Gjykata, gjobë 3 milionë Pollos
Zëvendëskryeministri Genc Pollo, është gjobitur sot nga Gjykata e Tiranës për shpifje ndaj një aksioneri të gazetës "Standard"
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, për herë të parë në historinë disavjeçare të demokracisë në vend, ka vendosur dënimin me gjobë të një Zv/kryeministri.
Genc Pollo është dënuar me 3 milionë lekë të vjetra gjobë, për kryerjen e veprave penale të "fyerjes dhe shpifjes" të adresuara ndaj një prej aksionerëve të një gazete të përditshme informative në vend.
Kjo shpifje dhe fyerje, sipas vendimit të gjykatës, është konsumuar nga Zv/kryeministri Pollo në kohën që mbante portofolin e Ministrit të Arsimit.
Gjyqtarja e vetme civile, Enkela Bajo, pas shqyrtimit të kërkesë padisë së bërë nga shtetasi Arjan Çukaj, një nga aksionerët e një të përditshmeje, vendosi ta dënojë me gjobë prej 300 mijë lekë të reja ish-Ministrin e Arsimit, Genc Pollo për akuzën e shpifjes dhe fyerjes.
Ky vendim i gjyqtares Bajo, u shpall pasditen e djeshme, pas disa seancave gjyqësore ku palët paraqitën pretendimet e tyre para gjyqtares, ku ish-ministri Pollo akuzohej për "shpifje dhe fyerje" ndaj biznesmenit Çukaj.
Ky i fundit, pas shpifjeve të adresuar ndaj tij dhe familjes, i është drejtuar me një padi Gjykatës së Tiranës, që kishte si objekt pagesën e dëmshpërblimit të dëmit moral dhe financiar ndaj tij dhe familjes për shpifjet dhe fyerjet e kryera gjatë një konference për shtyp nga Pollo.
Gjithashtu, po kjo gjyqtare, nga ana tjetër vendosi të dënojë me gjobë, me shumën prej 100 mijë lekëve të reja edhe biznesmenin Çukaj. Kjo masë është dhënë për reagimin e tij tri ditë pas kësaj deklarate së ish-ministrit të Arsimit, ku Çukaj pretendon se është fyer dhe shpifur në adresë të tij.
Sipas vendimit, shpifja e ish-Ministrit të Arsimit tashmë në detyrën zv\kryeministrit, Genc Pollo, ka ndodhur në muajin tetor të vitit 2007, ku gjatë një konference për shtyp ai ka hedhur akuza ndaj biznesmenin Çukaj, për shantazh me anë të shkrimeve të botuara në gazetën ku ky i fundit është aksioner.
Në atë konferencë, ish-ministri Pollo e kishte akuzuar botuesin e gazetës për shantazh, për shkak të publikimit të raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, denoncimet e profesorëve të Universitetit të Tiranës dhe cilësimin si antiligjorë të disa tenderëve të zhvilluar nga Ministria e Arsimit dhe Agjencia e Prokurimeve Publike.
Në atë kohë, pas publikimit të këtyre materialeve zyrtare nga ana e gazetës, ish-ministri Pollo pa iu përgjigjur akuzave të ngritura nga këto institucione kushtetuese dhe ligjore, denoncoi para medieve se po i bëhej shantazh atij dhe institucionit që ai drejton nga kjo gazetë ku Çukaj është një nga aksionerët e saj.
Sipas denoncimit të ish-ministrit të atëhershëm të Arsimit, Pollo, gazeta ku Çukaj është aksioner po i bënte shantazh me anë të shkrimeve në këtë gazetë për të arritur qëllimin e fitimit të një licence për hapjen e një universiteti privat.
Ish-ministri kishte deklaruar se universiteti që ka bazën në Qipro dhe është i akredituar në rrjetin e Uellsit, ishte shkollë e mesme, pavarësisht se jepte diploma "bachelor" dhe "master", të njohura në Bashkimin Evropian.
Këto pretendime të ish-ministrit Pollo, gjyqtarja Bajo i ka vlerësuar si të pa mbështetura në prova dhe në ligj, duke i cilësuar si pretendime të pavërteta.
Gjithashtu, mësohet se reagimi dhe fjalori i ish-ministrit Pollo në lidhje me shkrimet që botoheshin në gazetën ku biznesmeni Çukaj është aksioner, janë cilësuar si fjalë të ulëta dhe shpifje përkundrejt sipërmarrësit pivat.
Në të njëjtën kohë, gjykata vendosi të dënojë edhe aksionerin e gazetës, Çukajn, me 100 mijë lekë të reja gjobë, për përmbajtjen e reagimit të tij ndaj shpifjeve të ministrit, tri ditë pas konferencës së Pollos, në tetor të 2007-s.
Gjithashtu, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë po shqyrtohet edhe një padi tjetër ndaj ish-ministrit të Arsimit Genc Pollo nga një kompani kompjuterike, e cila i kërkon institucionit që ai drejtonte një dëmshpërblim prej 70 milionë lekësh të reja, për vonesën e pagesës së produkteve që kompana i ka shitur Ministrisë së Arsimit.