E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperiment me “bombat” e kapura në Shkodër

04/04/2005  Do të krahasohen me eksplozivin që u përdor ndaj Vajdin Lames. Pas gjetjes së shitësit, hetim për blerësin

Policia dhe prokuroria, do të eksperimentojnë bombat me eksploziv të komanduara me celular, që u kapën tre ditë më parë në Shkodër. Kjo, pasi nga hetimet paraprake kanë lindur dyshimet se në disa prej atentateve të ndodhura kohët e fundit në Shqipëri, është përdorur i njëjti lloj eksplozivi, ku për komandë ka shërbyer një celular i thjeshtë. Ky eksperiment do të jetë një provë për prokurorinë, që do të vërtetojë se eksplozivi i përdorur ndaj biznesmenit Vajdin Lame, është siguruar në Mal të Zi. Nisur nga ky fakt, do të hetohet për të gjetur personat që kanë blerë një lloj “bombe” të tillë me telekomandë, gjatë harkut kohor kur mendohet se është organizuar atentati ndaj Lames. Tashmë, policia dhe prokuroria kanë arritur të identifikojnë shitësit e këtyre bombave si dhe vendin e prodhimit. Nga bashkëpunimi mes prokurorisë shqiptare dhe homologes malazeze, dyshohet se ky lloj eksplozivi që i përket familjes C4 të lëndës plasëse, është prodhim serbo-malazes. Identifkimi i blerësit të eksplozivit që mori jetën e Lames, pritet të çojë te atentatorët e tij.

Eksperimenti

Një mostër e “bombave” C4 të sekuestruara, do të shpërthehet nga ekspertët kriminalistikë, të cilët do të krahasojnë fuqinë e saj shpërthyese, me atë që është përdorur në atentatin ndaj Vajdin Lames dhe te “Don Bosko”. Kjo me qëllim vërtetimin se është e njëjta familje lënde plasëse. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se kjo do të jetë një provë bindëse se eksplozivi që u përdor ndaj Lames, është blerë në Mal të Zi dhe nga i njëjti grup kriminal që u godit tre ditë më parë. Burimet sqarojnë se do të merren kampionë të mbetjeve të lëndës plasëse, nga disa shpërthime të ndodhura kohët e fundit. Bëhet fjalë për atentatin ndaj Vajdin Lames dhe mikut të tij, Artan Arsi, shpërthimin te “Don Bosko”, shpërthimin e lëndës plasëse në një autoveturë në Tropojë, që mori jetën e dy të rinjve, etj. Gjithashtu, eksperimenti do të zhvillohet në kushte të barabarta me ato të ngjarjeve në fjalë. Mësohet se do të formohen kushtet si, pjesë betoni të cilësisë që kanë pasur pallatet si dhe pllaka metalike të njëjta nga cilësia e madhësia, me ato të ashensorit. Mësohet se eksplozivi eksperimental do të vendoset në pozicionin ku është vendosur ai nga atentatorët e Lames. Dhe pas shpërthimit do të përcaktohen dëmtimet, fuqia shpërthyese dhe rrezja e veprimit, thonë burimet.

Ndërkaq, rezultatet e eksperimentimit, do të krahasohen me ato të konstatuara në vendngjarje. Nëse rezultati do të jetë i njëjtë për këto lloje eksplozivesh, atëherë kjo do të ishte një provë se eksplozivi që u përdor ndaj Lames, është blerë në Mal të Zi dhe pikërisht nga ky grup, theksojnë burimet.

Hetimi

Për zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda të ndodhura kohët e fundit me lëndë plasëse, policia dhe prokuroria kanë parë të arsyeshme gjetjen e burimit të bombave të komanduara me celular. Në këtë hetim të trafikut të lëndëve plasëse në Ballkan, është bashkuar edhe misioni amerikan në Shqipëri, PAMECA. Dy agjentë të PAMECA-s në bashkëpunim me prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas atentatit ndaj Vajdin Lames, filluan hetimin për këtë trafik. Burime të organit qendror të akuzës thanë se, hetimet u përqëndruan në gjetjen e vendit të prodhimit të këtij lloj eksplozivi i familjes C4 të lëndëve plasëse. Për afro një muaj është bërë e mundur të zbulohet rrjeti i prodhimit dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve plasëse. Policia ka organizuar një blerje të këtyre bombave dhe ka kërkuar gjashtë copë, ku njëra kushtonte 1500 euro. Si rezultat i operacionit, kanë rënë në pranga katër shkodranë që ishin në rolin e transporuesit dhe dy malazezë që i shisnin. Në Podgoricë, është prangosur malazezi Branko Raiçeviç, vjeç 45, dhe një tjetër bashkombas i tij. Pikërisht, tek malazezët do të përqendrohet hetimi i prokurorisë, thonë burimet. Do të verifikohen të gjitha shitjet e tyre kohët e fundit. Ndërsa, përsa i përket çështjes “Lamaj”, do të hetohet rreth shitjeve të “bombave” që dy malazezët kanë bërë tre javë para atentatit ndaj Lames. Kjo, pasi prokuroria ka konkluduar se ekzekutorët e Lames e kanë organizuar atentatin për më pak se tre javë. Dyshohet se ata kanë mësuar për prishjen e një prej ashensorëve të pallatit që kishte vetëm tre javë, thonë burimet. Pas mësimit të këtij fakti, mendohet se atentatorët kanë hartuar planin e masakrës, përfshirë blerjen e eksplozivit dhe montimin e tij në ashensor. Burimet thonë se, nëse arrihet të identifikohet blerësi i eksplozivit gjatë këtij harku kohor, atëherë do të jetë më e lehtë për të arritur tek atentatorët. Kjo, pasi dyshohet se ekzekutorët e Lames e kanë blerë vetë në Mal të Zi bombën me telekomandë dhe jo nga shqiptarët. Burimet pohojnë se gjithçka ka qenë e mirëorganizuar dhe ata nuk mund të gabonin ta blinin eksplozivin tek shqiptarët, të cilët mund t’i njihnin. Por, burimet përfundojnë se nuk përjashtohet edhe kjo pistë, e cila do të hetohet në detaje. Një vit e gjysmë më parë u kap një shkodran me arsenal “bombash” me telekomandë

