Subvencionim çdo muaj për çmimin e energjisë
23/12/2009 Skema për 290 mijë familje. Prifti: CEZ të mos bëjë stakime kolektive
Qeveria do të subvencionojë familjet në nevojë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti sqaroi dje skemën e kompensimit, e cila do të jetë e përmuajshme duke nisur nga janari i 2010-s, afat kur hyjnë në fuqi edhe tarifat e reja për energjinë elektrike. Janë rreth 290 mijë familje shqiptare që do të kompensohen, sipas ministrit të Ekonomisë me 960 lekë në muaj.
Subvencioni
Projektvendimi i qeverisë merr në konsideratë kompensimin e konsumatorëve familjarë. Ministri i Ekonomisë bëri me dije se janë 1.7 miliardë lekë në dispozicion për kompensimin e të gjitha familjeve të pensionistëve, apo kategorive të tjera, të cilat kanë dalë pas një përllogaritjeje specifike. Ministri Prifti sqaroi se në këtë skemë të kompensimit do të përfshihen të gjitha familjet që aktualisht trajtohen me ndihmë ekonomike, familjet që janë të regjistruara në listat e pagesave të papunësisë, familjet që kanë persona invalidë, familjet e jetimëve, si dhe familjet e buxhetorëve që kanë një pagesë më të vogël se 35 mijë lekë në muaj. “Kemi rënë dakord për të çuar në qeveri vendimin që kjo e fundit do të marrë gjatë këtyre ditëve për të kompensuar konsumatorët për çmimin e energjisë elektrike. Kompensimi do të jetë i plotë dhe kap një shumë në masën 960 lekë në muaj. Ky kompensim përfshin të gjitha rritjet që janë bërë nga vitet e kaluara, duke përfshirë këtu edhe rritjen që do të bëhet për vitin 2010. Nga llogaritjet tona, janë në total rreth 290 mijë familje, të cilat janë klasifikuar dhe do ta marrin në masën më të plotë të mundshme kompensimin. Do t’i garantoj se këto janë para të parashikuara dhe do të jenë në buxhetin e shtetit për vitin 2010 dhe çdo qindarkë për të gjitha ato familje që nuk e përballojnë dot këtë rritje çmimi do iu kompensohet, ose do të subvencionohen nga qeveria”,- ka deklaruar ministri Prifti. Ai nënvizoi faktin se nuk do të ketë asnjë lloj shqetësimi sa i takon realizimit të këtij procesi. “Ne do të dërgojmë projektligjin për miratim në Ministrinë e Financave dhe pastaj në atë të Drejtësisë për të kaluar më tej në qeveri për miratim të menjëhershëm”, - deklaroi ministri. Prifti ka nënvizuar faktin se për 290 mijë familjet e tjera qeveria do të kompensojë rritjen e çmimit gjatë gjithë kohës. “Ka një rigjallërim nga pjesë të opozitës për shtrembërimin e këtij fakti. Prandaj do të doja t’u thosha që ky subvencionm dhe kjo mbështetje nga buxheti është dhe do të jetë e sigurt gjatë gjithë vitit 2010 për të gjitha këto familje”, - tha më tej ministri. Rreth 79 për qind e familjeve shqiptare konsumojnë më pak se 30 kilovat orë energji në muaj dhe për këto familje rritja e çmimit nuk është 13 për qind, por vetëm 10 për qind, sepse çmimi nga 7 lekë që ka qenë është bërë në 7.7 lekë. Sipas ministrit Prifti, këto 79 për qind e familjeve vazhdojnë të mbrohen nga shteti.
Stakimet
Qeveria ka firmosur një marrëveshje me OSSH-në që do të ketë furnizim 100 për qind dhe pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët shqiptarë. Ministri Prifti bëri me dije se ka qenë i informuar se janë bërë në mënyrë të padrejtë stakime të energjisë edhe për pjesë të tjera, apo për zona të tjera të Shqipërisë, për të cilat nuk duhet të bëhen. “Ne kemi një marrëveshje që nuk mund të ketë dënime kolektive. Unë kam kërkuar që METE të ankohet dhe t’i kërkojë OSSH-së që të mos bëjë asnjë lloj kufizimi. Nuk mund të ketë dënime kolektive, sepse disa persona të tjerë nuk paguajnë. Edhe nëse një njeri i vetëm paguan në një fshat, ai duhet të ketë energji elektrike. Ata që nuk e paguajnë energjinë jemi dakord që t’u bëjnë stakime individuale, por nuk jemi dakord që të penalizohet asnjë lagje apo qytet për shkak se disa nuk paguajnë. Këtë ia kam bërë të qartë OSSH-së dhe do t’ia bëj të qartë dhe nëpërmjet një letre që do të dërgoj”, - ka deklaruar ministri Prifti.
Reagimi kundër deklaratave për ndëshkime kolektive
OSSH: Furnizim 24 orë për festat e fundvitit
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes garanton se gjatë festave do të ketë furnizim 24 orë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët. Në një reagim ndaj deklaratave të ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, drejtues të OSSH-së bëjnë me dije se nuk është ndërmarrë asnjë fushatë ndëshkimesh kolektive për konsumatorët apo rritje e pagesave afrofe. “OSSH u ka dhënë urdhër të gjitha agjencive të veta në të gjithë territorin që jo vetëm të punojnë intensivisht për të siguruar pa shkëputje furnizimin me energji elektrike, por madje të bëjnë edhe rilidhjen e ndërprerjeve të kryera kundrejt të gjithë debitorëve, me qëllim që në periudhën e festave të mos ketë mungesa të energjisë”, - theksojnë burimet zyrtare të kompanisë. Sipas tyre, në kushtet e një rrjeti të amortizuar dhe me nevoja të vazhdueshme investimesh, remontet janë të paevitueshme në raste urgjencash, siç ka ndodhur edhe në periudha të tjera dimri, për shkak të ngarkesës në konsum. Por në asnjë rast, sipas tyre, nuk janë përdorur ndëshkime kolektive të konsumatorëve.
Numër telefoni
Një numër telefoni me anë të cilit konsumatorët mund të denoncojnë stakimet e padrejta që u bëhen për energjinë do të vihet shumë shpejt në funksionim. Sipas ministrit Prifti, kështu mund të monitorohet koncesioni i dhënë çekëve. “Ne i kemi dhënë të drejtën një kompanie serioze dhe prestigjioze, por kompania duhet të monitorojë njerëzit që punojnë atje, pasi mund të ketë individë të papërgjegjshëm që bëjnë stakime të energjisë kur nuk duhen bërë”,- tha Prifti.
Garancia e BB-së
Banka Botërore ka dalë garant me një fond prej 60 milionë eurove për të siguruar zbatimin e detyrimeve ndaj ERE-s dhe OSSH-së. Pavarësisht pakënaqësisë së OSSH-së për rritjen jo në nivelin e kërkuar të çmimit të energjisë, duhen shumë raunde diskutimesh për të arritur deri në dhënien e garancisë. “Kjo garanci nuk parashikon të zbatojë atë çfarë dëshiron CEZ apo ERE. Kjo është ajo çfarë u ra dakord gjatë privatizimit”,- ka thënë Kamile Nuamah.