Turistët e rrëmbyer, Egjipti përgënjeshtron lirimin
Edhe qeveria egjiptiane, pas një nate me lajme kundërshtuese, e përgënjeshtroi zyrtarisht lirimin e turistëve të marrë peng, mes të cilëve pesë italianë, pesë gjermanë dhe një rumune. Në një komunikatë zëdhënësi i ministrisë që citohet nga agjencia kombëtare e lajmeve u shpreh se “pohimet për lirimin e pengjeve nuk janë të sakta. Informacionet që vijnë tregojnë se situata është e pandryshuar.”
Italia e përgënjeshtroi lajmin e dhënë nga ministri i Jashtëm egjiptian se pengjet ishin liruar që mbrëmë. Fratini deklaroi se ata nuk mund ta mbështesnin lajmin për lirimet. Madje edhe vetë ministri egjiptian i Turizmit korrigjoi kolegun e tij në qeveri duke thënë se nuk ishte e mundur që turistët të ishin liruar, pasi ende po vazhdonin negociatat. Turistët u rrëmbyen të premten në jug të Egjiptit, në zonën e Karkur Talhut, Brenda kufijve sudanezë. Mes të rrëmbyerve, veç 5 shtetasve italianë, 5 gjermanëve, një rumuneje me banim në Gjermani, ishin edhe tetë shtetas egjiptianë.