E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekrem Kryeziu: Arti në Kosovë, as verë as ujë

Dikur, i mbikëqyrur në Kosova Film. Ekrem Kryeziu flet për kohën kur realizonte "Kur pranvera vonohej", për vitet e burgut politik dhe kthimin në vendin e kinemasë. Sot në filmin dhe në teatrin e Kosovës vlojnë, sipas tij, vepra që s'janë as mish, as peshk: "Duke koketuar me botën dhe fondet nga OJQ-të, që punojnë për ndërrimin e identitetit tonë, fonde me të cilat synohet të na bëjnë më shumë "evropianë" e më pak shqiptarë disa krijues janë shndërruar në qenie hibride."


Sapo ishte shpallur programi i muajit të Kulturës Shqipëri-Kosovë, kur regjisori dhe dramaturgu Ekrem Kryeziu, mori ftesën për këtë intervistë, si një nga tre autorët e filmave të zgjedhur nga prodhimet e Kosova Filmit prej vitit 1968 për t'u transmetuar në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Do të ishte mirë sikur ky rast të shfrytëzohej për të njëjtin qëllim që është shpallur: të njihemi. Jo vetëm që nuk u ftua as njëri dhe as tjetri regjisor (Isa Qosja) por së fundi mësuam se asnjë nga filmat e shpallur në program, pjesë e fondit të AQSHF, "Kur pranvera vonohet" (1979, E. Kryeziu), "Proka" (1979 I. Qosja), "Uka i Bjeshkëve të Namuna" (1968, M. Stamenkoviç) dhe "Rojet e mjegullës" (1988, I. Qosja), nuk ka për t'u projektuar. Arsyeja?

Salla e AQSHF ku ata do të shfaqeshin është shumë e ftohtë për nxënësit e shkollave; ndërsa për publikun e thjeshtë, Kinostudio duket shumë larg.


Kjo distancë mes dy shteteve të të njëjtit komb është e pashmangshme edhe tek kjo intervistë me regjisorin Kryeziu i cili kujton fillimet dhe zhvillimet të një angazhimi politik si artist dikur në Kosova Film, gati 40 vjet më parë.


Bashkë me kujtimet dhe mendimet për artin skenik që bëhet sot në Kosovë, edhe ky koleksion i vjetër fotografik nga bashkëpunimet e tij me artistët Faruk Begolli, Hadi Shehu, Nexhmije Pagarusha.


Në çfarë momenti po vinte në jetë filmi "Kur pranvera vonohet"?


Ishte një kohë kur secila nga republikat e ish- Jugosllavisë po bënte nga një film për pjesëmarrjen në luftën antifashiste.


Kosova, e cila me Kushtetutën e vitit 1974 kishte arritur një farë mëvetësie, kishte dëshirë që edhe ajo të bënte filmin e saj. Më kujtohet kur më thirrën në Kuvendin Krahinor të Kosovës. Nuk guxoja të mos shkoj sepse isha "i shënjuar".

Shpesh m'i kishin ndaluar shfaqjet teatrore dhe filmin "Gjurmë të bardha" e kishin ndaluar një javë para xhirimit. Në kabinetin e Xhavit Nimanit, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës ishte Azem Shkreli, drejtor i Kosova Filmit. Nimani mu drejtua, a mund të bëjmë një film me forcat tona. Po, i thashë.

Ai vazhdoi: "A mundesh ti e Bekim Fehmiu ta bëni këtë punë?", serish pohova dhe, Azem Shkreli u ngarkua të organizojë punën përgatitore.

Deri atëherë kisha bërë filma televizivë, dokumentarë, isha i gatshëm për një sprovë me një ekip prej rreth 100 vetash dhe do të duhej të përballem me skena masive me mbi 1000 figurantë.


Bekim Fehmiun e njihja prej Beogradit, kishim studiuar në të njëjtin fakultet, por ndodhi ajo që kurrë nuk e kisha pritur.