Rreth një viti e gjysmë, në Shkodër u arrestua një person, i cili zotëronte një arsenal të vërtetë minash të komanduara në celular. Policia e organi i akuzës, deklaruan se i arrestuari kishte lidhje me mafiozë malazezë, të cilët siguronin shitjen e tyre tek blerësit shqiptarë. Më pas në Tropojë, në një shpërthim të fuqishëm, mbetën të vdekur dy të rinj. U hetua për mundësinë e shpërthimit të tritolit me anën e një celulari. Ngjarja më e bujshme që vuri në lëvizje edhe krerë të Policisë e Prokurorisë së disa vendeve fqinje, ishte atentati mafioz ndaj ish-presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lame. Ky i fundit ishte duke ngjitur ashensorin bashkë me mikun e tij të fëmijërisë, kur në katin e pestë të pallatit përballë pastiçeri Venecias, një minë e komanduar me celular u mori jetën. Ndërkaq, ngjarjet sa vinin e rëndoheshin dhe atentatet e sofistikuara i dedikoheshin tërësisht "lulëzimit" të C4-ës, minës që shpërthen me celular. Enver Rabija, 32-vjeçari nga fshati Gradishtë i Lunjshës, ish-miku i ngushtë i Aldo Bares, humbi jetën në rrugën "Don Bosko", në datën 5 mars të këtij viti, teksa në dorë mbante një minë të komanduar. Ai qëndroi për javë me radhë në morg, derisa nëna e tij erdhi dhe e identifikoi.

Asnjë provë ndaj Shullazit për dyshimet e atentatit te TVA

Javën e fundit të marsit në Durrës, u arrestua rastësisht Emiljano Shullazi, biznesmeni Landi Baçi, dhe u ndalua ish- kapiteni i tragetit “La Vikinga”, italiani Claudio Corovino. Ata po udhëtonin me një autoveturë tip benz, pronë e Baçit, kur nuk i janë bindur urdhërit të policisë për të ndaluar. Uniformat blu u janë vënë nga pas dhe kanë mundur t’i bllokojnë. Në moment, tre vetë kanë dalë nga makina dhe janë larguar me vrap. Policia arriti të ndalojë njërin prej tyre që fillimisht u prezantua me emrin Ervin Banaca, po që nga verifikimet rezultoi të ishte Emiljano Shullazi. Në autoveturë u gjetën katër pistoleta, ku njëra prej tyre ishte me leje. Ndërkaq, gjykata vendosi masën e sigurisë burg pa afat ndaj Baçit dhe Shullazit për akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa e la të lirë italianin. Por, menjëherë pas arrestimit të Shullazit, policia dhe prokuroria e mori atë në pyetje rreth atentatit të parë ndaj Vajdin Lamajt. Lajmi është bërë atëherë i ditur nga burime të policisë të qytetit bregdetar dhe të Tiranës. Sipas burimeve, dyshohet se Shullazi mund të jetë i implikuar në atenatin e parë ndaj Lames te TVA. Por, për këto dyshime, prokuroria nuk ka asnjë provë. Burimet theksojnë se dyshimet mbi Shullazin për këtë ngjarje bazohen në informacione të marra në rrugë operative. Ndërkaq, mësohet se janë çuar për krahasim, gjurmët e gishtërinjve të Shullazit me ato të gjetura në autoveturën e braktisur prej atentatorëve te TVA. Burimet përfundojnë se ende nuk kanë ndonjë provë ndaj Shullazit, dhe se rezultati i krahasimit të gjurmëve është shpresa e fundit.

Verifikim numrit që u thirr në 23.46 të 27 shkurtit

Prokuroria e Krimeve të Rënda po pret edhe rezultatet e verifikimit të numrit të papërdorur më parë, që mori thirrje në momentin e shpërthimit të eksplozivit që mori jetën e biznesmenit të njohur Vajdin Lame dhe mikut të tij, Artan Arsi. Burime të prokurorisë thonë se dyshohet që numri i montuar në eksploziv të ketë qenë i papërdorur më parë, me qëllim shmangien e çdo thirrje të mundshme aksidentale që do të dështonte atentatin. Ndërkaq, prokuroria ka arritur të përcaktojë momentin e shpërthimit, që i përket mesnatës së 27 shkurtit rreth orës 23.46. Ndërkaq, burimet sqarojnë se pas identifikimit të numrit që u thirr, do të zbulohet edhe ai që e ka kryer thirrjen. Dhe pas identifikimit të tyre, do të hetohet rreth poseduesve të tyre, me qëllim arritjen në një emër konkret si të dyshuar, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›