Fenomeni, largohen krerët e LSI-së në Kamëz dhe Laprakë
Kreu i LSI-së në Kamëz, Ramazan Buzi, ka dorëzuar dje teserën e kësaj force. Buzi: Meta po punon për Berishën
Largimet nga Lëvizja Socialiste për Integrim, jo të anëtarëve të thjeshtë, por të drejtuesve të strukturave drejtuese të saj, tashmë nuk përbën një lajm.
Pas largimeve të njëpasnjëshme të anëtares së kryesisë dhe zëvendëssekretares së përgjithshme, Brisilda Gjikondi, anëtarit të kryesisë, Pjerin Ndreu, kreut të Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormenaj dhe kryetares së LSI-së së Shkodrës, Esmeralda Uruçi, dje janë larguar dhe kryetari i kësaj force për njësinë 11, atë të Kamzës, Ramazan Buzi dhe 15 kryetarë organizatash në zonën e Laprakës.
Shkaku është i njëjti si dhe për të parët; mungesa e demokracisë në parti dhe prirjet autoritariste të kryetarit të kësaj force, Ilir Meta. Gjatë një komunikimi me mediat, kreu i LSI-së për Kamzën, Ramazan Buzi, nuk ka nguruar ta akuzojë Metën se, për qëllimet e tija personale, po dëmton fitoren e së majtës në zgjedhjet e qershorit.
"Edhe pse në dukje pjesë e opozitës, Ilir Meta po bën gjithnjë e më shumë lojën e PD-së dhe të Sali Berishës. Unë dhe 15 kryetarë organizatash të LSI-së në Laprakë, mendojmë se Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i duhen edhe 4 vjet të tjera qeverisje të Sali Berishës.
Ne jemi të bindur se Shqipërisë dhe shqiptarëve i duhet një ndryshim i madh dhe ky ndryshim po pengohet sot nga Ilir Meta, i cili thjesht për interesa personale po i shërben Sali Berishës, duke sulmuar opozitën dhe nxitur përçarjen që mban Sali Berishën në pushtet", - u shpreh Ramazan Buzi.
Por, përveç largimit nga LSI-ja, të larguarit kanë deklaruar se destinacioni i tyre i ri politik do të jetë pranë PS-së, të cilën ata e konsiderojnë si opozita e vërtetë.
"Në këto kushte, së bashku me 15 kryetarë organizatash të LSI-së në Laprakë, japim dorëheqjen e parevokueshme dhe largohemi nga LSI-ja, duke u bashkuar me opozitën reale, pasi besojmë se detyra dhe qëllimi ynë nuk duhet të jetë mbajtja në pushtet e Sali Berishës, por largimi i tij me çdo kusht", - tha Buzi.