Kolegji Zgjedhor vendos: 89 zona numërimi votash
PD-ja kërkonte 100 zona, ndërsa PS-ja kërkonte 76 zona të administrimit zgjedhor
Kolegji zgjedhor vendosi që numri i Zonave të administrimit zgjedhor, të cilit i korrespondojnë edhe qendrat e numërimit të votave për zgjedhjet e 23 qershorit të jetë 89, nga 66 që kanë qenë më parë. Kolegji pranoi variantin e propozuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nuk kishte mundur të merrte një vendim duke qenë se nevojitej mbështetja nga 5 prej 7 anëtarëve të tij.
Socialistët e cilësuan si një shkelje të rëndë vendimin e Kolegjit pasi sipas tyre ai nuk mund të merrte një kompetencë të cilën e ka Komisioni Qendror. Ndërsa për demokratët të cilët kishin kërkuar 100 zona të administrimit zgjedhor, vendimi i sotëm ishte një leksion ndaj kujtdo që kërkon bllokimin e procesit: Më 21 dhjetor pas polemikave të gjata, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të merrte një vendim për numrin e zonave të administrimit zgjedhor në bazë të të cilave ndërtohet më pas edhe e gjithë infrastruktura zgjedhore si dhe vend numërimet e votave. Vendimi duhej të merrej me shumicë të cilësuar pra, me 5 nga 7 vota të anëtarëve të komisionit.
Duke parë kohëzgjatjen e procesit të numërimit si në zgjedhjet e 2009 ashtu dhe ato vendore të 2011, të gjitha palët ishin dakord që numri i zonave të administrim zgjedhor të rritej, nga 66 që kishin qenë më parë. Por palët ato u ndanë në numrin e propozuar. Fillimisht KQZ paraqiti një variant me 76 zona të administrimit zgjedhor. Ky propozim u mbështet nga socialistët. Por më pas Komisioni paraqiti një propozim të dytë për 89 zona, i cili u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës sipas të cilëve duhej që zonat e administrimit zgjedhor të kishin një numër të përafërt zgjedhësish. Demokratët nga ana e tyre kërkuan 100 zona të administrimit zgjedhor.
Përplasjet bllokuan vendimmarrjen për këtë çështje dhe shumica në pushtet ju drejtua Kolegjit zgjedhor i cili i dha dje të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Kolegji vendosi miratimin e ndarjes së re të zonave të administrimit zgjedhor, për zgjedhjet parlamentare 2013, në 89 zona të administrimit zgjedhor sipas propozimit të paraqitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, lexoi relatori i çështjes, Andi Civici.
Por për socialistët, vendimi i Kolegjit zgjedhor ishte në kundërshtim të hapur me ligjin. Një vlerësim të kundërt pati përfaqësuesi i partisë demokratike Oerd Bylykbashi.
“Ashtu si në 2011 ishte një leksion i mirë për të gjithë, se zgjedhjet janë pronë e të gjithë shqiptarëve, nuk janë pronë e asnjë partie politike apo KQZ. Detyra e KQZ është që të administrojë procesin zgjedhor ashtu siç thotë një ligj i mirëdetajuar. Për rrjedhojë askush, as një as dy as tre persona në KQZ ose të një force politike, sado e madhe qoftë, nuk ka të drejtë të mbajë peng një proces zgjedhor të administruar sipas të gjitha standarteve ndërkombëtare”, u shpreh Bylykbashi.
Vendimi i djeshëm i Kolegjit i hap rrugën komisionit për të vazhduar më tej me hapat e tjerë të procesit zgjedhor.