Ekskluzive/Eliot Engëll: Ja si e shoh unë ardhmërinë e reformave të Shqipërisë, heqjen e vizave si dhe marrëdhëniet e reja me Kosovën
Në një intervistë të posaçme me kryeredaktorin e gazetës, Ilir Nikolla, pak para largimit nga Tirana, kongresmeni Eliot Engëll flet për domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, që do të përmirësonin imazhin e vendit, natyrën e re të marrëdhënieve që Shqipëria duhet të ngrejë me Kosovën, si dhe momentin kur mendohet se mund të garantohet lëvizja e lirë e shqiptarëve drejt SHBA-së
Të hënën në mbrëmje, kongresmeni Eliot Engëll i dha kryeredaktorit të gazetës “55” Ilir Nikolla një intervistë të posaçme, në të cilën u ndal gjerësisht tek ndryshimet që gjente tek shqiptarët, që nga vizita e tij e fundit në Shqipëri, si dhe tek domosdoshmëria e vazhdimësisë në këtë kurs, një vazhdimësi që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e ditës. Gjatë intervistës, kongresmeni Engëll ndalet edhe tek tema mjaft të rëndësishme të ditës, si marrëdhëniet e privilegjuara që duhet të vendosen mes Shqipërisë dhe Kosovës, vijimit të reformave për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në botë si dhe mundësisë së liberalizimit të afërt të regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si një provë e marrëdhënieve të privilegjuara që ekzistojnë mes dy kombeve tona.
Më poshtë vijon intervista e plotë e kongresmenit të Nju-Jorkut, Eliot Engëll
Ju keni qenë në Shqipëri për herë të fundit para disa vitesh. Çfarë ndryshimesh keni vënë re gjatë vizitës tuaj këto ditë?
Saktësisht kam ardhur herën e fundit në Shqipëri para katër viteve, në kohën kur vendi juaj po përgatitej për zgjedhjet e 2005-s. Kam ardhur në Shqipëri edhe herë të tjera dhe ajo që më bie në sy është se tashmë Shqipëria dhe Tirana kanë marrë një pamje perëndimore. Asokohe, kur erdha për herë të parë në vitin ’93, Tirana më shumë i ngjante një qyteti me hije shumë lindore. Shoh njerëz të rinj, njerëz të qeshur, vajza të bukura. Gjithkush mundohet ta shijojë jetën në mënyrën e vet. Kam udhëtuar edhe në Shkodër e Sarandë e qytete të tjera. Tashmë shoh se Shqipëria është në rrugë të mbarë; shoh një demokraci në lëvizje, një vend që synon anëtarësimin në BE dhe që tashmë është anëtar në NATO. Konstatoj gjithashtu me kënaqësi se shqiptarët vijojnë të mbesin akoma më shumë në qëndrimet e tyre krenare shumë pro-amerikane.
Cila është vlera... ç’impakt mendoni se që do të japë përfundimi i rrugës Durrës-Prishtinë, në hapësirat ndërshqiptare, por edhe në rajon?
Shikoj se kjo rrugë ka përparuar shumë. Kjo rrugë është sigurisht shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Mendoj se ajo do ta bëjë Shqipërinë të ketë një rol tashmë më të rëndësishëm në rajon. Njerëzve nga Kosova, rajoni dhe Europa do u mundësohet një mënyrë më komode dhe më e shpejtë për të ardhur në Shqipëri. Gjithashtu mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme për Maqedoninë e madje për vetë Serbinë. Kosova dhe sidomos Shqipëria, do të përfitojnë shumë prej saj nga ana ekonomike. Kemi parë pamje të mrekullueshme të rrugës; shkuam të vizitojmë nga afër një tunel ku po punohej me ritme të larta dhe përshtypja që na u krijua ishte vërtetë mëse mbresëlënëse, për të mos thënë më shumë. Pra në mënyrë të përmbledhur: më pëlqen ndërtimi i kësaj rruge, ecuria e saj dhe jam mëse i bindur në vlerat e saj të padiskutueshme.
