Ekskluzive/ Mihal Luarasi: Nexhmija, kriminele me mua dhe artistët
TIRANE- Mihal Luarasi nuk çuditet nga Nexhmije Hoxha. Gjithçka tha në dy daljet e saj publike në media ditët e fundit, për Luarasin nuk shkaktojnë habi. Prej saj ai pret gjithçka. “Ajo është sjellë si kriminele me shokët e vet të kohës së luftës. Ajo ka kryer plot gjysmën e dëmit kolosal që iu shkaktua letërsisë dhe artit në diktaturë. Gjysmën tjetër e kreu Enver Hoxha”. Regjisori i festivalit të 11-të, i dramës së Minush Jeros që shkaktoi tërmet te Enver Hoxha, “Njollat e murrme”, regjisori i dramës së parë të Fadil Paçramit që shkonte kundër vijës së regjimit, “Çështja e Inxhinier Sajmirit”, sot në 100-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës ndihet i zhgënjyer nga shteti demokratik në Shqipëri. I zgënjyer, sepse nuk është bërë ende ndarja siç i takon me atë regjim. Në këtë intervistë, për “Gazetën” Mihal Luarasi na rikthen në vitet kur vuajti dënimin pse zgjidhte të bënte regjinë e dramave të ndaluara, në vitet kur u detyrua të punonte si bojaxhi i gjithë shkollave e kopshteve të Tiranës…
Rrëfimi i gjatë i Nexhmije Hoxhës në prag të 100- vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, ka ngjallur këto ditë shumë reagime. Si e përjetuat atë rrëfim?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje më duhet të kthehem pas në kohë, tre vite më parë, kur ne artistët e festivalit të 11-të, u mblodhëm në Arkivin e Shtetit, sepse kompozitori Tish Daija do t’i dorëzonte këtij arkivi partiturat e 6 këngëve të festivalit të 11-të. Ishin partitura që ai i kishte ruajtur që atëherë, ndërkohë që ne të tjerët i kishim djegur e zhdukur.
Pjesëmarrja ishte e madhe. Në një moment para se të hapej takimi, nga një kulisë, një derë tjetër e arkivit del Nexhmije Hoxha dhe ulet në një cep. Ne u shtangëm të gjithë. Disa u çuan për të ikur. Edhe unë doja të ngrihesha, por Edi më bëri shenjë të ulesha. Dikush tha, po dale more, mos ka ardhur të kërkojë falje…. Por ajo nuk kishte ardhur për të kërkuar falje. Kishte ardhur për të thënë se “ju jeni ata që unë kam dërguar në burgje, e internime pikërisht për atë festival. Dhe unë jam këtu, e ju nuk do të më harroni kurrë…”.
Me dy daljet e saj të reja, si në intervistën me gazetaren Xhunga, por edhe në intervistën e ‘Gazetës Shqiptare’, unë nuk u çudita. Nuk çuditem fare me qëndrimin e saj, jo vetëm për të mos kërkuar falje, por për të mos pranuar asgjë nga krimet e diktaturës. Nuk çuditem sepse, vetë shteti demokratik nuk ka një qëndrim të qartë e të prerë, karshi të kaluarës së hidhur të popullit shqiptar, kur zonja në fjalë nuk ishte vetëm bashkëshorte e diktatorit, por ishte krahu i djathtë i tij. Megjithatë, kjo zonjë ka një të drejtë dhe ka një mbështetje, që mban këtë qëndrim, që ka guximin të dalë publikisht, që ka guximin të botojë një libër me gënjeshtra, siç është libri i saj “Jeta ime me Enverin”.
Njerëzit e Dhjetorit, studentët dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në revoltën e atyre ditëve që përfunduan me rrëzimin e statujës së diktatorit, janë të zhgënjyer nga shteti shqiptar demokratik i sotëm që nuk e ka përkujtuar, ditën e rënies së monumentit. Ajo datë simbol është pika e kthesës nga një regjim, në një demokraci dhe kjo datë nuk përkujtohet. Ç’do të thotë kjo gjë? Pse partia trashëgimtare e Partisë së Punës së Shqipërisë, ende nuk është distancuar nga figura e Enver Hoxhës? Unë nuk mendoj se udhëheqësit e sotëm të partisë janë enveristë, por nuk distancohen vetëm nga një fakt banal, që po ta bëjnë këtë gjë, mund të humbin nja 150 mijë vota të atyre pleqve adhurues të Enver Hoxhës. Në këtë atmosferë, pse të mos bëjë qejf Nexhmije Hoxha, duke bërë karshillëk me të gjithë popullin shqiptar, me të gjithë ne?
