E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, pranga kreut të strehimit në Bashkinë e Elbasanit

Arrestohet për mitëmarrje nënkryetari i këshillit bashkiak dhe njëkohësisht kryetari i komisionit të strehimit në qytetin e Elbasanit. Kujtim Hazbiu, përfaqësues i Partisë Demokratike në këshillin bashkiak të qytetit, është ndaluar nën akuzën e "korrupsionit pasiv". Mësohet se denoncimi ndaj tij është bërë nga disa qytetarë të pastrehë, të cilët e akuzojnë Hazbiun për marrje ryshfeti, kundrejt vendosjes së emrit në listën e përfituesve të banesave. Mësohet se deri mbrëmjen e djeshme, ndalimi i Hazbiut është bërë vetëm nën akuzën për veprën penale "korrupsion pasiv". Mësohet se pas denoncimit të qytetarëve ka qenë sektori i krimit ekonomik në drejtorinë e policisë së këtij qarku, ai që në bashkëpunim edhe me prokurorinë e rrethit, ka nisur hetimet rreth këtij problemi. Ndërkohë mësohet se denoncimet kanë ardhur nga dy kategori qytetarësh, të cilët gëzojnë statusin e të pastrehut. Sipas informacioneve nga policia lokale, mësohet se kategoria e parë e denoncuesve përfshin një pjesë të të pastrehëve, të cilët pretendojnë se kanë paguar shuma të mëdha lekësh nën dorë për të përfituar shtëpi, dhe nuk e kanë marrë atë. Kjo kategori trajtohet sipas listave që kalkulon këshilli bashkiak i këtij qyteti në raport me fondet e kredisë të akorduara nga Enti Kombëtar i Banesave, apo dhe nga vetë fondet që ka bashkia për të pastrehët, sipas kategorive të përfituesve. Këto kredi jepen për një afat të gjatë shlyerjeje, me ose pa interes. E dyta mbetet një pjesë e kategorisë së të pastrehëve që kanë plotësuar kushtet e kërkuara, por sipas tyre, komisioni i strehimit nuk ua kishte futur emrin në listat e kreditimit në mungesë të parave të padhëna nën dorë. Të njëjtat burime sqarojnë se institucionet kompetente kishin rreth gjashtë muaj që hetonin rreth kësaj çështjeje, ku kohë më parë do të arrestohej me të njëjtën akuzë edhe ish-anëtari i këshillit bashkiak dhe anëtar i komisionit të strehimit, Shpëtim Myftaraj.

Hazbiu është nënkryetar i këshillit bashkiak prej disa vjetësh në Bashkinë e qytetit të Elbasanit dhe prej më se tre vjetësh ai drejton Komisionin e Strehimit në këtë bashki. Ai është përfaqësues i së djathtës në këshillin bashkiak të qytetit të Elbasanit dhe aktualisht mban dhe postin e shefit të inspektoratit ndërtimor pranë Këshillit të Qarkut të Elbasanit. Sipas nëndrejtorit të drejtorisë së policisë së qarkut, Ylli Metko, ndalimi i Hazbiut është bërë me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Ndërkohë që hetimet janë në vazhdim dhe do të jenë organet kompetente ato që do të vërtetojnë akuzat dhe vërtetësinë e denoncimeve qytetare ndaj kreut të strehimit në këshillin bashkiak të qytetit të Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›