Ekonomistët, thellohen efektet e krizës
Thellohen efektet e krizës globale në vend. Këtë herë konkluzioni është dhënë nga ekspertët e huaj. Sipas Alfred Dodle, Drejtori i Fondacionit publik gjerman “Fridrik Ebert”, qytetarët shqiptarë rrezikojnë të përballen me rritjen e çmimeve në treg, si pasojë kjo edhe e zhvlerësimit të monedhës kombëtare leku. “Kriza i ka shtrirë efektet e saj në Shqipëri, por vendi juaj nuk preket ende nga kriza, pasi është ende jo konkurrues në tregun evropian. Por investitorët e huaj do të tërhiqen nga Shqipëria, pasi ndihen të pasigurt. Efektet do të shtrihen edhe në remitancat pasi emigrantët do të sjellin më pak para pranë familjeve të tyre. Efektet e krizës do të reflektohen në zhvlerësimin e lekut, inflacioni pritet që të rritet, ndërkohë që problem do të jetë edhe punësimi i të rinjve”- u shpreh Drejtori i Fondacionit “Fridrik Ebert” Alfred Dodle. Por, sidoqoftë, sipas tij, efektet e krizës dhe pasojat e saj nuk janë dhe nuk mund të jenë të njëjta në vende të ndryshme. Ndërkohë ai evidentoi se shtresat më të ekspozuara ndaj efekteve të kësaj krize janë personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe të moshuarit, si dhe njerëzit me probleme sociale të veçanta, si gratë kryefamiljare, fëmijët jetimë, etj. Gjatë një diskutimi lidhur me krizën ekonomike dhe ndikimin e saj në ekonomi dhe jetën sociale, ekspertët kanë theksuar se efektet e recensionit botërorë po ndihen në shumë sektorë, disa prej të cilëve janë bazë për zhvillimin e vendit.