Pedofilia, 39 vjet burg për Dino Kristodulu e Robin Arnolds
Procesit në ngarkim të dy pedofilëve Dino Kristodulu e Robin Arnolds po i vjen fundi. Dy pedofilët e pandehur, të akuzuar se abuzuan me fëmijët në qendrën “Fëmijët e tij” të drejtuar nga David Braun, janë deklaruar dje fajtorë dhe është kërkuar dënimi me 39 vjet burg, si dhe shpallja e tyre “Non grata” pas përfundimit të vuajtjes së dënimit në burgjet shqiptare. Kjo ka qenë kërkesa e parashtruar nga përfaqësuesja e akuzës, e cila pasi renditi provat dhe dëshmitë që bënin fajtorë dy të pandehurit për abuzimet ndaj të miturve, kërkoi dënimin e tyre, respektivisht me 22 vjet burg për Dino Kristodulun dhe 17 vjet burg për Robin Arnolds, të akuzuar për “abuzime seksuale apo homoseksuale me të mitur” dhe “kryerje të veprave të turpshme me të mitur”. Dy të pandehurit u akuzuan drejtpërdrejt në sallën e gjyqit nga fëmijët e abuzuar. Pjesa më e madhe e fëmijëve të sjellë në gjyq për të dëshmuar përmes video-konferencës kanë dëshmuar se ishin dhunuar seksualisht nga Dino Krsitodulu, i cili ka pasur një sjellje mjaft të dhunshme ndaj tyre. Gjithashtu, sipas dëshmive, po të njëjtën sjellje ka pasur ndaj tyre edhe i pandehuri tjetër, Dino Kristodulu, i cili rezulton të ketë qenë i akuzuar edhe herë të tjera në Londër për të njëjtën vepër penale. Madje, ky i fundit ka mësuar mbi të kaluarën e këtyre fëmijëve të akomoduar në qendrën “Fëmijët e tij” në website-n e qendrës, si dhe mbi faktin se ata kanë qenë më parë fëmijë të dhunuar. Gjithashtu, sipas burimeve nga akuza, rezulton se Arnolds ka qenë edhe vetë fëmijë i dhunuar seksualisht dikur. Dy të pandehurit nuk janë të vetmit të akuzuar për abuzimet në qendrën “Fëmijët e tij”. Më herët gjykata ka dënuar me 20 vjet burg kreun e kësaj qendre, David Braun, i cili ka mohuar para gjykatës akuzat e ngritura ndaj tij.
Pjesë nga dëshmitë e A.Q. e D.A. para gjykatës
“Unë kam vajtur në qendër që në moshën 1-vjeçare. Në familje jemi shumë fëmijë dhe prindërit nuk kanë pasur mundësi të më mbanin me bukë. Ata pranuan të shkoja në qendër. Kam qëndruar aty për 6 vjet. Por të them të drejtën, do të ndihesha më mirë në rrugë, sesa në atë qendër”, - mësohet të ketë rrëfyer dje në praninë e psikologes i mituri A. Q. Sipas burimeve nga gjykata, ai ka bërë me dije se David Braun dhe Dino Kristodulu e kanë keqtrajtuar. “Ata për çdo natë vinin më merrnin dhe bënin me mua gjëra të turpshme. Ai që ka abuzuar më shumë me mua është xhaxhi Davidi dhe Dino Kristodulu. Xhaxhi Dino vinte afër meje, më fërkonte të ndenjurat dhe më pas dorën e nxirrte përpara. Pasi më mbyllte gojën, ai vazhdonte të më përdhunonte. Kur mbaronte, më thoshte të mos tregoja asgjë. Unë kisha frikë dhe disa herë i kisha thënë xhaxhi Robinit”, - ka vijuar dëshminë e tij i mituri. Më tej ai ka shtuar se i pandehuri, Robin Arnold, nuk ia kishte vënë veshin asnjëherë dhe nuk bëri ndonjë gjë që ta mbronte atë dhe shumë fëmijë të tjerë të qendrës. Paksa tip më i ndrojtur dhe jo aq i gatshëm për të rrëfyer sa i mituri i parë ka qenë dëshmitari i dytë. Përpara gjykatës ai është munduar të mbulojë veprimet e të pandehurve. Sipas burimeve nga gjykata, ai u ka bërë me dije togave të zeza se ka harruar çfarë ndodhi me ta në qendër, për shkak se ka rënë nga kati i dytë dhe nuk mbante mend asgjë. Gjatë dëshmisë së tij, D. A., është shprehur se shumë shokë të tij kanë pasur dhimbje nga historitë e ndodhura, ndërsa nuk kujtonte asnjë rast të abuzimit ndaj tij, edhe pse prokuroria kishte në dosje një ekspertizë mjeko-ligjore që vërtetonte dhunimin seksual të tij.
Dëshmia e të miturit nga Amerika fundosi Arnolds
Duhej të vinte fundi i procesit gjyqësor dhe mbrojtja të pretendonte vazhdimisht shpalljen të pafajshëm të klientit të tyre, Robin Arnolds, që prokuroria të vihej seriozisht në lëvizje dhe të bënte të pamundurën për të sjellë një nga të dhunuarit e vetëm, i cili denoncoi të pandehurin. Pas përpjekjeve të gjyqtares së çështjes, Shefkije Demiraj dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në një kohë rekord ka mbërritur në Tiranë dhe në proces i mituri, tashmë i adoptuar nga një familje amerikane. Nuk ka ngurruar aspak që përmes një rrjedhshmërie në të folurën angleze, djali i abuzuar t’i përplaste të pandehurit Robin Arnolds gjithë dhunën seksuale të kryer ndaj tij disa vite më parë. Djali, në prani edhe të nënës së tij biologjike dhe psikologe, i ka kërkuar trupës gjykuese t’ia thotë në anglisht të pandehurit gjithçka kishte hequr prej tij, në një javë që kishte qëndruar në qendrën “Fëmijët e tij”. Kjo ka qenë dëshmia që fundosi të pandehurin Robin Arnolds, për të cilin nuk pati asnjë dëshmi më parë që ta implikonte.