Teatrot kombëtare të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit firmosin memorandumin e bashkëpunimit
Dje, drejtorët e tre teatrove kombëtare shqiptare të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, përkatësisht Kristaq Skrami, Arian Krasniqi dhe Adem Kraga, kanë firmosur një “memorandum bashkëpunimi”. Sipas këtij memorandumi, që përmban 13 nene, parashikohet që në të ardhmen bashkëpunimi mes tre teatrove më të rëndësishme shqipfolëse në Ballkan të jetë më i ngushtë dhe frytdhënës. Memorandumi ka si objekt tre teatrot dhe bashkëpunimin konkret mes tyre me anë të projekteve të ndryshme, këmbimit të aktorëve, regjisorëve, literaturës përkatëse dramaturgjike dhe vënien reciproke të shfaqjeve në skenat e tyre. “Palët angazhohen që shkëmbimi i vlerave, të shtrihet në mënyrë reciproke. Palët marrin përsipër që në produksione të veçanta ose në bashkëproduksionet të shkëmbejnë midis tyre artistët krijues të fushës së teatrit”, – thotë një nga nenet e memorandumit. Pra, le të shpresojmë që kjo marrëveshje bashkëpunimi mes tre teatrove më të mëdha në mbarë hapësirën shqipfolëse të mos mbeten thjesht e hedhur në letër, por të japë frytet e saj në realitet.
KONKURSI
Driant Zeneli fiton “Onufrin”, cmim të dytë për Heldi Pemën
Ditën e djeshme organizatorët e Konkursit Ndërkombëtar të Arteve Pamore “Onufri 2008” kanë shpallur më të mirët. Ndryshe nga vitet e tjera kësaj here kemi një risi, ndarja e dy çmimeve. Çmimin e madh për këtë edicion të bienales ndërkombëtare, që kurohej nga italiani Rikardo Kaldura, e ka fituar artisti Driant Zeneli me videon “Too late” dhe “Puzzle”, ndërkohë që çmimi i dytë i është dhënë artistit tjetër të talentuar të brezit të ri, Heldi Pema, i cili është paraqitur me dy fotografi të patitulluara. Në garë merrnin pjesë artistët Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Heldi Pema, Pleurat Xhafa, Driant Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro.
15 Janar 2009