 0.2 për qind. Tregtia, Hotele dhe Restorante u shfaq me rënie krahasuar me tremujorin paraardhës respektivisht me -0.2 për qind. Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 5.6 për qind, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011 dhe 1.3 për qind kundrejt tremujorit paraardhës.