E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni për plumbin, Dritan Dajti kthehet për kontroll tek Ushtaraku

 

TIRANE - Dritan Dajti, 38-vjeçari kryeqytetas, autor i masakrës ndaj policëve më 7 gusht të këtij viti në plazhin e Durrësit, rrezikon të mbetet i paralizuar. Konfirmimi vjen nga burime mjekësore të Spitalit Ushtarak, pas kontrollit që iu bë atij mesditën e djeshme, një ditë pas operacionit për heqjen e një plumbi në shtyllën kurrizore. Dajti, gjatë paradites së djeshme, nën supermasa sigurie u dërgua sërish në Spitalin Ushtarak, ku iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm me aparatura. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, pas kontrollit të djeshëm ka rezultuar se filtri urinar dhe anal i Dritan Dajtit ishin jashtë funksionit. Për pasojë ai rrezikon paralizë në shumë organe trupore, kjo për faktin edhe të dëmtimeve të rënda në shtyllën kurrizore që i kishte shkaktuar plumbi që mori gjatë përleshjes. Dy ditë më parë, në supermasa sigurie Dajti u transferua për tri orë nga qelia e tij në Spitalin e Burgjeve në një sallë operacioni në Spitalin Ushtarak, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale për heqjen e një plumbi në shtyllën kurrizore. Pas tri orësh operacioni përfundoi me sukses duke iu hequr plumbi, ndërsa spitali gjatë kësaj kohe qëndronte në shtetrrethim të plotë, duke mos u lejuar askush të afrohej në të. Por heqja e plumbit në shtyllën kurrizore, sipas mjekëve, nuk do të jetë faktori që vendos për riparimin e të gjitha dëmtimeve shëndetësore. Ky plumb që në momentin e goditjes i ka prekur atij shtyllën kurrizore, duke i dëmtuar palcën kurrizore, pasojat e të cilës janë paralizë e pjesshme e të paraburgosurit 38-vjeçar. Mjekët pohojnë se Dajti ka edhe një plagë tjetër tejshkuese në trup, si pasojë e një plumbi tjetër, ndërkohë në këmbë ka një plumb, i cili ende ndodhet i pahequr. Momentalisht ky nuk është vlerësuar si i rrezikshëm nga mjekët, ndërsa është lënë që të ndërhyhet në një fazë të mëvonshme për t’ia hequr atë. Momentalisht Dajti ndodhet në një qeli në Spitalin e Burgjeve, ku po vazhdon të kurohet pas operacionit që iu nënshtrua dy ditë më parë. Burime mjekësore nga ky institucion pohojnë se plaga e operacionit të Dajtit ka nisur të mbyllet, ndërsa pas kontrollit që iu bë dje ka rezultuar se ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e suksesshme. Të njëjtat burime pohojnë se prej momentit kur është transferuar në Spitalin e Burgjeve, pas masakrës ndaj policëve më 7 gusht, Dajti ka qëndruar në regjim shtrati, pasi e ka të pamundur lëvizjen. Për më tepër gjatë kësaj kohe atij i është lejuar vetëm njëherë për të takuar familjarët e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›