E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomiku, hapen gjashtë mastera të nivelit të dytë

Kuotat e pranimit që janë miratuar për secilin program. Tarifa e studimit është 150 mijë lekë, likuidimi me dy këste

Jonida Tashi

Hapen masterat e nivelit të dytë pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Qeveria, me propozim të ministrit të Arsimit, ka vendosur hapjen e programeve të ciklit të tretë, me kohë të pjesshme, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Gjithsej janë miratuar gjashtë programe masteri, që konkretisht janë: Master i nivelit të dytë në “Administrim biznesi”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë” (MND); Master i nivelit të dytë në “Administrim publik”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë” (MND); Master i nivelit të dytë në “Financë”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë” (MND); Master i nivelit të dytë në “Kontabilitet”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë” (MND); Master i nivelit të dytë në “Marketing”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë” (MND); Master i nivelit të dytë në “Studime ekonomike europiane”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë” (MND). Këto programe studimi realizohen me 90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 100 javë mësimore.
Kuotat dhe tarifat
Në total, qeveria ka miratuar 288 kuota pranimi për gjashtë programet “Master” të Ekonomikut, të cilat janë shpërndarë sipas degëve. Numrin më të madh të kuotave të pranimit do ta kenë masteri për “Administrim biznesi” dhe ai për “Administrim publik”, ku në secilin prej tyre do të pranohen nga 70 kandidatë. Kurse për katër programet e tjera master, “Financë”, “Kontabilitet”, “Marketing” dhe “Studime ekonomike europiane”, janë miratuar 37 kuota pranimi për secilin prej tyre. Tarifa e studimit për gjashtë masterat që ofron Fakulteti Ekonomik është 150 mijë lekë për çdo program studimi. Studentët do t’i nënshtrohen vetëm një tarife shkollimi, duke e likuiduar atë në dy këste të barabarta, në fillim të çdo viti akademik. Ndërsa studentët e shkëlqyer nga cikli paraardhës i studimeve nuk e paguajnë tarifën e shkollimit për vitin pasardhës.
Kërkesat e pranimit
Aplikanti që kërkon të mbrojë titullin “Master” duhet të plotësojë disa kushte, si të ketë përfunduar studimet e larta në Ekonomik dhe të ketë mesataren e viteve të fakultetit mbi notën 8. Aplikantët e programit “Master” duhet të kenë një diplomë universitare dhe njohuri të mira në Matematikë, Statistikë, Anglisht dhe Informatikë. Ata duhet të plotësojnë një formë aplikimi të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme: Dëshmi të Gjuhës angleze nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ose TOEFL-i; diplomë nga një universitet brenda ose jashtë vendit; dy letra rekomandimi nga persona, të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit (të paktën njëri nga rekomanduesit duhet të ketë një titull ose gradë shkencore); lista e notave që ai ka marrë gjatë studimeve universitare ose pasuniversitare.
Për çdo master të mbrojtur, lëndët do të jenë të ndryshme dhe ka nëntë lëndë, plus dy lëndë të tjera me zgjedhje të lirë nga aplikanti. Programi mësimor konsiston në 11 lëndë, ku nëntë lëndë janë të trungut, ndërsa dy lëndë janë me zgjedhje, si dhe projekti i kursit. Lëndët zhvillohen sipas semestrit. Periudha kohore e realizimit të programit varet nga numri i kurseve që aplikanti ndjek çdo semestër. Ndërsa kohëzgjatja e kursit është 2 deri në tre vjet, ku një semestër ka 12 javë.

Kuotat e pranimit
Kuotat e pranimit në programet e studimeve “Master i nivelit të dytë” pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, për vitin 2008-2009 janë:
Master i nivelit të dytë në “Administrim biznesi” 70
Master i nivelit të dytë në “Administrim publik” 70
Master i nivelit të dytë në “Financë” 37
Master i nivelit të dytë në “Kontabilitet” 37
Master i nivelit të dytë në “Marketing” 37
Master i nivelit të dytë në 37
“Studime ekonomike europiane”

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›