E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e kontrabandës së cigareve i kalon Gjykatës së Krimeve të Rënda

03/04/2005  Gjykata e Durrësit lë në “burg pa afat” marinarët

DURRËS – Ende nuk është mësuar emri i pronarit të cigareve të bllokuar disa ditë më parë në Durrës, ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë e këtij Rrethi, ka lënë dje në “burg pa afat”, marinarët e dyshuar në transportin e cigareve.

Në seancën e djeshme gjyqësore të masës së sigurisë, ndaj marinarëve të anijes “Eni” dhe pronarit të saj të shpallur në kërkim, Fatmir Zotaj, trupi gjykues, i kryesuar nga Faslli Çeka, vendosi që kjo dosje t’i kalojë për shqyrtim Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas argumentit të gjykatës, ky vendim u mor sepse ekuipazhi, pronari dhe menaxheri i firmës, akuzohen jo vetëm për kontrabandë, por edhe për grup kriminal.

Në emër të organit të akuzës, prokurori Ilir Turja ka parashtruar akuzat e ushtrimit të kontrabandës në bashkëpunim të strukturuar.

Nga ana e tyre, avokatët Edi Hyka, Ilir Pengili, Vaso Madhi dhe Ilia Ilia, kanë kundërshtuar prokurorin me argumentin se prokuroria e Durrësit dhe Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit, dalin jashtë juridiksionit ligjor të shqyrtimit të të tilla akuzave dhe se çështja duhej kaluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Në përfundim të pretendimeve të palëve, gjyqtari Faslli Çeka, ka cilësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të agjentit detar Gentian Koçi, kapitenit të anijes “Eni”, Bilal Koçi, oficerit të anijes Petrit Cila, marinarëve Ligor Todi e Hamdi Peza, duke dhënë për ta masën e sigurisë “arrest në burg pa afat”, kurse për mekanikun Adrian Gokaj dhe kuzhinierin Gëzim Çyrbja ka vendosur “arrest në burg për një muaj”. Po dje, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg pa afat”, në mungesë edhe për Fatmir Zotaj, pronari i anijes i shpallur në kërkim, në magazinën e të cilit policia dhe Task Forca sekuestroi 7 kontenierë me 7188 koli me 3.594.000 paketa gjithsej.

Prokuroria

“Cigaret vinin nga Mali i Zi”

Në sencën e vlerësimit të masës së sigurisë për gjashtë të ndaluarit dhe të shpallurin në kërkim, prokurori Ilir Turja ka ofruar për gjykatën dosjen me akuzat e ngritura sipas tij. Prokurori ka deklaruar se malli vinte nga Mali i Zi dhe se anija “Eni”, e drejtuar nga kapiteni 59-vjeçar Bilal Koçi, ka dalë nga porti i Tivarit dhe është nisur për në Shqipëri më 28 mars në orën 18.30 dhe se prokuroria kishte të depozituar edhe korrespondencën me këtë port.

Në parashtrimin e provave materiale, prokurori ka shtuar se anija është futur në akuarium në kundërshtim me rregullat, duke mos vënë në dijeni kapitenerinë, ndërkohë që është deklaruar se malli kontrabandë, i cili i është fshehur deklarimit në doganë dhe pa pullë fiskale, është sekuestruar në magazinën e Fatmir Zotaj, në Shkozet, ku edhe është arrestuar në flagrancë menaxheri i firmës, Gentian Koçi. Ndërsa është bërë e ditur gjithashtu se krahas të ndaluarve, në hetim janë edhe të tjerë, prokurori Ilir Turja ka akuzuar të gjithë të ndaluarit për aktivitet të jashtëligjshëm në ushtrimin e kontrabandës në bashkëpunim të strukturuar dhe evazion fiskal.

Prokurori ka kërkuar që gjykata të vlerësojë të ligjshëm arrestimin e tyre si dhe të lërë në “burg pa afat” gjashtë të akuzuarit dhe pronarin Zotaj, të shpallur në kërkim.

