E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alpet, cilësia na diferencon nga të tjerët

Breaking Views
Drejtori i Përgjithshëm, Ibrahim Aktoz: Planet tona ambicioze për vitin 2010

Kompania lider në tregun e karburanteve, “Alpet” do të vijojë me planin e investimeve edhe gjatë 2010-s, pavarësisht krizës, në mënyrë që t’i ofrojë konsumatorit shërbim sa më cilësor dhe të shpejtë. Drejtori i Përgjithshëm, Ibrahim Aktoz, tregon për “Shqip” ecurinë gjatë 2009-s dhe planet për të ardhmen, të cilat nuk lidhen vetëm me shërbimin e karburantit, por edhe të argëtimit...
Na thoni për vitin 2009, si rezultoi për ju, duke pasur parasysh edhe efektet e krizës ekonomike?
Sa i takon vitit 2009, mund të them se kemi pasur rritje të qëndrueshme. Kështu, për vitin 2008 shitëm rreth 83 milionë litra karburant, kurse vitin që lamë e pas e mbyllëm me rritje 30 për qind, pra afërisht 103 milionë litra. Duke e shprehur me vlerë, xhiroja vjetore e aktivitetit të “Alpet” gjatë 2009-s ishte rreh 100 milionë dollarë. Mund t’ju them se klientela është rritur, sidomos korporatat, përmes kontratave. Aktiviteti ynë ka pasur rritje të shitjes së benzinës, produkti kryesor mbi 55 për qind, me cilësinë më të mirë. Ky fakt është shumë i rëndësishëm, pasi ndikon te konsumatorët. Dua të ndalem te klientët, pasi janë shumë të rëndësishëm për ne. Klientët korporata, përmes boteve, tollonave etj., kanë pasur një rritje të ndjeshme për ne. Për vitin 2009, ne regjistruam rreth 150 klientë të rinj, pra korporata (ente shtetërore, private, ambasada etj.), duke përforcuar edhe më tej aftësinë tonë për të shërbyer me cilësi dhe korrektësi.
Sa u takon pikave të shitjes, kemi aktualisht 103 pika, ku 20 të reja u ndërtuan gjatë vitit 2009. Kjo tregon se plani ynë i investimeve nuk është ndalur, pavarësisht krizës ekonomike. Dua të veçoj një investim serioz të zhvilluar në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Sukthit, ku ne kemi ndërtuar përveç dy pikave, edhe një kompleks gjigand, me mbikalim, hotel, bar-restorant, pishina (që hapen në korrik) etj. Investimi, i cili i ka mbyllur punimet, ka kushtuar rreth 7 milionë dollarë.
E keni mbyllur procesin e kasave fiskale dhe patët vështirësi gjatë implementimit?
Po, kemi filluar implementimin e vendosjes së kasave fiskale në të gjitha pikat tona. Projekti është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për administratën tatimore, por edhe për “Alpet”. Masat për vendosjen e kasave i kishim marrë më herët, pasi procesi kërkon kohën e informatizimit të të dhënave, regjistrimin e pompave të karburantit dhe transmetimin online te tatimet. Në këtë pikë dua të veçoj një shërbim tonin që lidhet me furnizimin me karburant, duke përdorur kartën elektronike. Aktualisht kemi mbyllur vendosjen e kasave në Tiranë dhe parashikoj që brenda dhjetë ditëve të ardhshme të përfundojë i gjithë procesi në Shqipëri.
Me investimet e bëra duket se kriza nuk ju ka prekur?
Jo, nuk mund ta them. E pranoj se viti 2009, i krizës ekonomike, ishte i vështirë për “Alpet”. Kjo dukej te forca e konsumatorit, i cili nuk reflektonte vitin 2008. Padyshim edhe kompanitë private, industritë, e kanë dhënë efektin e tyre, të cilat duke mos punuar, kanë ndikuar në rënien e shitjeve të karburantit. Mos harrojmë emigrantët, që padyshim reduktimi i prurjeve dhe vizitat në Shqipëri kanë dhënë ndikim negativ për tregun e karburanteve.
Si e parashikoni 2010-n dhe çfarë planesh keni?
