E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Dajti qëlloi ndaj policëve me dy duar dhe dy pistoleta


TIRANË- Ekspertët e laboratorit të Institutit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme kanë konstatuar se Dritan Dajti pasditen e 7 gushtit, gjatë operacionit të policisë për arrestimin e tij, ka qëlluar me dy pistoleta, një në secilën dorë. Sipas ekspertëve që kanë bërë këqyrjen dhe analizimin e mbetjeve të barutit të gjetura në duart e të pandehurit, është konstatuar se në dy duart i dënuari me 25 vjet burg ka faktor plotësues të barutit. Kjo provon se ai ka qëlluar me të dyja duart me pistoletat që kishte ditën e 7 gushtit, një "revolver" dhe një "Glock", të cilat u sekuestruan pas arrestimit. Sipas prokurorisë, pritet që në ditët në vazhdim të mbërrijnë edhe përgjigjet e laboratorit balistik të gëzhojave dhe krahasueshmëria e tyre me ngjarjet e tjera të ndodhur këto vitet e fundit.

Ndërkaq, mbi bazën e këtyre ekspertimeve të mbërritura në prokurori dhe dëshmive të agjentëve që morën pjesë në operacion, hetuesit kanë arritur të ndërtojnë edhe skemën e vrasjeve të ndodhura ditën e 7 gushtit gjatë shkëmbimit të zjarrit mes të kërkuarit Dajti dhe efektivëve të policisë. Sipas prokurorisë, i pari që është qëlluar me plumb në kokë nga dora e Dajtit ka qenë drejtuesi i grupit, Festim Xhani. "I ndjeri Xhani ka pasur kartën e identitetit të policisë në dorë dhe ka shqiptuar fjalët: "Policia, dorëzohuni!", kur është afruar dhe ka hapur derën e parë të pasagjerit të "Tuareg"-ut, ku brenda saj ndodhej i ulur në sedijen e pasme Dritan Dajti.

Menjëherë i është përgjigjur me zjarr i shumëkërkuari duke e qëlluar në kokë anash Xhanin, i cili është rrëzuar përdhe. Pas vrasjes së Xhanit, Dajti është kthyer me 90 gradë në krahun tjetër të dritares së pasme ku po qëndronte kryeinspektori Saimir Duçkollari, duke shkrepur të dyja pistoletat që mbante në duar në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur. Më pas, ka zbritur nga dera e pasme nga krahut të djathtë të makinës, ku pak metra pas makinës ka parë "ushtarin" e tij, Ledion Mara të shtrirë në tokë, duke u lidhur nga agjenti Altin Dizdari. Në drejtim të tyre ka shkrepur dy pistoletat, duke qëlluar agjentin në kraharor dhe Maren.

Si pasojë të dy kanë mbetur të vdekur. Pas këtyre shkrepjeve, Dajti ka lëshuar pistoletën tip "revolver" në tokë dhe ka qëlluar me pistoletën tjetër tip "Glock" agjentin Kastriot Feskaj, i cili po tentonte të lidhte personin e tretë që shoqëronte Dajtin. Pasi ka qëlluar Feskajn, i shumëkërkuari Dajti ka shkrepur edhe disa plumba mbi një makinë të parkuar aty afër (pas saj ishin dy agjentë të tjerë) dhe më pas ka filluar të largohet me ecje, në drejtim të plazhit. Nga një derë aty pranë ka dalë një fëmijë, që është qëlluar në ecje e sipër nga Dajti, duke mbetur i plagosur në këmbë.

Më pas Dajti ka tentuar të ndërrojë karikatorin e pistoletës "Glock" kur është goditur nga tre plumba të kolegëve të vrarë që kishin marrë pozicione të ndryshme pas makinave. Një plumb e ka qëlluar në krah, një tjetër në kofshën e djathtë dhe plumbi i tretë që e ka neutralizuar Dajtin, i ka kapur fundin e shtyllës kurrizore. Më pas është arrestuar. Ndërkaq, në krah të makinës "Tuareg" para tek shoferi agjentët e tjerë kishin mundur të arrestonin kunatin e Dajtit, Ergest Xhoxhin, pa shumë rezistencë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›