Shqipëria gjendet në një moment të rëndësishëm reformash. Sa e rëndësishme është vazhdimësia për vendin tonë, qoftë e reformave, qoftë e aktorëve që i mundësojnë ato – pra me një fjalë, e klasës apo elitës së saj politike?
Mendoj se është shumë e rëndësishme të vijojë lufta kundër korrupsionit, kundër trafikut të drogës e kundër trafikut të qenieve njerëzore. Mendoj se çdo qeveri shqiptare (pavarësisht nga zgjedhjet), duhet t’i ketë këto në qendër të vemendjes. Nga ana tjetër konstatoj se është bërë shumë progres në shumë aspekte që lidhen me reformat madhore në vend, por duhet bërë më shumë. Kjo sigurisht që do të kërkojë kohën e vet.
Gjithsesi është e rëndësishme të theksohet se Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur e s’ka nevojë për shndërrime, mjaft që të vijohet me thellimin e luftës kundër korrupsionit, trafiqeve ilegale etj.
Le të kalojmë pak edhe tek çështjet rajonale. Ndalemi tek problematika ndër-shqiptare. Edhe Kosova ka sfidat e veta për të kapërcyer. Sipas mendimit tuaj, si mund ta ndihmojë në mënyrë më specifike Shqipëria Kosovën? Si duhet të jetë natyra e marrëdhënieve mes dy shteteve?
Mes Kosovës e Shqipërisë duhet të ulen edhe më tej disa barriera ekzistente tregtare, të cilat kanë ndikimin e vet negativ. Njerëzit duhet të lëvizin lirshëm nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë, të dyja vendet.
Po ashtu mendoj se Shqipëria duhet të vijojë të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-të, për të ndikuar në vendet e tjera që të njohin Republikën e Kosovës. Gjithashtu mendoj se Shqipëria mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbledhjen dhe afrimin e të gjithë aleatëve strategjikë në ndihmë të këtij objektivi primar.
Në Kosovë po punohet fort për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor, fushë në të cilën mund të kontribuonte edhe Shqipëria. Pra Shqipëria duhet të jetë si një “vëlla i madh” për Kosovën. Madje besoj se tashmë që Shqipëria është anëtar i NATO-s, mund ta ndihmojë edhe më konkretisht Kosovën, duke u shndërruar në yllin polar për rrugën e integrimit euro-atlantik, që duhet të ndjekë shteti i Kosovës.
Besoj se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës tashmë kanë hyrë edhe në një kahje të vërtetë marrëdhëniesh ndërshtetërore, duke qenë se Republika e Kosovës ka një ambasadë të sajën në Tiranë, prandaj mund të kujtoj se kjo përfaqësi ka gjithsesi një rol për të luajtur në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Zoti Engëll, besoj se Jeni i informuar në lidhje me përgatitjet më të fundit që po bëhen këtu tek ne për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në vend. Si i vlerësoni ato?
Është pikërisht ajo çfarë unë thashë në parlamentin shqiptar. Mendoj se është e rëndësishme që zgjedhjet e qershorit të jenë të ndershme dhe të lira. Dhe që secili shqiptar të ushtrojë të drejtën dhe të ketë mundësi të votojë. Unë e di që është duke u ndërtuar një sistem i tërë për ta mundësuar këtë. Për të arritur këtë, qeveria është duke bërë çdo veprim të mundshëm për të pajisur qytetarët me karta identiteti. Prandaj mendoj se të dyja palët politike duhet t’i inkurajojnë qytetarët që të pajisen me këto karta dhe të kujdesemi shumë që të gjithë ata persona të aftë për votim, të pajisen me to para se të fillojnë votimet.
