E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia sllovene ka pësuar një rënie drastike në tremujorin e fundit të 2008

Ekonomia sllovene është goditur keqaz nga kriza ekonomike botërore në tremujorin e fundit të vitit 2008, duke pësuar një rënie me 4,1 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm, gjatë të cilit Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto (PIB) vazhdoi të rritej me 0,8 për qind. Gjatë një viti, PIB-i slloven ra me 0,9 për qind pas një rritjeje me 3,5 për qind në tremujorin e tretë. Është fjala për tkurrjen e parë që prej 1993-it të ekonomisë së ish-nxënësit model ndër shtetet e reja anëtare të BE-së. Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera evropiane, Sllovenia nuk ka hyrë ende zyrtarisht në krizë, term që përdoret vetëm pas dy tremujorëve radhazi me rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por, vendi që ka paraqitur deri atëherë shifra rritjeje ekonomike shumë më të mëdha se mesatarja e vendeve të zonës euro, me të cilën u bashkua në 2007-n, figuron tashmë  shumë më larg se mestaraja e Gjashtëmbëdhjetëshes (rënie me 1,5 për qind e PIB-it) në tremujorin e katërt. Megjithë rënien e madhe në tremujorin e katërt, Sllovenia ka njohur gjithsesi një rritje mesatare vjetore prej 3,4 për qind në 2008-n. Në 2007-n, ajo regjistroi rritjen e saj më të madhe ekonomike që prej pavarësisë në 1991, me afro 6,8 për qind të PIB-it të saj. Në vlerësimet e fundit të botuara në dhjetor, qeveria sllovene e kishte ulur parashikimin e rritjes ekonomike në 1,1 për qind në 2009-n.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›