E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomistët e arrestuar ngritën "piramidë"

Gjashtë ekspertët kontabël, të ndaluar dy ditë më parë kishin arritur të ngrinin një firmë fantazmë, të cilës i faturonin detyrimet tatimore të disa firmave të mëdha që ushtrojnë aktivitetin në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Fierit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se shuma që i detyrohej shtetit ishte rreth 1.5 miliardë lekë të vjetra, shumë e cila, nga verifikimet e realizuara ishte fiktive, pasi firma në fjalë ishte një strukturë piramidale. Hetuesit thanë se denoncimi i rastit në fjalë është realizuar nga Drejtoria e Tatimeve, e cila kishte kryer verifikime për disa muaj me radhë, duke përdorur edhe teknikat speciale të hetimit, siç janë edhe përgjimet. Nga të dhënat ka rezultuar se përgjegjës për këtë firmë ishin disa ekspertë kontabël që kryenin bilancet e disa firmave të mëdha që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri.
Dy ditë më parë oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, ekzekutuan vendimet e gjykatës për katër ekspertët kontabël, të cilët dyshohet se kanë dubluar bilance të firmave private, duke i shkaktuar shtetit dëmin prej 1.5 miliard lekësh të vjetra. Burime nga prokuroria thanë gjithashtu se gjatë operacionit "Fshehja", është ekzekutuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje" për ekonomistin Shkëlqim Sako dhe masat "arrest shtëpie" për ekonomistet Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla e Nevila Bami. Ndërsa një person tjetër i dyshuar është njohur me masën e sigurisë në doganën e Qafë-Thanës, në kufirin e Shqipërisë me Maqedoninë në qytetin e Pogradecit. Krahas të sipërpërmendurve, prokuroria tha se ka nën hetim edhe një ekspert kontabël, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë dhe sapo ai të shkelë në atdhe do të njihet me akuzat e prokurorisë dhe gjykatës. Sipas prokurorisë, ekonomistët akuzohen për "falsifikim vulash, stampash ose formularësh", "vjedhje duke shpërdoruar detyrën" dhe "falsifikim dokumentesh" të kryera në bashkëpunim. Policia me urdhër të prokurorisë ushtroi një kontroll në banesat e tyre dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale disa kompjuterë, si dhe një sërë dokumentesh financiare. Dyshimet për veprimtarinë e ekspertëve kontabël, janë ngritur fillimisht nga bordi i monitorimit, i ngritur posaçërisht për këtë problem nga Këshilli i Ministrave dy muaj më parë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, shkeljet janë konstatuar pas verifikimit të dy bilanceve të dubluara. Bilanci që predispozohej i rregullt, ai që do u dorëzohej strukturave tatimore, rezultonte të kishte mospërputhje të theksuara dhe mosakordim shifrash me atë që zotëronte biznesi. Janë katër raste që janë dokumentuar nga njësia hetimore Task-Forcë. Sot ekonomistët do të përballen me togat e zeza të gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›