E Diel, 1 Nëntor 2026

HORROR NË DIBËR, dy të sëmura mendore mbahen të lidhura nga i ati prej 22 vitesh



Pas ngjarjes në Levan të Fierit, ku një djalosh 26-vjeçar me probleme mendore jetonte prej 3 vjetësh në koliben e qenit i lidhur me zinxhirë, një skandal edhe më i madh shënohet këtë radhë në Maqellarë të Dibrës. Me flokë të prerë keq, dhëmbë të prishur dhe të palara prej një kohë të gjatë, dy motrat, Thëllënxa dhe Fidane Keshi, mbahen prej plot 22 vjetësh në shtëpi të lidhura me zinxhirë nga babai. Thëllënxa u lidh kur ishte 25 vjeçe, sot është 47 vjeçe dhe e vogla Fidania kur ishte 16 vjeçe, sot është 38 vjeçe. Pas pamjeve vërtet të rënda të dy motrave që jetonin prej 22 vjetësh të lidhura me zinxhirë, ka ndërhyrë Drejtoria e Policisë së Dibrës, e cila së bashku me disa mjekë të Peshkopisë kanë liruar dy femrat që jetonin në kushte skandaloze. Ato janë të sëmura mendore dhe jetonin vetëm me babanë 70-vjeçar. Ai thotë se nuk ka asnjë mundësi tjetër përkujdesje për vajzat e tij dhe për këtë arsye i ka lidhur në një dhomë të shtëpisë.
Rrëfimi
Babai tregon se vajza e madhe, në moshën 16-vjeçare, kishte shfaqur shenja të sëmundjes mendore dhe për këto arsye qëndroi për 7 vjet e shtuar në Spitalin e Vlorës. Pas daljes nga spitali, babai u detyrua ta mbajë të lidhur. Vajza tjetër Fidania nuk është shtruar në spital, por që në adoleshencë u sëmur si e motra dhe babai zgjodhi ta lidhë dhe atë. Nëna u ndërroi jetë shpejt. 70-vjeçari Dine Keshi, babai i motrave, ka bërë të ditur se të bijat janë agresive dhe rrezik për banorët ndaj është detyruar ti lidhë. “E madhja është 47, e vogla 38 vjeç. Ishin shumë sëmurë dhe ndaj i mbaj lidhur se ato ikin, nuk vijnë dhe më duhet t’i kërkoj. I mbaj unë me ushqim i laj se unë merrem me punë dhe s’kam kohë t’i kërkoj”, - justifikohet Dine Keshi. Babai shpjegon se vajzat vuajnë nga problemet mendore, por pavarësisht kësaj nuk mjekohen.
Varfëria
Familja Keshi jeton në kushte të mjerueshme ekonomike. Ata ushqehen vetëm me paratë qe marrin nga pensioni i invaliditetit që përfitojnë vajzat Ato jetojnë dhe ushqehen në një prej dhomave të shtëpisë, por pa kushtet më minimale të jetesës. I çuditshëm fakti që në sy të të pranishmeve vajzat nuk treguan shenja agresiviteti, por vetëm dhanë të kuptohet se nuk ishin të vetëdijshme për situatën ku ndodheshin.
Ky rast është i ngjashëm me rastin e zbuluar pak javë më parë në Levan të Fierit. Në Levan të Fierit, 26-vjeçari Fatmir Rashu mbahej prej 3 vjetësh i lidhur me zinxhirë në një kolibe.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›