E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperiment i Bashkisë, trafiku në kaos



zirina llambro

Një provë që paralizoi për më shumë se dy orë e gjysmë trafikun e kryeqytetit dje në mëngjes. Mijëra qytetarë e kanë parë veten të bllokuar, si asnjëherë tjetër, pa mundur të lëvizin me makinë thuajse në të gjithë akset kryesore të Tiranës. Eksperimenti i Bashkisë, për të ndryshuar drejtimet e disa rrugëve, nga punimet që po kryhen në sheshin "Skënderbej", rezultoi një dështim i suksesshëm. Kaosi nisi rreth orës 8 dhe situata mundi të rikthehet në normalitet vetëm pas orës 10:30 paradite. Të mbërthyer në trafikun e tmerrshëm, mijëra vetë nuk arritën të mbërrinin në kohë në vendet e punës apo destinacionet e tjera. Nuk munguan të sharat e fyerjet në adresë të Bashkisë së Tiranës nga drejtuesit e revoltuar të automjeteve. Ndonëse në mëngjes, edhe pa eksperimente të tilla, trafiku është boll i rënduar, dje për kryeqytetasit ka qenë vërtet kulmi. Amullia e krijuar u ka kushtuar veç nervave të tendosura, vonesave në takime e punë edhe goxha karburant më shumë. Edhe pse nuk ka pasur asnjë paralajmërim për këtë "testim" në kurriz të qytetarëve, kreu i Bashkisë së Tiranës me tone të zbutura u kërkoi të gjithëve bashkëpunim. "Nuk ka mundësi që kjo të realizohet në kohën e duhur, në rast se të gjithë nuk japim pjesën tonë të kontributit duke nisur nga Bashkia, Qeveria, mediat dhe qytetarët e thjeshtë. Sot është bërë një provë e parë. Kjo situatë nuk mund të ndryshojë, duke bërë një ndërprerje të menjëhershme të trafikut, por secili duhet të ndryshojë në mënyrën e lëvizjeve të tij", u shpreh Rama. Prova e dështuar vë në dyshim suksesin e studimit të Bashkisë, për trafikun në rastin e bllokimit të sheshit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nga ana e tij u shpreh se ka një studim të detajuar të trafikut por, sipas tij, bllokimi do të ndjehet vetëm në ditët e para, për sa kohë drejtuesit të orientohen më mirë me ndryshimet. "Duhet të kuptojmë se kemi një sakrificë të përbashkët për të bërë, duke u mësuar të bëjmë lëvizje të ndryshme nga ato të zakontat dhe menaxhim të mirë të kohës", tha ai gjatë inspektimit të punimeve në shesh bashkë me përfaqësuesin e Qeverisë kuvajtiane që ka dhënë fondet. Ndërkaq ka cilësuar kaotike dhe pa zgjidhje bllokimin e lëvizjes në sheshin "Skënderbej", shefi i policisë rrugore të Tiranës, Fatos Kokalari. Sipas tij, policia rrugore i ka dërguar një shkresë bashkisë së kryeqytetit, që të pezullojë projektin për bllokimin e sheshit "Skënderbej", pasi paralizon qarkullimin në Tiranë."Ky plan, siç e patë dhe vetë krijoi një kaos dhe trafik të rënduar, totalisht të bllokuar në qytetin e Tiranës. Për sa i përket shërbimit të policisë rrugore, ofron bashkëpunim me bashkinë për të parë dhe njëherë mënyrën e lëvizjes së mjeteve në qytetin e Tiranës. Policia rrugore ia ka bërë me shkrim problemet që nxjerr kjo mënyrë lëvizje e mjeteve. Institucioni i Bashkisë së Tiranës nuk ka kthyer akoma përgjigje në këtë drejtim", tha Kokalari. Ai sqaroi se policia rrugore asistoi bashkinë në fazën e eksperimentit me bllokimin e sheshit por, sipas tij, ajo nuk është zgjidhje, pasi akset aktuale nuk e përballojnë fluksin e mjeteve në Tiranë.

ndryshimi i trafikut

Rrugët që u mbyllën:
• Para Pallatit të Kulturës
• Para Muzeut Kombëtar.

Rrugët e Bllokuara nga trafiku:
• Unaza
• Rruga e "Kavajës"
• Rruga e "Durrësit"
• Bulevardi "Zogu i Parë"
• Bulevardi "Dëshmorët e Kombit"

Devijimi i trafikut nga Bashkia:
• Unaza e vogël pas Muzeut Kombëtar
• Hapja e Urës së Re, pranë "Tajvanit"
• Rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit" me dy drejtime

Hiqen parkimet:
• Në rrugën "Mine Peza"
• Në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit"
• Në rrugën "Abdi Toptani"
• Prapa Pallatit të Kulturës

Reagon Berisha: Olldashi të takojë Ramën, duhet zgjidhje për trafikun
Pas sulmeve dhe akuzave për parregullsinë e punimeve në sheshin "Skënderbej", Qeveria ofron bashkëpunim për zgjidhjen e problemit të trafikut. Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje Ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashit, të organizojë një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për gjetjen e zgjidhjeve për mënyrën sesi duhet të rindërtohet sheshi "Skënderbej". "Projekti i ri që përjashton sheshin nga funksioni kryesor, trafikun, do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë. Eksperimentin e parë e bëri sot z. Rama. U krijua një bllokim i përgjithshëm, ndonëse e bëri në kundërshtim me këshillën e specialistëve më të mirë të qarkullimit rrugor. Njerëzit mbetën kohë të tërë në trafik. Trafiku duhet të jetë përparësia më e parë, përndryshe u nxin jetën qytetarëve, i rrënon", tha Berisha. Sipas tij, arkitektët belgë, me të cilët ka zhvilluar një takim në Bruksel, ishin të gatshëm për të rishikuar mundësinë e ndryshimit të projektit, por sipas tij tani duhet bashkëpunimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. "Shpresoj që edhe bashkia t'i përgjigjet. Të mos bëjmë kapitale politike për asgjë. Studio është e gatshme për debat, janë të hapur për debat, e mirëpresin çështjen e debatit, sikundër duhet të them, në mënyre absolute, konkluzioni përfundimtar ishte se ndërtimi i sheshit kërkon bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve qendrore dhe vendore", u shpreh Berisha. Kreu i Qeverisë njoftoi se gjatë vizitës në Kuvajt pak kohë më parë, ai ka kërkuar një fond shtesë për ndërtimin e sheshit "Skënderbej", fond që është konfirmuar sot nga të dërguarit e Emirit të Kuvajtit në formë dhurate dhe që arrin në 5 milionë euro. Nëse do të duhen fonde shtesë për zgjidhjen e çështjes së trafikut, Kryeministri Berisha garantoi mbështetje financiare për Bashkinë e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›