A keni pasur ju përballje direkt me Nexhmije Hoxhën?
Mua më kujtohet një rast i vitit 1964. Ishte pleniumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Rastisi që unë isha ulur në një resht, prapa kolltuqeve, ku ishte ulur Nexhmije Hoxha dhe Fiqerete Shehu. Disa ditë përpara në revistën “Nëntori” ishte botuar një shkrim pa autor, që siç rezultoi më vonë ishte vënë nga drejtoria ideologjike e Komitetit Qendror, ku kritikoheshin rëndë disa drama të botuara në atë revistë. Ndër to ishin dramat “Dueli” e Qamil Buxhelit, dhe drama e Fatos Arapit “Drama e një partizani pa emër”. Në një moment të mbledhjes, Fiqerete Shehu kthen kokën pas dhe më thotë ‘Mihallaq do të flasësh ti’, dhe unë u çova e thashë: “këto dy drama dhe dramat e tjera botuar në “Nëntori” janë vepra me vlera të vërteta dramaturgjike dhe jo vetëm kaq, por edhe me vlera të vërteta si mesazhe pozitive. Nexhmije Hoxha ishte vetëm 2 metra larg meje, larg foltores, dhe filloi të më shigjetojë me ata sytë e saj të njohur dhe vazhdimisht i drejtohej Fiqeretes. Sigurisht ajo ishte bashkautore e sulmit ndaj atyre dramave dhe nuk mund t’i duronte fjalët e mia.
Si dhe pse u dënuat ju z.Luarasi?
Në disa nga shfaqjet e mia janë thënë ca të vërteta, të cilat ishin të papranueshme për regjimin, pra ajo kohë nuk më kishte inat mua kot më kot. Sepse unë isha me biografi të mirë. Unë kam qenë partizan dhe nga kjo anë s’kishin pse të më mbanin ndonjë mëri mua. Por ajo që i bëri të më godasin e të më çonin atje ku më çuan, ishte veprimtaria ime artistike në teatër. Kur më transferuan në Korçë, drama e parë që vura në skenë ishte “Mbarimi i shkollës, fillimi i shkollës”. Unë e dija pozicionin e autorit. Ky ishte Pëllumb Kulla. Por sërish e bëra shfaqjen, edhe pse në provat e përgjithshme ma ndaluan duke më thënë se ky autor është i deklasuar. Në atë kohë Pëllumb Kullën e kishin hequr nga teatri i Vlorës, ku punonte dhe e kishin çuar në gurore.
Pastaj vazhdoi historia ime me drama të tjera po në atë teatër. Duhet të ndaloj te “Njollat e murrme”. Në atë dramë thuhej me mjete skenike, me mjete të dramaturgjisë se pretendimi i partisë se ka ndërtuar njeriun e ri, ishte një gënjeshtër. Këtë e kuptoi shumë mirë Enver Hoxha, si dinak që ishte. Duhet thënë se e kuptoi vetëm ai. Të tjerët nuk e kishin kuptuar. Pasojat, pas kësaj diheshin. Por unë vijova rrugën time. Menjëherë pas “Njollave të murrme” vura dramën tjetër po të këtij autori “Të pamposhtur”, për të cilën Enver Hoxha në plenumin e katërt tha: “Këta kanë dashur të tregojnë se janë të pamposhtur ndaj partisë”. Pastaj erdhi festivali i 11-të, historia e të cilit njihet mirë tashmë. Enver Hoxha e kishte ndjekur festivalin në televizor, nga Vlora, ku ndodhej. Kur u kthye në Tiranë i thanë se regjisori i festivalit isha unë dhe ai tha vetëm kaq: Prapë ky?!!?
Një muaj e gjysmë pas festivalit, unë kisha në dorë një dramë amerikane, “Orfeu zbret në ferr”, e cila gjithashtu u ndalua në provat e përgjithshme, megjithëse Kadareja dhe intelektualë të tjerë ndërhynë dhe debatuan me udhëheqësit e partisë për të mos e ndaluar shfaqjen, sepse ajo vepër megjithëse ishte amerikane, nuk i thurte himn Amerikës, përkundrazi e kritikonte. Një vit para këtyre, kishin goditur “Traviatën” që vura në opera. E me të gjitha këto e mbusha kupën. Përfundimi dihet…
Më tregoni pak për burgun?
