Eksperimenti i madh

Eksperimenti i madh tashmë ka filluar. Gjatë ditëve të fundit, votuesit arabë kanë votuar në Tunizi, Maroko dhe Egjipt dhe për befasinë e askujt, partitë islamike janë rreshtuar të parat në të gjitha këto shtete. A nënkupton kjo se islamistët kanë marrë “peng” revolucionet? Apo se Pranvera Arabe, siç e tha Newt Gringich në debatin për politikë të jashtme të kandidatëve republikanë për president të SHBA-së, po shndërrohet në një “Pranverë anti-krishtere?” Përgjigjja me një fjalë është “jo”. Përgjigjja me tri fjalë do të ishte “shpresojmë se jo”.
Partia Al Nahda në Tunizi, Partia për Zhvillim dhe Drejtësi në Marok dhe Partia për Liri dhe Drejtësi në Egjipt (krahu politik i Vëllazërisë Myslimane) nuk janë parti sekulare, por janë demokratike-apo së paku ato e kanë merituar të drejtën që kredencialet e tyre demokratike të testohen në botën e vërtetë të praktikes politike. Ato fituan shumicën, ngase ishin partitë me organizimin më të mirë, por edhe për shkak se në vitet para kryengritjeve popullore ato shiheshin si forca, të cilat angazhoheshin për drejtësi sociale, në përballjen me regjimet autokratike.
Ato e kanë merituar vendin që e kanë zënë: por tani si më tutje. Pyetja që zgjon kureshtjen nuk ka të bëjë me qëllimet e tyre, por me atë se a do të lejohen ato fare që të qeverisin? Në Tunizi, ku nuk ekziston pothuajse asnjë forcë e ngulitur rivale, përgjigjja është me siguri se do të lejohet të qeveris. Në Maroko, Mbreti Mohammed ka modifikuar paksa kushtetutën, për t’i dhënë ca kompetenca edhe parlamentit, por pushtetin e vërtetë e ka ruajtur në duart e veta. Zgjedhjet në Maroko nuk zgjuan atë optimizëm, siç ndodhi në Tunizi apo Egjipt, me një pjesëmarrje relativisht modeste prej 45 për qind të votuesve. Në Egjipt, qeveria e përkohshme ushtarake, e njohur si Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, ka theksuar se planifikon të qeverisë deri në momentin e zgjedhjes së presidentit, me gjasë nga mesi i vitit 2012, por egjiptianët kanë filluar të brengosën gjithnjë e më shumë se Këshilli nuk do të largohet fare nga pushteti.
Megjithatë, zgjedhjet janë në gjendje të ndryshojnë hartën politike. Partia për Zhvillim dhe Drejtësi në Maroko, në të cilën janë të organizuar islamistët në këtë shtet, ka theksuar se nëse mbreti nuk e zgjedh si kryeministër udhëheqësin e kësaj partie, Abdelilah Benkirane, atëherë partia e ruaj të drejtën që të kontestojë të emëruarin e mbretit (mbreti e përzgjodhi Benkiranen). Ahmed Benchemsi, një gazetar maroken, thotë se “asnjë udhëheqës partiak më herët nuk ka guxuar të parashtrojë kushte të këtilla”. “Për herë të parë është sfiduar baraspesha e pushtetit”, thekson Benchemsi.
Vëllazëria Myslimane në Egjipt ka sfiduar Këshillin Ushtarak, duke kërkuar formimin e kabinetit për shpëtim kombëtar, i cili do të kryesohej nga ky grup. Kjo nuk do të ndodhë, por përpjekja është ndërmarrë.
Kjo është arsyeja se pse disa personalitete sekulare, të cilat kanë udhëhequr revolucionin në sheshin Tahrir, kanë reaguar me qetësi pas fitores së Vëllazërisë Myslimane në zgjedhje.
Vendimi më i madh dhe më i rëndësishëm për Vëllazërinë Myslimane do të jetë se me kënd do të lidhë aleancë. Befasia më e madhe e zgjedhjeve në Egjipt janë salafistët ithtarë të vijës së fortë, të cilët fituan një të katërtën e votave, duke tejkaluar liberalët tradicionalë, të cilët për një kohë të gjatë kanë operuar nën hijen e shtetit ushtarak. Vëllazëria Myslimane është një forcë politike, e cila është mësuar me manovra politike dhe kompromise: salafistët janë teknokratë të vërtetë. Salafistët me gjasë do të kërkonin ndryshime në kushtetutë, me të cilat do të kufizoheshin të drejtat e femrave dhe të jo-myslimanëve. Aleanca mes Vëllazërisë dhe salafistëve do ta ndante në dysh shoqërinë egjiptiane dhe do ta shndërronte sheshin Tahrir në një qendër të konfrontimit mes sekularëve dhe islamistëve.
A do ta ndjekë Vëllazëria këtë rrugë? Sekretari i Përgjithshëm i koalicionit të Vëllazërisë, Saad Al Katatni, ka hedhur poshtë mundësinë e lidhjes së aleancës me salafistët.
Ajo që është e vërtetë është se fitorja në zgjedhje e ka shndërruar Vëllazërinë Myslimane në aleate të pushtetarëve ushtarak të Egjiptit. Përderisa forcat tjera u ngritën kundër brutalitetit të ushtruar nga Këshilli dhe kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve, Vëllazëria mbeti e qetë dhe qëndroi larg rrugëve.