E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët Rurale janë shndërruar në një kantier ndërtimi nga investimet e qeverisë

"Rrugët rurale janë kthyer në një kantier ndërtimi, falë investimeve nga buxheti i shtetit", u shpreh sot në një takim me drejtorë të institucioneve me vartësi vertikale, Pefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi gjatë të cilit informoi dhe për projektet që do të realizohen këtë vit me fondet e qeverisë. Sipas tij, shumë shpejt pritet të nisin punimet për rikonstruksionin total të aksit rrugor Elbasan- Gjinar, me një gjatësi prej 22 kilometra, dhe në aksin Belësh-Kuçovë - Pajovë, projekte që do të realizohen me fondet e qeverisë. Prefekti i Elbasanit njoftoi se qeveria do të akordojë dhe një fond për familjet e dëmtuara në zonën e Qafë Dardhës të komunës Polis në rrethin e Librazhdit. "Qeveria do të dëmshpërblejë 25 banorët, të cilëve një muaj më parë iu dëmtuan banesat për shkak të rrëshqitjes së tokës”, pohoi prefekti Deliallisi. Pasi vuri në dukje investimet në qarkun e Elbasanit, ai tha se "opozita për hir të propagandës elektorale mundohet të nxijë çdo gjë që është arritur gjatë këtyre viteve. Ata flasin për varfëri maksimale, ndërkohë që rrogat e arsimtarëve, shëndetësisë si dhe pensionet janë rritur ndjeshëm". Sipas Z. Deliallisi, edhe situata e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike në qarkun e Elbasanit ka qenë në normat e duhura. "Uji i pijshëm nuk ka munguar asnjëherë edhe në zonat më të thella të qarkut”, tha ai. Gjatë takimit, prefekti u ka kërkuar drejtuesve të institucioneve impenjim maksimal në të gjitha fushat, por në veçanti vënien në eficencë të investimeve që çdo drejtori ka ndërrmarë si dhe zgjidhjen e problemeve të komunitetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›