Konfliktet nisën nga dita e parë. Bekimi e aktronte rolin e regjisorit e regjia nuk është aktrim. Kur mendoja se ai ishte përzgjedhur nga "kori politik" që të luante rolin kryesor e dija se dështimi im është i sigurt.

U detyrova t'iu them "puna e mbarë e, pa mua"! Sado që isha i vetëdijshëm se do të hakmerreshin për "dezertimin" tim, unë u largova. Hakmarrjet erdhën shumë shpejt. Më shkarkuan nga posti i redaktorit të filmit.


Komiteti i partisë nuk ma lejonte atë post. Ishte pranverë e 1978-s, 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe shpëtimi më erdhi pikërisht nga kjo datë.


Televizioni i Prishtinës nuk kishte përgatitur asnjë dramë për këtë datë të shënuar. I ofrova Eqrem Bashës, redaktorit të dramës në TVP, dramën "Epoka para gjyqit". E shkrova për 12 ditë.

Pas suksesit të saj po hiqeshin pengesat që më mbanin të izoluar.
Kah shtatori në "skenë" u paraqit regjisori i njohur jugosllav Zhivojin Pavlloviq. Erdhi në TVP të shohë aktorët e Kosovës.

U habita pse nuk erdhi Bekimi. Në fund të vitit 1978, Azem Shkreli më ofron serish ta marr filmin dhe të nisja xhirimin më 15 janar. I thashë që së pari duhet të shkruaj librin e xhirimit, kurse Shkreli ma preu se librin e xhirimit e ka shkruar Pavlloviqi.

Ai libër ishte shkruar me do shenja që vetëm ai mund t'i deshifronte prandaj, askush pos tij nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë film. Më shkoi mendja te Bekimi. Ai sigurisht e kishte parë këtë stisje të çuditshme.


Gati të gjithë filmat televizivë ("E kafshoja terrin", "Por", "Tepricat") i kisha realizuar vetëm me skenar. Kësaj radhe inati i shqiptarit doli më i fortë se kurthi serb.


Megjithë pengesat e ekipit teknik nga Beogradi përzgjedhur nga z. Pavlloviq, realizova 6 orë film pa libër xhirimi. Ndihma ime e vetme dhe e madhe ishte Lumnije Tufa-Mikullovci, sekretare e regjisë.

Ishte një alegori ky film për situatën politike?


Ishte alegori, që prej ditës së parë deri në ditën e fundit të realizimit të filmit. Ishim nën mbikëqyrje nga instancat më të larta që shtriheshin deri të Gjeneral shtabi i Ushtrisë Jugosllave si në planin politik, edhe në marrëdhëniet ndërnacionale brenda ekipit. Ekipi nga Beogradi mbrohej siç mbrohen lopët në Indi.


Azem Shkreli, si drejtor i Kosova Filmit, ishte ndërmjet dy zjarreve. Në një anë ishin Komitetet e partisë, në anën tjetër, puna shumë e ngjeshur në terren. Ekipe politikanësh vinin si në shëtitje, uleshin në hotele të përgatitura për ta dhe, me pije dhe mish përpara shikonin në një ekran të madh atë çka xhironte kamera.


Një ditë, i stërngarkuar nga puna e rëndë në një mot me shi, vendosa ta shkyç aparatin ku "publiku" shihte atë që xhirohej. I pari që u ankua ishte Pavlloviqi, të cilin e paskëshin angazhuar si mbikëqyrës timin.

Atë e përzura nga sheshi i xhirimit.
Pas premierës në Festivalin e Pulës gazeta prestigjioze e Beogradit, "Politika", më akuzonte si nacionalist të tërbuar sepse në filmin e Kosovës territorin të banuar me "kombe dhe kombësi" unë e kisha "zbardhur" me plisat e shqiptarëve. Dhe, ishte e vërtetë që


"Kur pranvera vonohet" ishte resh me metafora, duke nisur nga ato të thjeshtat, e deri te metaforat sinestezike, të pakapshme për kokat e politikanëve serbë të asaj kohe. Kryeroli i filmit, Betim Kosova, interpretim i qëlluar i aktorit Hadi Shehu, në një skenë thotë: "Pranvera edhe mund të vonohet por, nuk mund të mos vijë."


