Ekspertët: Dollari do rritet në 2011-ën

Një grup ekspertësh të intervistuar nga e përditshmja ruse “Pravda” siguruan se dollari do të forcohet ndjeshëm gjatë vitit që do të pasojë, ndërsa për euron do të vijnë kohë me të vërtetë të vështira.
"Dollari do të përshtatet më mirë se çdo monedhë në kushtet e ekonomisë ndërkombëtare në vitin e ardhshëm”, deklaroi ish-drejtuesi i Bankës së Rusisë, Alexander Kuptsikevich. “Rrikthimi i ekonomisë amerikane në rritje i ka zhvlerësuar presionet e brendshme inflacioniste.
Bondet që do të japë Rezerva Federale në SHBA do të pësojnë një rritje në numër, ndërsa vendet e huaja do të kërkojnë gjithmonë e më shumë borxhe në dollarë. Euro në këtë moment është një monedhë që ka humbur besueshmërinë, Japonia ka probleme me jenin ndërsa Anglia e ka të vështirë të ruajë kuotën e inflacionit 3% në vend dhe kjo ngre dyshime mbi stërlinën”.
Përsa i përket euros, eksperti financiar rus sheh kohë të vështira përpara: “Pas ndihmës që iu dha Greqisë e Irlandës, një tjetër ndihmë e ngjashme ndaj Portugalisë dhe Spanjës do ta godiste rëndë dinamizmin e ekonomisë dhe likuiditetet brenda eurozonës. Ulja e shpenzimeve në shërbime dhe ritmet e ngadalta të rritjes ekonomike sjellin shumë presione inflacioniste mbi euron”.