Digjet brenda banesës çifti shqiptar në Itali, dyshohet për vrasje
Pas djegies së një çifti shqiptar në Fiorenzuola të Italisë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve, ku policia vendase dyshon për vrasje ose vetëvrasje. Hetimet e para flasin për një akt vrasjeje të shtetases Shpresa Hajdini nga bashkëshorti i saj, Hajet Hajndini, në gjendje të rëndë depresioni. Më pas ai i ka vënë flakën banesës, duke u plagosur rëndë dhe më pas u nda nga jeta teksa po merrte ndihmën mjekësore në spitalin e Parmës në Itali. Si pasojë e zjarrit të rënë në banesë, dje pasdite gjetën vdekjen çifti Hajet dhe Shpresa Hajdini, përkatësisht 48 vjeç dhe 45 vjeçe. Mediat italiane njoftojnë se kryefamiljari, në gjendje të dehur, kishte therur bashkëshorten dhe më pas i kishte vënë zjarrin gjithë banesës.
Ngjarja
Fillimisht gjeti vdekjen 45-vjeçarja dhe pak orë më vonë vdiq edhe kryefamiljari teksa ndodhej në spitalin e Parmës. Dyshohet se familja kishte probleme, pasi vajza e çiftit, 15 vjeçe, jetonte në Itali dhe nuk kishte arritur që të merrte vizë për t’u bashkuar me familjen. Një fakt të tillë e pohojnë mediat vendase duke theksuar se kjo mund të ketë çuar në depresion Hajdet Ajdinin. Policia e Fiorenzuolas ka nisur hetimet për këtë rast. Zjarri ra dje rreth orës 14:00. Ekipi zjarrfikës arriti të shuajë flakët, por në mjediset e brendshme gjeti Shpresa Hajdinin të vdekur, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhej në gjendje të rëndë. Ai vdiq pas disa orësh. Çifti Hajdini jetonte në katin e katërt të një ndërtese në rrugën “Cavalierini”, në periferi të fshatit Fiorenzuola. Hetimet që po zhvillohen pritet të përcaktojnë shkaqet e kësaj ngjarjeje.
Precedenti
Vetëm tre muaj më parë, një familje shqiptare në Itali u shua si pasojë e flakëve që përfshinë shtëpinë nga shpërthimi i impiantit të gazit. Në këtë rast Policia italiane hetoi pistën e vrasjes nga ana e qiradhënësit italian. Në këtë ngjarje humbi jetën një grua dhe tre fëmijët e saj të mitur, ndërsa në momentin e ngjarjes kryefamiljari po udhëtonte drejt Shqipërisë. Pas tragjedisë së rëndë të ndodhur në Barberino del Mugello, pranë Firences, Drejtësia italiane ka zbardhur disa detaje të ngjarjes, ndërsa në fshatin Vrakë të Shkodrës (ku jetonin dhe të afërmit e viktimave) pllakosi zia. Mediat italiane kanë publikuar pjesë të dëshmisë së pronarit të pallatit ku jetonin me qira Gëzim Gjonaj, gruaja e tij Angjelina dhe fëmijët Dorian dhe Dorina, 13 dhe 14 vjeç. Italiani tregonte se gruaja shqiptare i kishte thënë se ndiente erën e gazit, por në moment kishte ndodhur shpërthimi dhe gjithçka përfundoi tragjikisht për gruan shkodrane dhe fëmijët e saj.
28 Tetor 2009