E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinezëri kulturore për skandalin “Durrës – Kukës”



Petrika GROSI
Gjithçka mund të pritej në art, por një ekspozitë dhe një konkurs mbi rrugën Durrës-Kukës, padyshim që asnjë artisti nuk do t’ia kishte pjellë mendja. Dhe, në këtë rast nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë fantazi apo performancë artistike të vërtetë; kinezëria e radhës e qeverisë, e anunçuar nëpërmjet një njoftimi për shtyp, të dërguar dje në adresën e redaksisë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka të bëjë pikërisht me metodën e stërnjohur të realizmit-socialist, siç është vënia e artit në funksion të propagandës dhe interesave qeveritare. Nuk është rastësi që ky aktivitet organizohet tani, në kohën kur media dhe opinioni publik pret që të vihen para drejtësisë përgjegjësit e skandalit të denoncuar herë pas here dhe nga gazeta “Albania” dhe mediat e tjera. Përveç injorimit që i bëhet drejtësisë, duke mos dënuar përgjegjësit e abuzimeve me fondet e taksapaguesit shqiptar, tashmë kemi të bëjmë edhe me një tallje publike ndaj artit, kulturës dhe gjithë atyre që kanë lidhje me to. Nuk dimë ndonjë rast në ta kaluarën, që në vendin tonë, për një rrugë, sado historike dhe e rëndësishme qoftë, të jetë zhvilluar një konkurs artistik. Në njoftim nuk thuhet asnjë kriter, përveçse “pjesëmarrësit do të gjykohen nga një juri e specializuar nga MTKRS-ja”. Në anën tjetër, një projekt serioz siç duhet të ishte “Rruga e kombit” (le ta marrim për një çast të mirëqenë) nuk mund të zhvillohet në një afat kaq të shkurtër kohor (25 maj - 3 qershor). Mendoni pak, brenda dy javësh shpallet projekti dhe ftohen të marrin pjesë artistë të moshave 17-28 vjeç, të cilët mund të jenë nga Kosova ose Shqipëria. Pse ky ngut pikërisht tani, teksa jemi edhe pranë zgjedhjeve? Këta artistë, përveç faktit që për nga mosha s’ka sesi të jenë profesionistë, nuk mund të arrijnë që të krijojnë punë me vlera artistike në një distancë kaq të ngushtë kohore, sidomos kur flasim për disiplina të ndryshme te arteve pamore; pikturë, grafikë, fotografi, skulpturë dhe videoinstalacione. Fundja, nëse do të kishim të bënim me një projekt serioz, fare mirë shpallja e tij mund të bëhej shumë kohë më parë, në mënyrë që artistët e interesuar të kishin kohë për të krijuar dhe për t’i paraqitur punët e tyre më të arrira në konkurs, e rrjedhimisht të mos mungonte prurja dhe cilësia artistike. Të paktën në fushën e arteve pamore, nga përvoja e djeshme dhe e sotme, e këtushme dhe e përtejkufive, lançimet për konkurse bëhen së paku një ose dy muaj para aktivitetit. Jemi në kohën kur lart e poshtë në MTKRS, përflitet se ish-ministri Pango ka abuzuar me buxhetin e këtij institucioni për 2009-n, duke harxhuar brenda disa muajsh pjesën më të madhe të fondeve të ministrisë. Jemi në kohën kur me dhjetra projekte të rëndësishme dhe me vlera artistike presin radhën për miratim, por në anën tjetër refuzohen dhe digjen.
Të mos harrojmë se ka mjaft destinacione artistike në kryeqytet e në rrethe, të cilat mezi presin dita-ditës miratimin e fondeve apo mbështetjen financiare nga MTKRS-ja. Po kështu, artistët e rinj e të të vjetër, në vështirësinë e tyre për mbijetesë do të kishin shumë më tepër nevojë që me këto fonde të nxiteshin e të vlerësoheshin, duke u mbështetur sadopak financiarisht. Duket se kemi të bëjmë me një shpërdorim tjetër të fondeve në emër të artit dhe kulturës, i cili ndjek e rreket të mbulojë dhe të zbukurojë skandalin me shpenzimin abuziv të miliona eurove me rrugën Durrës-Kukës. Kjo ishte kinezëria më e re kulturore që po ndodh aktualisht në vendin tonë.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›