E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia shqiptare, në rritje të ndjeshme - projektet investuese, në fillim të procesit

Kryeministri pret në takim, Drejtorin Ekzekutiv (CEO) të Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, Kahled Al Aboodi

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Drejtorin Ekzekutiv (CEO) të Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, Kahled  Al Aboodi.

Kahled Al Aboodi, pasi falënderoi kreun e qeverisë Berisha për pritjen, i prezantoi platformën e bashkëpunimit midis Korporatës dhe sektorit bankar dhe atij të biznesit në Shqipëri, bashkëpunim që do të finalizohet me një konferencë që do të organizohet në Tiranë në muajin nëntor. Kryeministri e garantoi Kahled Al Aboodi mbështetjen e të gjitha strukturave qeveritare për të thelluar bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Korporatës. Kryeministri, pasi i shpalosi programin e qeverisë që ai drejton, theksoi se për ekonominë shqiptare është shumë i rëndësishëm financimi i projekteve ekzistuese dhe atyre në vijim në sektorë vitalë si bujqësi, turizëm, në dhënien e mikrokredive për të inkurajuar rritjen e prodhimit blegtoral dhe bujqësor dhe nxitjen e kulturës së mbjelljes dhe prodhimit të pemëve frutore. Ai gjithashtu i prezantoi kryeministrit projektet në infrastrukturë si porte, aeroporte, rrugë dhe projekte të tjera madhore, të cilët janë në proces zbatimi dhe të financimit.

Kahled Al Aboodi u shpreh i emocionuar për ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare dhe numrit të projekteve investuese të filluara dhe në proces. Ai tha se në konferencën që do të zhvillohet së shpejti do të ketë mjaft kompani investitore dhe financuese nga Fondi i Kuvajtit, Arabia Saudite etj., të interesuar për të shtrirë aktivitetet e tyre në Shqipëri.

Ai tha se projektet e filluara në Shqipëri janë tërheqëse për sektorin financiar të grupit që ai drejton dhe të tjerave në këtë fushë.

Gjithashtu, Kahled Al Aboodi tha se interes të madh kishte edhe forcimi i sektorit bankar privat dhe nxitja e mikrokredive në sektorin bujqësor dhe blegtoral.

Është në politikat dhe praktikat e Korporatës në këtë moment, tha Kahled Al Aboodi, shtrirja në këto fusha dhe Shqipëria është tashmë në hartën e tyre. Interes për financim dhe investim nga Korporata e tyre ka gjithashtu në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›