(Hesht për një farë kohe dhe vazhdon…) Sikur jeta e njeriut të mos ishte kaq e shkurtër, çdokujt do t’i bënin mirë disa vjet burg, sepse atje e njeh më mirë vetveten dhe njerëzit. Unë në burg jam pasuruar kaq shumë me njohje karakteresh, me fshatarë të thjeshtë e me intelektualë, me njerëz të profileve të ndryshme njerëzore, me klerikë, sidomos me klerikë... Disa të çudisnin me atë ndryshim që kishin pësuar në burg. Kam njohur një politikan, i cili mblidhte bishtat e cigareve të të tjerëve për të krijuar një cigare për vete, dhe ishte i sigurt atje brenda e thoshte se “shokun Enver e kanë keqinformuar për mua, dashakeqët e mi”.
Por kam njohur dhe burra të vërtetë. Intelektuali Pjetër Mushkalla që rastësisht ishte dhe prift, nga i cili kam mësuar shumë gjëra, u thirr njëherë nga komanda e kampit (duhet thënë se ai zotëronte disa gjuhë, ndër të tjera dhe spanjishten) dhe i thotë komandanti i burgut, duam të na përkthesh në shqip këtë libër. Ai u përgjigj: Dua ta lexoj njëherë dhe pastaj të them e përkthej apo jo. Mirë, i tha ai, lexoje. Mushkalla e lexoi dhe u kthye sërish. I thotë: Unë nuk e përkthej këtë libër, sepse bie ndesh me parimet e mia. Sikur të thonin ty të përktheje një libër që flet kundër manifestit komunist do ta përktheje ti? Jo, i tha komandanti dhe i bëri shenjë të ikte…
Ju u dënuat me 8 vjet burg, sa vuajtët dhe ku?
Po, u dënova me 8 vjet burg, sikurse dhe shumë të tjerë, por bëra vetëm 6 vjet burg në Ballsh.
Pastaj ju u detyruat të bëni punë të rëndomta, apo jo…
Po, pas këtyre 6 viteve burg, unë përfundova bojaxhi dhe kam lyer të gjitha shkollat dhe kopshtet e Tiranës, për dhjetë vjet. I kam lyer nga dy-tri herë. Pas vdekjes së Enver hoxhës dhe pas asaj periudhe që nisi, si të thuash një lloj liberalizimi nga ana e Ramiz Alisë, në një cep të një rruge të Tiranës më takon një profesor i gjimnazit “Qemal Stafa”, dhe më thotë: He ç’kemi ndonjë gjë për ty? Çfarë, i thashë. Po ja shumë gjëra po ndryshojnë, nuk do të të kthejnë në teatër? Jo, i thashë as më kanë kthyer e as besoj të më kthejnë. Dhe ai me atë dialektin e tij tiranas me tha: Po pse mër jahu, ti fajet jo vetëm që i lave, por dhe i lyve. Gjimnazin “Qemal Stafa” e kisha lyer shumë herë gjatë atyre dhjetë vjetëve.
Është e vërtetë që Nexhmije Hoxha ka vënë vulën në shumë dënime shkrimtarësh dhe artistësh?
Duhet thënë se dëmi i madh që i ka sjellë letërsisë dhe arteve Enver Hoxha duhet pjesëtuar në dysh, se gjysma e tyre i takon Nexhmijes.
Ju keni punuar si regjisor me një prej dramave të shumëpërfolura të Fadil Paçramit dhe e keni njohur nga afër. Ndjesa që Nexhmije Hoxha shfaqi për rastin Paçrami kishte dy anë të medaljes. Cila ishte arsyeja e vërtetë e përçarjes mes tyre? Ata kanë qenë miq të afërt në kohën e luftës...
Siç dihet, të gjithë dramat e Fadil Paçramit i pati vënë në skenë Kujtim Spahivogli. Unë isha në Korçë atëkohë, kur më mori në telefon Fadili dhe më tha se donte të fliste me mua. Ishte vitit 1971. Ishte faza e fundit e qëndrimit tim në Korçë. Ma tha se kishte një dramë e donte ta vija unë në skenë. Fadili ishte sekretar për ideologjinë në Komitetin e Partisë së Tiranës. Donte ta vinte në Teatrin e Durrësit. E lexova dramën. Ishte e para dramë e tij që binte ndesh me vijën e partisë, “Çështja e inxhinier Sajmirit”. E vumë në skenë. Pati reagime nën zë, por nuk morën parasysh vërejtjet. Drama shënoi sukses të madh. E sollëm edhe në Tiranë. Edhe këtu, pritja qe e mirë. Bëmë një takim me studentët e Universitetit të Tiranës që e kishin parë shfaqjen. U tërbua partia. Nuk na lanë ta shfaqnim me tepër se një herë. Edhe pse kishte kërkesa e mbyllën, e ndaluan.
