E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në statut? Jo momenti i duhur

Socialistët e Korçës: Ndarja territoriale fshat-qytet, nuk ka dhënë rezultat në zgjedhje

Asambleja e Partisë Socialiste të Korçës ka kundërshtuar edhe projektin e Blushit për të bërë ndryshime të menjëhershme në statut, duke thënë se ndryshimet janë të nevojshme, por ato të bëhen në momentin e duhur. Blushi ka paraqitur mediatikisht një platformë, ku ka kërkuar që në statutin e partisë të bëhen një sërë ndryshimesh për të kufizuar pushtetin e kryetarit, si dhe për të sanksionuar që ai duhet të japë dorëheqjen e të mos kandidojë në rast se humbet zgjedhjet.

Anëtarët e asamblesë socialiste të Korçës janë shprehur se i shohin ndryshimet në statutin e partisë si një proces normal e demokratik, përderisa i shërbejnë forcimit organizativ dhe reformimit të partisë, por kur ato bëhen në kohën dhe vendin e duhur.

Të njëjtin qëndrim ka paraqitur pak kohë më parë edhe kryetari i partisë, Edi Rama. Ai ka thënë se ndryshimet në statut duhet të bëhen, por ky nuk është momenti i duhur, pasi duhet një analizë, e cila kërkon të paktën të gjithë pjesën e mbetur të vitit. Një propozim konkret që ka dalë nga Partia Socialiste e Korçës ishte ndryshimi i ndarjes territoriale. Sipas tyre, ndarja organizative e partisë në fshat dhe qytet nuk ndikoi në forcimin e punës së partisë në fshat dhe kjo u tregua edhe në rezultatin zgjedhor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›