Në film ka nocione alegorike, si në planin e dialogut, edhe në zbërthimin regjisorial të premisave estetike dhe socio-filozofike, të bollshme në skenarin e Azem dhe Ymer Shkrelit.

Këtë gjuhë ezopike e kam zhvilluar edhe në zbërthimin vizual të ideve në nëntekstin e skenarit. Personazhet e vrarë nuk treten në harresë, ato janë përcjellëse të të gjallëve. Këtë gjuhë te "Kur pranvera vonohet", që ishte risi regjisoriale, së paku në filmin e asaj kohe, e gjen edhe në disa drama "Lulëkuqet", "Komploti Ilir", "Kodi Shqiptar".


Duke dashur t'i fshehim pozicionet tona ideore-kombëtare, ne, krijuesve, na është dashur të jemi shumë të kujdesshëm.


Dikush ia dilte të mos e pësojë, dikush e pësonte. Kur më 16 nëntor të '81-shit më burgosen dhe kur me 2 qershor të '82-shit m'i shqiptuan 8 vjet burg, mu kujtua biseda me Ristiqin, shefin e laboratorit të audios në studiot "Avalla Film" në Koshutnjak të Beogradit.


Gjashtë muaj para se të më burgosnin po përfundoja katër seri të filmit "Gjurmë të bardha" të cilat kurrë nuk e panë dritën. Në projeksionin e fundit Ristiqi u habit kur më pa:

"O zot, tha, a nuk je në burg ti? Kam dëgjuar se të kanë dënuar me 8." Do të thotë, dënimin e kisha pasur të prerë para burgosjes.


Sa e ka ndihmuar kjo lloj gjuhe, pra gjuha alegorike shprehjen e kineastëve kosovarë dhe komunikimin me publikun?


Nuk e kanë pasur të gjithë fatin tim. Agim Sopi me filmin "Njeriu prej dheut", apo Isa Qosja me "Rojet e mjegullës" dhe filmin "Proka", ia dolën mbanë të thonë edhe atë që deshën po nuk e pësuan.


Njëmend edhe këta filma nuk u kursyen nga shtypi serb. U shkrua se janë me ngarkesa nacionaliste por, autorët e tyre nuk u burgosen dhe shyqyr që ndodhi kështu si ndodhi. Por aktiviteti im shtrihej edhe në teatër me "Të ngujuarit", "Trenat për veri", "Epoka para gjyqit", "Marathonomaku i madh", "Naim Frashëri", "Qeleshebardhët", në televizion me dokumentarët, edhe në publicistikë.


Në gjithë lëmenjtë e angazhimit tim intelektual veprat e mia kishin ngarkesë kombëtare. Fatkeqësisht ende jemi të mbikëqyrur, kësaj radhe jo nga Serbia por nga ndërkombëtarët... Kjo është arsyeja që sot në filmin dhe në teatrin e Kosovës vlojnë vepra që s'janë as mish, as peshk; as verë, as ujë.


Duke koketuar me botën dhe fondet nga OJQ-të, që punojnë për ndërrimin e identitetit tonë, fonde me të cilat synohet të na bëjnë më shumë "evropianë" e më pak shqiptarë disa krijues të dëshmuar kosovarë janë shndërruar në mutantë, qenie hibride.


Disa nga ata i kam kolegë dhe zemra më dhemb për humbjen e tyre. Ne nuk mund të jemi të botës pa qenë ata që jemi.