Pse? Çfarë elementesh të saj binin ndesh me sistemin?
Sepse inxhinier Sajmiri ishte një arkitekt modern që e luftonin konservatorët. Kaq shumë e luftojnë sa e nxjerrin edhe në gjyq për ta dënuar. Pra heroi pozitiv shkon në gjyq. Kjo nuk mund të konceptohej. Dhe mendime të tilla Paçrami ka pasur. Jemi takuar shpesh me Fadilin pas ’90-ës. Edhe kur isha në Budapest më dërgonte dramat e tij atje. Në një kohë që ndonjë tjetër edhe pas daljes nga burgu mbeti sërish komunist dhe ithtar i partisë, Fadili u distancua dhe nuk pati më asnjë kontakt, as me mikun e tij të dikurshëm, Ramiz Alinë, dhe nuk donte të kishte të bënte më me politikën.
Enver Hoxha si mediokër që ishte e kishte zili Fadil Paçramin që ishte i famshëm si dramaturg, dhe ai disa herë dhe publikisht ka bërë aluzioni se Fadilit nuk i duhej ajo punë. Por nëse i thonin Fadilit të bënte një zgjedhje, ai do ta linte partinë, për dramën. Nuk kam njohur të atillë si ai aq i apasionuar pas dramës. Plot 60 drama ka shkruar në burg. Dhe Nexhmija ka paturpësinë të tallet me atë njeri, duke thënë se mi çonte edhe mua dramat. Ajo është sjellë si kriminele me shokët e vet të kohës së luftës. Dhe Fadili ishte një prej shokëve të saj të luftës. Po ashtu u soll edhe me Liri Belishovën. Kur kjo i lutej në një letër që ta linte të shkonte për të parë vajzën në spital e cila po vdiste nga kanceri, ajo nuk iu përgjigj. Por goditjen më të bukur asaj sy më sy, ia ka bërë ish-shoqja e saj e shkollës “Nëna mbretëreshë”, Nermin Vlora, pasi vajti e takoi Nexhmijen dhe ia këndoi të gjitha krimet e që ajo bashkë me të shoqin kishin bërë kundër familjes së Ismail Qemalit dhe në fund i tha: Nexhmije, dil para popullit dhe kërko falje. Nuk mund të shkosh në varr me këto mëkate që ke bërë”.
Ju thoni se nuk ju çudisin qëndrimet e Nexhmije Hoxhës. Atëherë, ç’raport duhet mbajtur me gjithë atë ç’ka ndodhur në Shqipëri për afro gjysmë shekulli?
Mendoj se ende nuk janë larë hesapet. Çështja e ndarjes nga e kaluara komuniste nuk fillon nga koka, por nga bishti. Ja marrim shembullin e dosjeve. Ç’janë dosjet? Partia e punës, diktatura e Enver Hoxhës, ndërtoi sistemin e tmerrshëm të spiunimit reciprok në Shqipëri, që i detyroi shqiptarët të spiunojnë njëri-tjetrit. Këtu duhet filluar larja e hesapeve, e jo te bishti që janë dosjet e atyre spiunëve të vegjël. Janë këto arsyet që mua nuk më çudisin farë qëndrimet e Nexhmije Hoxhës.
Që prej kohës së dënimeve që pësuat e deri më sot, a keni menduar ndonjëherë për hakmarrje?
Po, kam menduar dhe e kam realizuar. Më 1995 pata mundësi të bëj një hakmarrje me një shfaqje kundër diktaturës, se më parë as teatri nuk më afroi, nuk më kishin ftuar asnjëherë. Unë isha në Hungari. Më 1995 erdha e vura dramën “Hekurat”, e cila ishte krejt kundër diktaturës, dhe kundër udhëheqësit, edhe pse nuk ishte dramë shqiptare. Mesazhet e saj ishin shumë të forta.
Ju vetë morët ndonjë mesazh pas kësaj shfaqje?
Po, në “Zërin e Popullit”, dhe me ç’farë teze...!!! “Ende me diktaturën? Me diktaturën duhet të merret historia tashmë jo më teatri”. Dhe ja, erdhi 2008 dhe ne ende flasim për diktaturën. Dhe duhet të flasim….
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)