Avokatët

“Pse s’tregoi të kujt janë cigaret”

Prokurori i çështjes, Ilir Turja, në seancën e djeshme nuk ka pranuar të bëjë të ditur se kujt i përkiste ngarkesa e cigareve të bllokuara. Kjo dhe të tjera pasaktësi, sipas avokatëve, kanë bërë që ata të cilësojnë të jashtëligjshme arrestimet e bëra me urdhër organit të akuzës, më datë 31 mars 2005.

Avokati Edi Hyka, që përfaqëson kapitenin e anijes Bilal Koçi, agjentin detar Gentian Koçi (babë e bir), marinarin 65-vjeçar Hamdi Peza (i afërt me dy të parët) dhe pronarin e anijes Fatmir Zotaj, gjatë mbrojtjes ka kundërshtuar deklarimet e akuzës. Sipas tij, anija ishte nisur bosh në drejtim të Izmirit, Turqi, për të ngarkuar miell më datë 26 mars 2005. Një defekt në anije ka shtyrë ekuipazhin të ndërpresë lundrimin dhe të kthehet në port më datë 29 mars në të gdhirë.

Avokati ka bërë të ditur se për avarinë si dhe futjen në port, kapiteni ka njoftuar kapitenerinë, ndërkohë që anija është kontrolluar nga antikontrabanda dhe roja bregdetare, e cila ka

mbajtur procesverbal, ku cilësohet se anija nuk kishte ngarkesë. Avokati ka kërkuar nga akuza të kërkojë procesverbalin përkatës si të kontrollit nga antidroga edhe atë të itinerarit të anijes, ndërkohë që ka theksuar se për shkak të mosnjoftimit në kohë për

futjen në port, anija është gjobitur nga kapiteneria.

Po ashtu, avokati ka theksuar se magazinat e Zotaj të kthyera në magazina doganore janë dhënë me qira, duke shprehur binjden se prokuroria nuk kishte asnjë fakt për të vërtetuar se malli apo kontenierët, të cilët kanë qenë të dyllosur dhe janë hapur nga policia gjatë kontrollit, ishin pronë e Zotaj.

Megjithëse gjyqtari Çeka kërkoi që mbrojtja të deklaronte se cilët ishin personat që kishin marrë me qira mjediset, kjo nuk u deklarua, pasi mbrojtja theksoi se një veprim i tillë është detyrë e prokurorisë. Të gjithë avokatët kanë kërkuar gjithashtu prova bindëse nga prokuroria për të vërtetuar se ekuipazhi, pronari dhe agjenti detar i firmës kanë vepruar në bashkëpunim, ndërsa e kanë cilësuar të jashtëligjshme arrestimin e marinarëve, pasi ata janë ndaluar në një kohë që policia nuk kishte gjetur mall kontrabandë gjatë kontrollit të anijes.

Avokatët i janë referuar edhe Kodit Doganor, që thekson se në rast se gjatë kontrollit të një anije të dyshuar për aktivtet të jashtëligjshëm nuk gjenden prova, mund të hetohet vetëm kapiteni i anijes.

4321 koli

cigare “Slims”

1066 koli

cigare “Drino”

1266 koli

cigare “Aura

224 koli

cigare “Marlboro”

227 koli

cigare “Dorchester”

35 koli

cigare “Kingston”

49 Koli

cigare “Rothmans”

Të ndaluar

Bilal Koçi, “burg pa afat” (kapiteni i anijes)

Gentian Koçi, “burg pa afat” (menaxher)

Petrit Cila, “burg pa afat” (oficeri i parë)

Ligor Todi, “burg pa afat” (marinar)

Hamdi Peza, “burg pa afat” (marinarë)

Gëzim Çyrbja, “burg për një muaj” (kuzhinier)

Adrian Gokaj, “burg për një muaj” (mekanik)

Sekuestrimet 3.594 milionë paketa cigaresh

1 Volksvagen autoveturë me targa DR 4343 D

1 Benz autoveturë me targa DR 7647 C

10 mijë euro “pronë” e menaxherit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›