Kadareja së pari është shqiptar, e pastaj është i botës. Bota i do diversitetet prandaj, për të qenë të botës ne duhet të jemi së pari ata që jemi dhe ofertën tonë artistike duhet ta kemi të atillë që është kompatibile me "softuerin" botëror.

E keni filluar karrierën në vitin 1967 në realizimin e filmit të parë në gjuhën shqipe "Uka i Bjeshkëve të Nemuna" si asistent i regjisorit Miki Stamenkoviq. Edhe ky film do të transmetohet së shpejti për publikun shqiptar në Tiranë.


Çfarë mbani mend për realizimin e tij apo për faktin se po xhirohej i pari film në gjuhën shqipe?


I jam gëzuar inkuadrimit tim në atë film ku kam mësuar shumë. Në Fakultetin e Arteve në Beograd nuk kishim mundësi, as teknike, as materiale, që njohuritë estetike t'i provojmë në praktikë. Pata fat që u inkuadrova në Televizionin e Beogradit ku kisha mundësi të eksperimentoj me filmin.


Guximi kurrë nuk më ka munguar dhe falë atij guximi arrita të hyj te Drejtori Artistik i TV së Beogradit, të kërkoj punë dhe t'i them se jam regjisori më i mirë që kishte parë në televizion. Ai qeshi dhe unë iu përgjigja:


"Keni të drejtë të qeshni, por që t'ju bind se jam ai që po them, ju kujtoj se regjisoret tuaj, për një metër film neto, shpenzojnë pesë metra film. Unë ofrohem që të shkoj në Prishtinë dhe të xhiroj një spot muzikor, që është punë më e vështirë se xhirimet dhe regjia e mbledhjeve.

Për këtë mundësi që po kërkoj nuk ju lyp as dietë as shpenzimet e rrugës dhe, pas dy dite do të sjell punën e kryer." Dhe, arrita ta kryej punën. Atë përvojë të guximit e kam përdorur edhe te Miki Stamenkoviqi.

Çfarë kishte të veçantë puna me të?


Stamenkoviqi para këtij filmi kishte qenë gjatë asistent, më vonë edhe ndihmës i regjisorit Zhika Mitroviq i njohur për filmat aksion. Ishte njeri i zanatit. E veçanta e tij ishte liria që më ofronte.


Kërkonte shumë, nuk donte t'i dështojë projekti i parë si regjisor. Në këtë film unë mbikëqyrja skenografinë, kostumet, rekuizitat, dhe e mbaja në "nivelin shqiptar" aktorin kryesor Luba Tadiq, që ishte një emër me nam në teatrin dhe filmin jugosllav.

Si mund të merrej me një film shqiptar një regjisor i huaj?


Stamenkoviqi e shikonte vetëm si film aksioni. Për të ishte njësoj si në Kosovë, si në Spanjë, Serbi, a kudo tjetër. Të mos harrojmë, filmi nis nga skenari e skenaristë ishin Myrteza Peza dhe Abdurahman Shala, të dy shqiptarë.


Skenarin nuk kisha pushtet ta ndërroja se isha ende në "gëzhile" dhe nuk kisha "kredit" të luftoj ata që ishin shumë më të fuqishëm se unë.


Ata, fatkeqësisht, me ndihmën e skenaristëve shqiptarë, shqiptarin e paraqitnin patriarkal deri në paroksizëm. Baza e këtij skenari ishte një huazim elegant nga vepra e Gogolit "Taras Bulba". Në këtë film shfaqeshin të gjitha karakteristikat e egërsisë si një popull primitiv. Primitivët kokëgdhe ishin shqiptarët ndërsa serbët bashkëpunues me rrymat përparimtare dhe njerëz më të shtruar.


Uka, që ishte bartës i mesazhit të filmit, për hir të një bese që ua kishte dhënë komunistëve, armiqve të shqiptarëve, vret djalin e tij të vetëm. Jugosllavia gjithmonë ishte munduar të na mbajë peng.