Vitin 2010 e parashikoj më pozitiv, duke parë raportet e institucioneve financiare dhe treguesit makroekonomikë. Mendoj, duke parë vlerësimet, se pas muajit qershor, ekonomia e vendit do të ketë rritje dhe përmirësim të situatës, me më shumë konsum e shitje. Padyshim që rritja ekonomike do të ndikojë në çmimin e naftës gjatë vitit 2010. Sot naftën e kemi me rreth 70 dollarë për fuçi dhe pritet që deri në fund të vitit ajo të shkojë 80-90 dollarë për fuçi. Sa u takon planeve të investimit, ato nuk do të ndalen. Për këtë vit planifikojmë të hapim edhe rreth 20 pika të tjera karburanti, për ta çuar totalin në të gjithë Shqipërinë në 120 pika shitjeje. Tjetër plan kryesor është zgjerimi në tregun e Kosovës përmes investimit për hapjen e pikave të reja dhe bashkëpunimin me kompanitë vendase. Parashikojmë që në dy vitet e ardhshme, tregu kosovar i konsumit të karburantit do të rritet, aq më tepër që kompania “Alpet” njihet dhe vlerësohet.
Sidomos tani, që rruga Morinë-Merdare (pjesë e Durrës-Kukës), do të ndërtohet nga kompania “Bechtel&Enka”, me të cilën ju keni bashkëpunuar.
Po, është e vërtetë, edhe ky aspekt ndikon në zgjerimin tonë në Kosovë, por jo aq sa plani për t’u shërbyer konsumatorëve në Kosovë. E them këtë pasi plani ynë për t’u shtrirë në Kosovë është iniciuar dy vjet më parë.
Për sa i takon cilësisë së karburantit, do të vijoni me investimet?
Patjetër. Ne planifikojmë të fusim teknologji të re, e fundit, në mënyrë që cilësia e karburantit të jetë më e mira në treg. E them me siguri që pikat tona të shitjes së karburantit janë më të sigurtat, me cilësinë më të mirë në rajon dhe botë. Cilësia jonë e naftës është më e avancuara në Europë, euro 5, standard karburanti që ne e ofrojmë prej dy vjetësh. Gjithashtu, sikurse e përmenda, prej tre vitesh kemi 6 pika karburanti që ofrojnë shërbimin e furnizimit me kartë elektronike, pra 4 në Tiranë dhe dy në autostradën Tiranë-Durrës.
Po e zbatoni vendimin e qeverisë për t’i zhvendosur depozitat në Porto Romano?
Në zonën e Porto Romanos kemi kërkuar tokë me një sipërfaqe prej 24 mijë metrash katrorë. Kemi përgatitur projektin, që është shumë modern, me kapacitet prej 40 mijë tonë. Aktualisht po presim përgjigje nga ministria për lejen përfundimtare që të fillojmë sa më shpejt punimet.
Deri tani, rreth një vit, si keni punuar pa pasur depozitat tuaja?
Deri dje kemi punuar në Portin e Shëngjinit dhe më pas kemi marrë me qira një depozitë prej 14 mijë tonësh në Porto Romano.
Si ju duket legjislacioni shqiptar i taksave?
Sugjerimi im lidhet me rregullimin e tregut të naftës, te distanca e pikave të shitjes, cilësia etj. Tjetër shqetësim lidhet me emërtimin e pikave. Sot akoma gjen kompani që shesin karburant pa emër, pra tregtarë të vegjël, që nuk identifikohen. Nga i gjithë tregu, rreth 70 për qind janë subjekte me “tabela të bardha”, dhe jo të përfaqësuara nga subjektet importuese, sikundër ndodh në tregjet e zhvilluara të Perëndimit. Pra tregu duhet rregulluar dhe duhen pasur kritere në marrjen e licencës. Tjetër shqetësim është mungesa e sigurisë e konsumatorëve, e cila duhet rregulluar me ligj. Metodat e kontrollit duhet të jenë më të forta, në doganë dhe brenda tregut, në mënyrë që cilësia dhe konkurrenca të jenë të drejta.
Do të merrni pjesë në tenderin për ofrimin e shërbimit të karburantit në rrugën Rrëshen-Kalimash?
Po, jemi të interesuar dhe do të marrim pjesë, në mënyrë që t’u ofrojmë konsumatorëve tanë shërbimin, jo vetëm me karburant, por edhe kompleks, me hapjen e dy pikave në korsitë përkatëse.
Qeveria ka nxjerrë në shitje aksionet e “Albpetrol”. Keni interes për të?
Kemi bërë një studim përmes një kompanie ndërkombëtare, në kohën kur do të shitej “ARMO”, dhe rezultati doli pa interes për ne. E njëjta logjikë është edhe për “Albpetrol”, për të cilin nuk kemi interes, për shkaqe që lidhen në radhë të parë me vendndodhjen etj. Megjithatë, plani ynë për rafineri vijon ende, për zonat bregdetare, në rast se do të kishte ligj për të.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›