Ekonomia shqiptare "mbytet" në borxhe
Deficiti korrent regjistroi një vlerë prej 878 milionë euro gjatë vitit 2007
Thyhen të gjitha parashikimet, deficiti korrent 11 për qind e Prodhimit të Brendshëm
Ekonomia shqiptare çdo vit e më shumë tregon dobësi ndaj konkurrencës në rritje që vjen nga jashtë, duke rritur deficitin korrent që për vitin që kaloi ka rezultuar në 878 milionë euro ose 11 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Këto janë edhe borxhet që mbeten ndaj të huajve pasi një pjesë e mirë e tyre mbulohet nga të ardhurat e emigrantëve. Por me kalimin e viteve, remitancat mbeten në minorancë përsa i përket kërkesës në rritje për mallra që mbulohet nga jashtë në pamundësi të ekonomisë vendëse për të konkurruar. Një shifër e tillë, sipas specialistëve të ekonomisë po kthehet në një nga pengesat kryesore për të arritur një nivel të lartë të rritjes ekonomike, pasi një pjesë e madhe e kapitaleve financiare po kanalizohet jashtë kufijve të vendit. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e Bankës së Shqipërisë, deficiti i lartë tregtar që ka karakterizuar zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë gjatë vitit të kaluar, ka neutralizuar efektet pozitive të zvogëlimit të ndjeshëm të pozicionit deficit në llogarinë e shërbimeve, si dhe rritjen e flukseve pozitive të të ardhurave faktoriale neto, duke mbetur shkaktari kryesor në thellimin e deficitit korrent për këtë periudhë.
***
Eksportet shqiptare, pavarësisht deklaratave optimiste të qeverisë, nuk kanë arritur që të përmirësojnë asgjë në zhvillimet ekonomike të vendit. Vetëm gjatë vitit 2007, deficiti tregtar në mallra ka shkuar në 2.3 miliardë euro, duke pësuar një rritje me 27 për qind krahasuar me një vit ma parë. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë dhe ajo Interim kanë qenë edhe goditjet e fundit, për ta vendosur bilancin tregtar të vendit në këto pozita diskriminuese. Kapaciteti prodhues në vend, i pamjaftueshëm për të kënaqur kërkesën gjithmonë e në rritje të ekonomisë shqiptare për mallra, ka bërë që raporti i mbulimit të importeve nga eksportet të jetë në nivele të ulëta, 26 për qind. Transaksionet e tregtisë së jashtme tregojnë për një përqendrim të theksuar drejt mallrave të ndërmjetëm, të cilët gjatë vitit 2007 përfaqësuan pjesën dërrmuese të importeve (53 për qind). Ndërkohë, mallrat e konsumit janë ulur me 7 pikë në nivel përfaqësimi, duke zënë 30 për qind të totalit të importeve. Rritja e ndjeshme prej 36 për qind e mallrave kapitalë, ka bërë që ata të përfaqësojnë 14 për qind të totalit të importeve gjatë vitit 2007.
***
Niveli tepër i lartë i deficiti korrent jo vetëm në vlerë por edhe në përqindje, mbetet një nga problemet më të mëdha të ekonomisë edhe për vitin 2008. Ka qenë vetë Ministria e Financave që në relacionin e bërë për Buxhetin e vitit 2008, ka paralajmëruar për një rrezik që vjen nga arritja në nivele rekord të deficitit tregtar dhe atij korrent. Për një vend të zhvilluar, sipas specialistëve treguesi i deficitit korrent nuk duhet që të kalojë 5 për qind, ndërsa për një vend në zhvillim ai duhet të jetë i frenuar brenda nivelit 8 për qind, në mënyrë që të garantohet rritja e qëndrueshme ekonomike. Por problemi më i madh i këtij treguesi që tashmë ka arritur një rekord absolut është se miliardat nuk janë përdorur për të blerë makineri e pajisje, por thjesht mallra konsumi në pjesën dërrmuese të shpenzimeve gjatë vitit 2007. E njëjta prirje vazhdon edhe në tre muajt e parë të vitit 2008, ku kërkesa në rritje po thellon çdo ditë e më shumë borxhet e ekonomisë me jashtë.