Derisa nuk iu mundësua regjisorëve shqiptarë të bëjnë filma, regjisorët dhe skenaristët nga Beogradi na paraqitnin si ua kishte ënda, e ëndja e tyre, si atëherë, si tash, ishte dhe është e atillë, që shqiptarët duhet të paraqiteshin si njerëz të nivelit të ultë që nuk meritojnë as të drejtojnë, as të krijojnë.

Në çfarë kushtesh iu kthyet punës më 1985 pasi kishit bërë burg politik.
Në kushte të mjerueshme. Fëmijët ishin rritur, por nuk iu lejohej studimi në Prishtinë sepse ishin fëmijë të armikut.


Ju në Shqipëri e dini edhe më mirë se unë, çfarë është kjo ndjenjë. Shokët e dikurshëm kishin frikë të flasin me mua, e për të më marrë në punë, as që bëhej llaf.


Nga burgu dola me paterica sepse, gjatë nëntë muajve të marrjes në pyetje nga punëtorët e sigurimit, më kishin keqtrajtuar aq sa ma kishin degjeneruar sistemin periferik të enëve të gjakut. Falë zotit dola gjallë.


Them falë zotit, se nga disa hetues shqiptarë, që nuk kishin punuar me ne - sigurimi i shtetit nuk u besonte të punojnë me "Grupin e intelektualëve", si na kishin emërtuar për të na dënuar për bindjet tona politike - kisha mësuar se plani për vrasjen time ishte shestuar në Beograd, ku më mbanin në një burg special me roje 24 orë në dhomë me mua.


Aty më merrnin në pyetje aty më torturonin. Aty nuk tentuan të më vrasin, përkundrazi çdo mëngjes në dhomën nëntokësore me drita që kurrë nuk ndaleshin, vinte një që mu prezantua si profesor i fakultetit të mjekësisë, më kontrollonte dhe pastaj e caktonte shkallën e torturave që "edhe mishi të piqet edhe helli mos të digjet", këtë hell që tash po flas me ju e sollën nga 75 kilogramë sa i isha kur isha jashtë, në 45 kg kur dola në gjyq.


Pastaj më transferuan në Kosovë në burgun e Mitrovicës ku më priste vrasësi. Ishte ky fatkeqësisht, një i burgosur, gjithashtu politik që nga torturat kishte shkalluar.


Këtë materie e kam trajtuar në dramën time "Përplasjet" ku rolin e vrasësit, i cili falë zotit dhe zhdërvjelltësisë ime, që i dola nga kthetrat e tij të forta, dhe shpëtova ngufatjes, e luajti për mrekulli Çun Lajçi dhe që në Festivalin "Apollon" të Fierit u shpërblye me çmim special të jurisë.


Në vitet 90, me tre djemtë e mi themelova kompaninë private për prodhim filmash "Labia" (anija ilire) dhe realizova filmat për DVD "Viktimat e Tivarit", "Rruga pa kthim", "Buka e hidhur", "Pa pardon", "Sherif Patrioti" dhe "Dashuria e bjeshkëve të Nemuna".


Kjo kompani ishte një frymëmarrje posaçërisht e lirë për shikuesit anekënd botës shqiptare. Pos mbylljes së dhunshme të Televizionit të Prishtinës, "Labia" prodhoi me qindra audio dhe CD, dhe videokaseta.


Në kohën e shtrëngimit më të madh të policisë dhe ushtrisë së Millosheviqit "Dashuria e bjeshkëve të Nemuna" përfaqësoi Kosovën në Festivalin Mesdhetar më 1998 në Kranj të Sllovenisë.


Si e shihni sot rolin që "Kosova Film" ka pasur në jetën kulturore të vendit?
"Kosovafilmi ishte një oaz i vërtetë krijues ku mblidheshin të gjithë ata që merreshin apo mendonin të merreshin me film.


