E Diel, 1 Nëntor 2026

“Iu drejtuam Kolegjit pasi akti nuk mori votat e nevojshme”

05-01-2013 / Gazeta 55

Reagon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar dje se i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e ZAZ, pasi akti nuk mori votat e nevojshme gjatë mbledhjes nga anëtarët e komisionit.
Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e KQZ-së bëri një pasqyrë të shkurtër të punës së bërë nga komisioni, duke numëruar aktet e miratuar. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i konstituar me datë 18 tetor 2012, i përgjegjshëm për detyrën e rëndësishme që i ka ngarkuar ligji për administrimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, si institucioni më i lartë i zgjedhjeve në Shqipëri është angazhuar dhe me seriozitet ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore deri në fund të vitit që kaloi. Gjatë kësaj periudhe ky Komision ka shqyrtuar një numër të konsiderueshëm aktesh të cilat i shërbejnë procesit parazgjedhor në vendin tonë. Konkretisht gjatë periudhe janë miratuar 13 akte nënligjore, vendime dhe udhëzime me konsensus të të gjithë anëtarëve të Komisionit. Ndërsa dy akte nënligjore të cilat kërkonin shumicë të cilësuar nuk u arrit të miratohen për shkak se këto akte nuk morën numrin e votave të kërkuara nga ligji. Për njërin nga këto akte  konkretisht për atë që kishte të bënte me ndarjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor,  siç jeni në dijeni pas shqyrtimit nga Kolegji Zgjedhor ditën e djeshme, ky I fundit i dha të drejtë projektit prej 89 Zonave të Administrimit Zgjedhor të paraqitur nga Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, deklaroi Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ-së.
Më pas zëdhënësja e KQZ vuri në dukje se “nga vendimet e miratuara nga ky Komision vlen të përmendet vendimi për hapjen e procedurave për tenderimin e dy projekteve për aplikimin e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme si një projekt pilot sipas të cilit këto procedura do të mbyllen në fund të muajit janar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve garanton se ky detyrim ligjor do të përmbushet dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë subjektet pjesëmarrëse në këto procedura për realizimin me sukses të këtyre projekteve të cilat do të aplikohen për herë të parë në zgjedhjet e 23 qershorit”.
Ndër të tjera, zëdhënësja e  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, informoi publikun  se institucioni i KQZ-së, “ka miratuar gjithashtu dhe akte të tjera nënligjore të cilat janë të rëndësishme për përgatitjen e një kuadri të plotë ligjor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Këto akte të cilat kërkonin shumicë të cilësuar për tu konsideruar të miratuara janë votuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit. Ndër këto akte mund të përmendim Udhëzimin për mënyrën e ngritjes dhe caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së qeverisjes vendore për zgjedhjet e 23 qershorit si dhe udhëzimin për miratimin e rregullave të veçanta dhe kushtet e kontratës dhe kryerjen e auditimit nga auditët teknicien për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve (SEV)”. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›