Margarita Xhepa në Greqi për të ngjallur Kostandinin
Petrika GROSI
Fillimjavën e ardhshme (të martën) aktorja e njohur e skenës dhe kinemasë shqiptare, Margarita Xhepa, do të udhëtojë drejt fqinjëve tanë grekë, për të realizuar një performancë të re në shqip të legjendës së shkruar nga shkrimtari Ismail Kadare “Kush e solli Doruntinën”. Xhepa niset me ftesë të regjisorit grek, Sotiris Akxaqis, për të interpretuar sërish rolin e nënës së Kostandinit dhe Doruntinës. Aktorja e njohur ka pranuar të japë më shumë detaje në lidhje me këtë udhëtim, në intervistën që vijon më tej, ekskluzivisht për gazetën “Albania”.
Të hënën ju niseni për në Greqi, me ftesë të regjisorit grek, Sotiris Akxaqis. Për çfarë bëhet fjalë, pasi s’mund të jetë një vizitë rastësore, apo jo?
Nuk mund ta quaj udhëtim rastësor. Madje më bëhet qejfi që regjisori grek është përqendruar dhe ka shfaqur një vëmendje të veçantë për pjesën e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, “Kush e solli Doruntinën”. Ai më ka ftuar për të bërë rolin e nënës së Doruntinës dhe Kostandinit, rol që e kam bërë edhe në të kaluarën.
Dhe si e pritët këtë ftesë?
M’u duk tepër interesant fakti që ky regjisor e ka dramatizuar këtë legjendë të Ballkanit për ta shfaqur si performancë në pesë gjuhë të ndryshme; greqisht, shqip, serbisht, rumanisht dhe bullgarisht. Aty do të shkoj pasi do të bëjmë disa prova dhe pastaj shfaqja do të ngjitet në skenën helene dhe në teatrot e shteteve të tjera përkatëse. Të them të drejtën, më bëri përshtypje fantazia e hollë dhe e mençur e këtij regjisori, i cili duket që e do artin dhe është në kërkim për të gjetur forma të reja, si në rastin konkret, kur ai përpiqet ta sjellë këtë legjendë sa më të bukur në kohët tona. Performanca më thanë se është shumë interesante. Ajo do të trajtohet në antikitet. Forma, interpretimi, kostumet, skenografia..., të gjitha në antikitet.
Më shumë nuk mund t’ju them, pasi do të jem më e qartë vetëm të martën, atëherë kur fillojnë provat. Megjithatë, nga bisedat e mia me aktorin që do të luajë Kostandinin, Karafil Sheno, kam kuptuar që do të jetë një performancë mjaft interesante.
Siç thatë dhe ju, nuk është hera e parë që luani nënën e Kostandinit.
Po, është e saktë. E kam luajtur dhe më parë këtë rol (para viteve ‘90) me regji të Fatos Haxhirajt dhe dramatizim të Pirro Manit dhe Edmond Budinës. Atëherë dramën e ka ndjekur edhe Kadareja, i cili pas shfaqjes më përgëzoi për rolin, pasi i kishte pëlqyer interpretimi. Jo më kot përballja sërish me këtë pjesë të vjetër, por që duhet sjellë në një variant të ri, ndryshe nga më parë, më bëri që ta prisja me gëzim dhe befasi ftesën. Këtu dua të shtoj se më vjen vërtet mirë që ka regjisorë të cilët mundohen të punojnë dhe në emër të artit, të mos rreshtin së kërkuari forma të reja për performancat e tyre skenike. Gjithashtu, më vjen mirë që të shfaqem sërish para spektatorit helen. Kjo është hera e katërt për mua. Lëvizjet janë gjëja më e bukur për aktorët.
Si e shikoni ju rolin e nënës në këtë dramë?
Është një nënë shqiptare, por edhe më shumë, një nënë ballkanase. Ajo do që njerëzit e dashur t’i ketë pranë, veçanërisht vajzën. Dhe nëna pret çdo ditë me mall, dhimbje dhe shumë dëshirë çastin që të rishikojë të bijën, ashtu siç i pati dhënë besën Kostandini, tashmë i vdekur. Ajo shkon në varr dhe e mallkon të birin nga dhimbja e madhe që ai nuk e mbajti fjalën, duke shpresuar se Kostandini do të ngrihet nga varri. E me të vërtetë, ashtu ndodh!
Ndonëse është rol i përmasave më të vogla nga roli juaj i fundit, ku afron dhe ku largon nëna e Kostandinit me Hekubën?
Të dyja këto pjesë trajtojnë ngjarje ballkanase, flasin për këto nëna fisnike që duan mbi të gjitha familjen. Familja është një shtet i vogël dhe shumë familje janë një shtet i madh. Mbresëlënëse mbetet dashuria për vendin, gjuhën, zakonet, siç është besa në këtë rast, që nuk e tret a dheu...
15 Janar 2009