E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Protestë e pandalshme në 30 prill



Aristir Lumezi

“Kryeministri vazhdon të gënjejë, ndërsa ne do t’i përgjigjemi në 30 prill me protesta të pandalshme”. Duke ju referuar deklaratave të kryeministrit të një dite më parë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha dje se ato janë tregues të faktit se zoti Berisha nuk ka vullnet dhe as dëshirë të zgjidhë krizën politike dhe ekonomike në vend. Sipas kreut të Partisë Socialiste, kryeministri foli për suksese imagjinare që egzistojnë vetëm në fantazinë e tij. “Zoti Berisha jo vetëm u vodhi votën shqiptarëve, por nën pushtetin e votës së vjedhur njerëzit po humbasin përditë vende pune duke paguar përditë e më shtrenjtë ushqimin, dritat, ujin, ilaçet. Kurse, Qeveria u tregon përditë gënjeshtra e përralla tallëse për rritje spektakolare ekonomike dhe mrekullira ekonomike planetare, të cilave njerëzit duhet e do t’u përgjigjen me protesta të përshkallëzuara deri në 30 prill e më tutje”, u shpreh Rama. Kryesocialisti tha se tashmë është e provuar edhe nga dokumentat e Bankës së Shqipërisë se rritja ekonomike gjatë vitit 2009 ka qenë 0 përqind, ndërkohë që papunësia sipas tij është në rritje së bashku me varfërinë, që sipas Ramës, është ulur këmbëkryq në çdo cep të vendit. “Kjo e keqe i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të votimit dhe fajtori i vetëm për këtë gjendje alarmante të demokracisë e të ekonomisë së vendit është keqqeverisja që duhet ndalur me çdo kusht. Protestat janë mjeti që populli ka në dorë për të zmbrapsur fuqinë abuzive të një Qeverie të pushtetarëve që kërrus përditë kurrizin e qytetarëve me korrupsion e varfërim”, u shpreh Rama. Në këtë situatë, tha Rama, protestat janë e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund këtij pushteti të korruptuar dhe të paaftë. “30 prilli do të jetë dita kulmore e protestave të përditshme që po zhvillohen kudo për hapjen e kutive të krimit elektoral dhe 1 maji do të gdhijë si dita e betejës qytetare për nxjerrjen e ekonomisë së vendit nga kutia e një krize që e thellojnë përditë pushtetarët dhe e paguajnë në fund të çdo muaji qytetarët”, theksoi Rama.
Kryesocialisti nuk pati asnjë përgjigje në lidhje me pyetjen e gazetarëve për takimin Berisha-Nano në Vjenë, përveç një fjalie ironike, duke thënë se “takimi është shprehje e faktit që në Vjenë nuk ka krizë”.
Protesta
Kreu socialist ishte pranë qytetarëve të qarkut të Lezhës në mbështetje të protestës së tyre, përmes së cilës duhet të largohet kjo Qeveri. Rama shoqërohej nga deputetët e këtij qarku, Gjovalin Kadeli, Gjok Jaku dhe Armando Prenga. Gjatë fjalës së tij para banorëve të Lezhës Rama shpjegoi arsyet pse ata duhet të jenë në Tiranë në protestën e 30 prillit. “Ishte kryeministri Sali Berisha që para pak muajsh nga Shkodra u shpreh se përmbytje të tilla ndodhin një herë në 100 vite. Ndërsa në qeverisjen e këtij njeriu, vendi është përmbytur tre herë në katër muaj. Si mund të flasë Berisha për arritjet e Qeverisë së tij, kur çmimi i energjisë elektrike është rritur, çmimet e karburanteve po rriten çdo ditë, papunësia po kështu, çmimet e shportës e artikuj të tjerë. Ndërsa ai këtë e quan një sukses të Qeverisjes së tij, duke dëmtuar xhepat e çdo shqiptari. Vetëm tre muajt e fundit janë flakur në rrugë 71000 persona, ndërsa niveli i papunësisë në shkallë vendi i kalon të 100 mijë vetët”, u shpreh Rama. Ai i bëri thirrje lezhianëve të jenë në Tiranë në protestën e madhe. “Janë pikërisht këto arsyet që ne duhet të protestojmë me 30 Prill në Tiranë e në vazhdim, deri në rrëzimin e kësaj Qeverie të paftë dhe të papërgjegjshme, për fatet e vendit. Kjo Qeveri është legjitime, pasi mbahet në Qeverisje me votat e vjedhura, pasi duke filluar që nga Lezha e deri në Tropojë, po të hapen kutitë, do të përsëritet e njëjta skenë si në Ruzhdie, pasi manipulimi i votës së opozitës nuk është bërë vetëm në Ruzhdie”, u shpreh Rama. Ndërsa avokat Spartak Ngjela i pranishëm dje në Lezhë, u shpreh se një Qeveri që nuk ngul një gozhdë për vendin e saj është e destinuar të bjerë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›