Pas luftës së fundit, Kosova Filmit iu "këputën krahët". Më vjen keq për këtë sepse punët e mia më të mira, filmime i kam realizuar me siglën e kësaj shtëpie filmike.


Azem Shkreli krijues i shquar, si njeri i pushtetit që ishte shërbeu si mburojë për krijuesit e filmit përderisa ata nuk e kalonin "vijën e kuqe", si ndodhi me mua. Pas daljes sime nga burgu Azem Shkreli dhe njerëzit rreth tij në Kosova Film u frikësuan pamasë kur unë lypa punë aty.


Fatkeqësisht për miopinë e tyre politike, ata ishin të bindur se duke më flijuar do të shpëtonin vetveten dhe Kosova Filmin. Nuk ndodhi ashtu. "Ujku qimen e ndërron por tabiatin kurrë jo".


Forcat e dhunshme serbe i morën të gjitha materialet dhe i dërguan në Beograd. Filmit tim "Kur pranvera vonohet" iu asgjësua një 25 minuta të ton negativit kështu që tash është e pamundur të bëhen kopje të reja.


Kopje që është shfaqur në Shqipëri, duket të ketë qenë kopje nga arkivi i Kinostudios shqiptare. Meqenëse nuk më kanë ftuar në këtë shfaqje nuk kam mundësi të flas me siguri cilën kopje ka parë publiku shqiptar.


Armiqësia e Beogradit ndaj meje është dëshmuar edhe me asgjësimin e tërë serisë të punuar mbi bazën e filmit të laureuar me Arenën e Bronzit, "Gjurmë të bardha".


Derisa isha unë në burg, kolegët e mi udhëhiqnin Kosova Filmin, ata i "blenë" filmat e tyre por asnjërit prej syresh nuk u kujtua "të blejë" edhe filmat e mi, por i lanë në gojë të ujkut. Ç'e do kështu e ka jeta.

Çfarë mendoni për kinemanë e artistëve të sotëm nga Kosova apo edhe atyre nga Shqipëria nëse i keni ndjekur.


I kam ndjekur, si s'i kam ndjekur. Fat i madh për kineastët shqiptarë që kanë qenë në një shtet komunist. Enver Hoxha ka pasur një mijë e një të zezë por e ka dëgjuar Leninin që thoshte "Filmi është propaganda më e mirë që ekziston".


Në kohën e tij nuk kishte CNN as televizione të tjera prandaj Shqipëria duke "dëgjuar" qerosin nga Kremlini, sot ka tre breza krijuesish filmikë.


Brezin e parë e lidhi me studentet e Pragës dhe Moskës, brezi i dytë me të shkolluarit në Shqipëri dhe të tretin me ata që mësuan në Shqipëri dhe në botë.


Regjisorët e dy brezave të parë dëshmojnë se janë në anën e Shqipërisë (Gjika, Milkani, Anagnosti, Kumbaro dhe Çashku). Ata me filmat e tyre me plot të drejtë denjësisht prezantohen para botës.


Kam frikë se regjisoret e brezit të tretë, pavarësisht nga shpërblimet që marrin nëpër festivale të botës, janë ende në kërkim të vetvetes. Nuk do t'i përmend emrat e tyre se mund edhe të gaboj por, ajo që më pengon është se ata sikur nuk përtojnë të pështyjnë mbi Shqipërinë. Kolegëve të m'i i uroj të kërkojnë skenarë më të mirë se ata që i kishin deri tash.


Të pështyerit mbi vendin tënd, ndoshta edhe mund të jetë "modë" e vetëkritikës apo, një formë e katarsisit të tepruar para botë, por duhet ta dimë të gjithë se me gjithë zbaticat që ka pasur, Shqipëria, shteti më i cunguar në botë kur malit i është vjedh fusha, e fushës deti, dhe ajo ende është gjallë. Detyrë e krijuesve është të emetojnë energji pozitive, jo vrastare.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›