Legalizimet, brenda dy javëve merret hipoteka
Fabiola Çela
Brenda dy javëve pasi merret leja e legalizimit, objekti do të regjistrohet në hipotekë, duke u bërë kështu ndërtim i ligjshëm. Zyra e regjistrimit të pasurive dhe Agjencia e Legalizimit kanë shpërndarë dje certifikatat e pronësisë për 43 qytetarë. Me regjistrimin e pronës në hipotekë ndërtimi do të quhet i ligjshëm.
Tapitë
Që prej disa muajsh, Agjencia e Legalizimit ka nisur shpërndarjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale. Ndërkohë, sipas një udhëzimi të ri, i cili sapo ka hyrë në fuqi brenda dy javëve nga marrja e lejes së legalizimit, zyrat e hipotekës kryejnë edhe hipotekimin e pronës. Qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia Rajonale e Legalizimit, do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Konkretisht, pasi merr lejen e legalizimit qytetari duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZN-it dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. Në përfundim të procesit, qytetari do të pajiset me certifikatë pronësie, në rastet kur zona është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme, ose me Vërtetim Pronësie në rastet kur zona përkatëse nuk është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Udhëzimi i miratuar parashikon regjistrimin e lejeve të legalizimit në të gjitha rastet që mund të shfaqen; si në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në pronësi të atij që ka ndërtuar, në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë që është në pronësi të shtetit, dhe në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë në pronësi private. Në rastin e fundit do të procedohet kalimi i pronësisë, nga privat në shtet, në bazë të VKM-së për shpronësimet, dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizimit. Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është parashikuar që të përfundojë brenda këtij viti. Nga procesi i legalizimit do të përfitojnë vetëm objekte të jashtëligjshme që janë vetdeklaruar dhe kanë plotësuar formularët e vetdeklarimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilët pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë shtesat e pallateve të rinj, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate, të cilat ndërtuesit nuk i janë përmbajtur planit fillestar.