Shtohen sëmundjet mendore, 20 mijë pacientë për 6 muaj
Numri i personave të prekur nga sëmundjet mendore po vjen në rritje, ndërkohë që këto probleme po rrezikojnë edhe fëmijët. Specialistët e shëndetit mendor thonë se dhjetëra fëmijë preken nga sëmundjet mendore që në vegjëli, dhe nuk bëhet fjalë për sindroma të lindura, por për gjendje depresive të fituara gjatë jetës. Kurse prindërit pranojnë se problemet ekonomike shpeshherë janë bërë shkak i rëndimit të gjendjes së fëmijës. Por, përfundimi deri më tani është se 1 në 6 fëmijë në vendin tonë rrezikon të preket nga një sëmundje mendore. Sipas të dhënave të fundit, të raportuara nga autoritetet e Shëndetësisë, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, rezultojnë rreth 20 mijë persona të cilët trajtohen për sëmundje mendore. Kjo shifër është bërë e ditur dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor. Duke u ndalur në shifra konkrete të pacientëve që kurohen pranë shërbimeve shëndetësore, ministri Vasili u shpreh se “Rreth 4% e pacientëve të grupmoshave të ndryshme, të cilët marrin ndihmë në sistemin shëndetësor, janë pacientë që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor; rreth 20 mijë pacientë kërkojnë ndihmë pranë sistemit shëndetësor parësor, ndërkohë që 60 mijë receta me rimbursim lëshohen çdo vit për këtë kategori pacientësh”. Sipas ministrit Vasili, shëndeti mendor është pjesë e paketës bazë të kujdesit në shëndetin parësor. Kjo do të thotë se mjeku i familjes tashmë ka në detyrat e veta edhe kujdesin, nëpërmjet diktimit të hershëm, referimit dhe trajtimit mbajtës, të shëndetit mendor të popullatave në ngarkim. Por, sipas psikologëve, në shumicën e rasteve sëmundjet mendore te fëmijët janë të fituara gjatë jetës dhe faktori më i rëndësishëm është shkarkimi mbi ta i stresit të prindërve apo mësuesve. Çdo person të paktën një herë gjatë jetës së tij kalon në depresion, ndërsa 1 në 4 e përjeton atë në gjendje më të rëndë që kërkon mjekim. Ndërsa sipas sociologëve, këto 20 vite tranzicion në vend kanë ndikuar që numri i rasteve të rritet ndjeshëm. Sipas të dhënave, në Shqipëri ka 3 psikiatër për çdo 100 mijë banorë. Lidhur me shkaktarët e shqetësimeve nervore, nga një anketim i Institutit të Shëndetit Publik ka rezultuar se në 75% të rasteve janë stresi, ankthi dhe alkooli. Specialistët thonë se numri i problemeve mendore është katërfishuar, por është e vështirë të flasësh me shifra të sakta, pasi para viteve ‘90 nuk ekzistojnë statistika të këtij lloji. Kjo edhe për faktin se shoqëria nuk e pranonte konceptin e depresionit, duke cilësuar të sëmurë mendor vetëm ata që shtroheshin në psikiatri.