Për njëfarë kohe, në Perëndim u kultivua një imazh i keq për shtetin shqiptar, i cili u transferua edhe tek shqiptarët, për shkak të mediatizimit të fenomeneve të trafiqeve dhe të korrupsionit. Cila do të ishte këshilla juaj, ç’duhet të bëjnë më tepër autoritetet, klasa politike, por edhe të gjithë ne, në mënyrë që sa më shpejt të eliminohet kjo gjurmë?
Shqipëria është një vend për të cilin mund të themi se ka një të shkuar të errët dhe e vërteta është se ajo ka vuajtur nga një diktaturë e tmerrshme, instaluar nga Enver Hoxha, e cila e çoi vendin drejt greminës. Që nga koha kur ai vdiq, kanë kaluar pothuajse 25 vjet. Nëse sheh progresin që ky vend ka bërë që prej atyre viteve, ritmet janë pothuajse të pabesueshme. Nga një shoqëri e mbyllur e paranojake, në ditët e sotme kemi një demokraci e një Shqipëri, si aleatë perëndimore e familjes së kombeve perëndimore. Kemi anëtarësimin e saj në NATO. E gjitha kjo është thuajse e pabesueshme. Gjatë gjithë asaj kohe (diktaturës), shqiptarëve u është thënë të ruhen nga armiqtë, se amerikanët ishin armiku juaj. Por në fakt, shqiptarët nuk e besuan kurrë këtë.
Ndërkohë që sot pothuajse të gjithë shqiptarët janë të bindur se Shtetet e Bashkuara janë miqtë e tyre më të mirë. Kështu që mendoj se imazhi i Shqipërisë është pozitiv dhe do të bëhet akoma më pozitiv me kalimin e kohës. E dimë të gjithë se ka një problem me korrupsionin. Ka ende probleme, por gjithsesi mendoj se ngjarjet po lëvizin në drejtimin e duhur, drejt zgjidhjes së tyre përfundimtare. Pra e thënë ndryshe, ka më pak korrupsion, më pak trafiqe.
Kur mendoj rreth Shqipërisë, ajo çka më vjen menjëherë ndërmend (dhe jo vetëm mua), është imazhi i një vendi në lëvizje, panorama e njerëzve dinamikë.
Shqiptarët mbahen si populli më pro-amerikan në botë. Nisur nga kjo, a mund të pretendojnë ata për një trajtim më të privilegjuar në lëvizjen e lirë drejt SHBA-ve, duke mbajtur parasysh se jemi shumë pranë finalizimit të procesit të liberalizimit të vizave me BE-në?
Kufizimet e vizave dhe të lëvizjes së lire, ashtu sikurse edhe e dini, erdhën pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Kjo është edhe arsyeja kryesore se pse, në disa raste, hasen vështirësi në marrjen e vizave. Unë besoj se po ndërmerren hapa në drejtim zbutjes së pengesave që sjellin bllokimin e lëvizjes së njerëzve. Për këtë po ndërmerren disa hapa nga administrata qendrore në Uashington. Ne akoma kemi kërcënime - siç e dini - nga segmente të ndryshme me kahje ekstremiste e që shfaqen në mënyra të ndryshme. Po ashtu ne përballemi akoma me një numër shumë të madh ilegalësh nga komunitete - sidomos latinoamerikane - e shkelës të ligjeve të emigracionit e më tej. Ka njerëz që vijnë me viza turistike në Amerikë dhe nuk kthehen më. Sot në Amerikë të tillë emigrantë pa dokumente numërohen rreth 12 milionë. Kjo pra, është edhe njëra nga arsyet e tjera se pse këto kufizime në dhënien e vizave do të vijojnë akoma të mbeten në fuqi edhe për njëfarë kohe.
Por gjithsesi, unë mendoj se ne jemi duke ecur në një nivel më të avancuar për sa i përket kësaj çështjeje. Kjo vlen edhe për lëvizjen e shqiptarëve drejt SHBA-së. Ky është një proces që kërkon kohë, por duket se gjithçka po ecën në drejtimin e duhur.